Rreth librit “Danub”

Danubi, një lumë i famshëm në të cilin rrjedh historia që rrugëton sipas vizionit të një udhëtari, që nga burimet deri në Detin e Zi.

“Kalërojmë larg, larg deri në Danub…” (nga ikja e mbretit Matia, këngë popullore sllovene).

Ky udhëtim mpleks imagjinatën dhe realen, në një krijim që rindërton mozaikun e qytetërimeve të Europës Qendrore.

Autori i librit Danub, Claudio Magris lindi në Trieste më 1939. Është profesor i letërsisë gjermane në Universitetin e Triestes, bashkëpunëtor i Corriere della Sera, autor i shumë veprave letrare dhe eseistike.

Intervistë me përkthyesen e librit “Danub”, Shtëpia Botuese ALBAS, Alma Hafizi

Alma Hafizi ka lindur më 1969 në Shkodër. Është diplomuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Ka kryer kërkime shkencore në universitetin e Firenzës. Mban titullin Profesor i Asociuar dhe aktualisht është në drejtimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Pse është zgjedhurpikërisht një lum, në rastin tonë Danubi, për të përshkruar një rrugëtim. (nëkëtë libër gjejmë plot pasazhe me çaste jetësore, përjetime që kanë ngelur nëkujtesën e autorit, me në qendër kulturën Europiane)

Shumë nga librat e Claudio Magrisit trajtojnë, në mënyra të ndryshme, temën e kufijve, të çdo lloji, kombëtarë, politikë, psikologjikë, shoqërorë, kulturorë, etnikë, fetarë, madje edhe të kufijve brenda vetes, mes elementëve përbërës të Unit. Një tematikë të tillë trajton edhe kryevepra magrisiane që merr jetë nga përvoja e një udhëtimit të autorit drejt Sllovakisë, deri në kufirin me Europën e Lindjes, shumë më parë se të binte Muri i Berlinit.

Vetë titulli i librit Danub, dhe jo Danubi, pra në trajtë të pashquar, është në një farë mënyre përcaktimi më i mirë i tij. Nuk është një libër mbi lumin Danub, mbi gjeografinë e tij, mbi historinë, ose së paku jo vetëm kaq. Danub, vetë kufiantik i Perandorisë Romake, sinonim i Perdes së Hekurt në kohët moderne, mbart simbolikën e kufirit sepse lumi përshkon shumë të tillë, është një lloj Babeli modern i botës.

Është një udhëtimsentimental drejt Europës tjetër, një odise bashkëkohore, udhëtim real e imagjinar i një gjermanisti, një tërësi e shumë fragmenteve të vogla, ku historitë, legjendat, dashuritë, luftrat, të grumbulluara ndër shekuj, ripërtërihen në një kohë të tashme. Udhëtari zbret së bashku me lumin nga burimet tek grykderdhja e tij, e në këtë rrugëtim zbulon veten dhe botën, ndërton identitetin vetjak në luftë me harresën.

Përse është zgjedhur Danubi dhe jo një lum tjetër?

Së pari, gjermanisti që i ka kushtuar të gjithë karrierën e tij letërsisë gjermane, austriake, Mitteleuropës (Euroqendrës) nuk mund të zgjidhte veçse Danubin, me të cilin ka familjaritet intelektual, letrar dhe kulturor. Së dyti, qytetërimi danubian zgjon interes shkencor, për sa dëshmon ekzistencën parahistorike të një qytetërimi europian që identifikohej nga besimi, arti, arkitektura, urbanistika, zhvillimi bujqësor dhe artizanal, kultura e të shkruarit. Nga ana tjetër, ai zgjon edhe interes politik duke qenë rasti i parë “Melting Pot”, i shtrirë nga Ukraina në Itali, nga Gjermania Lindore në Greqi, qendra e parë ku përftohet identiteti i përbashkët europian.

Çfarë trajton ky libër? Mund ta konsiderojmë një krijim në zhanrin e romanit, apo një katalog kulturor?

Danubi është një letër– relacion e një udhëtimi kritik përmes gjeografisë, historisë, letërsisë e mendimit, që shfaqen ose janë shfaqur përgjatë shtratit të këtij lumi. Udhëtimi nis nga kërkimi i burimeve të Danubit dhe kjo ndodh në mënyrë alegorike: nuk ekziston një burim i sigurtë, gjë që lejon mbivendosjen e shpjegimeve shkencore me ato legjendare. Autori në pjesën më të madhe të udhëtimit është i shoqëruar nga persona të tjerë, me të cilët e lidh miqësia apo ndjenjat njerëzore, duke i dhënë shpesh kërkimeve karakter koral. Ndërsa karakteri melankolik shfaqet përmes një përshkallëzimi të botës së brendshme, në pjesën e fundit të udhëtimit që kryhet nga një njeri i vetëm, tek i cili janë grumbulluar eksperienca e njohuri të ndryshme, të gjitha me vlerë, por jo të radhitura me qartësi. Këtë synonte udhëtari i Danubit: të përshkonte lumin për të njohur e për të gjetur realitetin e tij. Ai udhëton për të takuar të tjerët, njeriun e ndryshëm prej tij, botën ndryshe nga e tija.

Udhëtimi përfundon tek gryka e derdhjes së lumit, që nuk gjendet me saktësi sikurse edhe burimi. Për të ekzistojnë përshkrime mitologjike, shkencore, fantastike, por realiteti të zhgënjen, është i pakapshëm.

Magris realizon nje cikël mikroudhëtimesh vertikale, duke takuar jo vetëm letrarë e mendimtarë përgjatë lumit, por edhe njerëz e histori të vogla, të harruara, që janë pjesë e kujtesës njerëzore. Të udhëtosh përgjatë lumit, nuk mund të mos përballesh me pështjellimin e kombësive ballkano-danubiane. Kapitujt që e përshkruajnë këtë fenomen dëshmojnë praninë e totalitetit të Danubit, që është Europa Qendrore gjermane, magjare, sllave, hebraike, një botë përtej kombeve. Ajo përfaqësohet nga një personazh i rëndësishëm i veprës, gjyshe Anka, një grua me karakteristika të veçanta, personifikim i një shtresimi të pazakontë të vendeve gjeografike, të fakteve historike, të etnive të ndryshme.

Alegoria tjetër e udhëtimit lidhet me aktivitetin e gjermanistit, studiuesit Magris. Ai kujton në librin e tij një sërë personazhesh, të njohur e të panjohur, por të veçantë e domethënës për botën danubiane.

Kanë gdhendur me veprëne tyre përjetësinë, ndanë brigjeve të lumit taoist, personazhe si: Heidegger, Céline, Grillparzer, Jean Paul, Stifter, Kafka, Altenberg, Joseph Roth, Lukacs, Ibsen, Canetti, Conrad, Vasco Popa, por jo më pak i rëndësishëm duket të jetë inxhinieri Ernst Newklowsky, nga Ulm, që ka përshkruar në 2164 faqe vetëm rrjedhën e sipërme të Danubit.

Ashtu edhe Magris, si personazhet e tij, ka shkruar me mijëra faqe, duke analizuar letërsinë në përgjithësi e atë gjermane në veçanti, duke i sjellë kritikës çelësa interpretimi. Sa më tepër që thellohej në kritikën letrare aq më shumë paralajmëronte lindjen e prirjeve të reja, të stilit të ri në shkrimet e tij.

Për të ardhur tek pjesa e dytë e pyetjes, në veprën e Magris-it gjejmë elementë të llojeve të ndryshme letrare. Ajo mund të quhet roman dhe ese njëherësh. Për njerëzit kategorikë, që s’pranojnë bashkekzistencën e dy llojeve brenda së njëjtës vepër, nuk është asnjëri e as tjetri lloj letrar, por libër udhëtimi.

Ku i ndërthur Magrisel ementët imagjinarë me ato realë?

Claudio Magris nuk sheh ndryshim rrënjësor mes esesë e shkrimeve të fantazisë, në kuptimin që e dyta është më tepër krijuese. Ndryshimi i vërtetë qëndron tek gjërat që shkruhen, me qëllim të pastër informues, e tek ato tek të cilat është e mundur të shprehet pozicioni i shkrimtarit përballë botës. Miti hazburg është element i rëndësishëm në botën danubiane dhe letërsia austriake e reflekton nostalgjinë ndaj këtij elementi. Por subjekti i vërtetë i kësaj krijimtarie nuk është Austria, është diçka tjetër. Ashtu si një poemë në lidhje me një lule mund të jetë një poemë për dashurinë për një person, po kështu edhe kur poeti shkruan për sytë blu të së dashurës, për gjethet dhe kështu me radhë. Ky qytetërim e ka magjepsur Magris-in jo vetëm për shkak të letërsisë, por si shëmbëlltyrë, si metaforë të asaj që bota perëndimore nuk e ka. Në këtë aspekt Danub është një fiction, sepse çdo gjë është e vërtetë, por vendosja e së tërës në një kontekst letrar vjen falë një mekanizmi imagjinar, personazhi kryesor është figura e dubluar e shkrimtarit.

Personazhet që e shoqërojnë, tregimtari në veten e parë, janë pjellë e fantazisë së autorit, ndërsa protagonistët e vërtetë të ngjarjeve që e popullojnë botën danubiane, kanë bazë historike. Prandaj edhe Danub konsiderohet si “roman i zhytur, i fshehur”.

Si na orienton ky autor drejt gjetjes së një kuptimi më të thellë të jetës, përmes udhëtimit përgjatë Danubit?

Udhëtimi kufizohet nga dy imazhe të errëta, fillon në Pyllin e Zi dhe mbaron në Detin e Zi, duke dëshmuar në mënyrë alegorike misterin e jetës, e nga ana tjetër edhe brishtësinë përballë tundimit për ta zbuluar atë. Udhëtari danubian që në fillim shtron çështjen e origjinave të paqarta të lumit monumental, e cila shndërrohet në simbolikë të mëdyshjeve dhe kompleksitetit të tij.

Çështja pështjellohet akoma më tepër përballë hipotezave të bazuara mbi legjendën e rubinetit të prishur që e furnizon burimin e Danubit. Një tjetër vlerë simbolike i jep Magris me kundërvënien Rin – Danub, dy lumej që ndeshen e sfidohen që me ciklin e Nibelungëve. I pari simbol i “pastërtisë gjermane”, tjetri i Vjenës, Bratislavës, Budapestit, Beogradit, Dacisë, i një amalgame rracash njerëzore. Debati kulmon me rolin e kulturës gjermane në epoka të ndryshme, duke gjurmuar në ecejaket e qytetërimit gjerman mes Lindjes e Perëndimit, në ëndrrën e tij për një Euroqendër krejtësisht gjermane.

Udhëtimi nëpër botën danubiane kërcënohët nga harresa apo dialogu i vështirë me kujtesën historike e kulturore. Prandaj intinerari që propozon udhëtimi nuk është ai klasiku, i thjeshtë, por fton lexuesin të zbulojë vende në dukje pa rëndësi historike apo gjeografike.

Në një nga ndalesat në muzeumin e orëve në Furtwangen udhëtari reflekton mbi binarët e kohës, mbi rrjedhën kohore të ngjarjeve, e krahasuar paradoksalisht me shigjetën që, megjithëse ka marrë goditjen nga harku, qëndron e palëvizur në çdo pikë të hapësirës, duke arritur në konkluzionin se çastet e imëta, e tashmja nuk prodhojnë histori. Me këtë parim në mendje, udhëtari danubian i drejtohet grykëderdhjeve të lumit me vështrimin pas, në të kaluarën, me dilemën në do të përballet me një arenë luftimesh të përgjakshme, apo me një mozaik qytetërimesh tek përshkon Gjermaninë, Austrinë, Sllovakinë, Hungarinë, Banatin, Transilvaninë, Bullgarinë, Rumaninë.

Udhëtimi vazhdon me pasiguritë mes shpresës dhe dëshpërimit dhe e gjen veten të përhumbur mes dhunës që ka prodhuar historia, padrejtësia e rendeve shoqërore.

Josif Mengele, mjeku i pashpirt i Auschwitz, Adolf Eichmann, teknokrati i masakrës  shfarësose, RudolfHöss, komandanti i Auschwitz, kështjella Sigmaringen, teatri i përgjakshëm i shekullit, ku shkrimtari i famshëm Céline jetoi përçudnisht fundin e tij prej tradhëtari, antisemiti, janë disa nga ndalesat e trishtueshme të udhëtarit danubian.

Totalitarizmi, i memorizuar në dramaturgji nga Grillparzer austriak dhe Hebbel gjerman, nuk ka kursyer brigjeve të lumit as edhe krijesat më të brishta, të lindura për të dhuruar jetë, si Agnes Bernauer, vajza e thjeshtë e berberit, e dashuruar pas mbretit të Castiglias, e ekzekutuar me vdekje nga të Mëdhenjtë e Spanjës në emër të pushtetit absolut.

Eksperiencat e këqija njerëzore janë një peshë që historia nuk i asimilon dot, mbeten aty si për të dëshmuar në çdo kohë se nëse mungon një ligj, nuk ekziston frika, apo një barrierë që të pengojë të ndodhë ajo që ndodhi në mënyrë ç’njerëzore në Auschëitz, mbase çdokush mund të jetë një Mengele.

Kujtesa është mjeti që shemb barrerat mes jetës dhe vdekjes, një nga të shumtat që ndërthuren në galerinë danubiane. Kujtesa e ushqen mbijetesën tonë dhe e ngre në pavdekësi. Ndalesat e paparashikuara pranë varrezave, mauzoleumeve dhe katakombeve i japin projektit të udhëtimit karakter enciklopedik. Vendet e zakonshme marrin vlera të veçanta, sjellin bashkë jetën dhe vdekjen, të kaluarën dhe të tashmen. Vetë udhëtimi danubian është një lloj vendi kujtese për shumë letërsi të udhëtimit, nga romantikët tek udhëtimet e lodhshme të Hoffmann, apo atyre aventurierë të Sterne, nga ai klasiku, “rrethor, uliksiak, me kthim në shtëpi” tek ai i njëtrajtshëm pa kthim, si i protagonistit musilian, për t’i lëshuar vendin një tjetri më të arrirë, që i përfshinë dy të parët, si udhëtimi i personazheve kafkiane. Sikundër udhëtimi danubian, edhe ai letrar ka ndalesat e tij të paimagjinueshme.

Kujtesa qendron pas një loje kukafshehti mes të vërtetës dhe falsitetit. Sot bota natyrale kanoset nga artificet në rritje; centralet elektrike brigjeve të lumejve shkatërrojnë florën dhe faunën, zonat historike rrafshohen për monumentet e perandorëve të rinj, mitologjia popullore eklipsohet nga ajo teknokrate e pushtetit, legjendat furnizojnë me informacion shkencën. Që në fillim të udhëtimit danubian aludohet me frikë se lumi rrjedh nga një stjegull apo rubinet i prishur shtëpie. Kjo gjë e alarmon udhëtarin. Çfarë do të ndodhë nëse rubineti mbyllet?

Si përshkruhet historia dhe kultura e Europës së vjetër përballë Europës moderne?

Kritikë nga e gjithë bota e kanë përcaktuar ‘Danub” një kryevepër, pasi shohin tek ajo shëmbëlltyrën e një Odiseje të fundit të mijëvjeçarit që lamë pas, një vepër klasike. Udhëtimi danubian përfundon në Det të gjerë, një metaforë e çlirimit nga ankthi, frika, pasiguria, rendje drejt lirisë.

Me të kapërcyer kufijtë e çdo lloji, udhëtari danubian pasuron identitetin e tij me eksperienca të reja, udhëton në kohë e në hapësirë, plotëson kujtesën historike dhe kulturore, e sfidon më me forcë armikun kryesor të tij, harresën.

Kur Magris përshkoi Euroqendrën, Bashkimi Sovjetik nuk ishte shpërbërë, muri i Berlinit nuk kishte rënë, dhe ish Jugosllavia ishte akoma grupim federal.

Po sot a ka ndryshuar bota danubiane që Claudio Magris sjell në libër?

Pavarësisht ndryshimeve udhëtimi i tij mbetet aktual dhe jo i tillë. Danub është një rrëfim epik, një rrëmim në shtresime të kohës dhe të historisë për të kuptuar të tashmen. Ngjarjet që u rrokullisën pas vitit 1989 nuk krijojnë hapësirën e duhur për të eksploruar në thellësi. Udhëtimi danubian i atij viti do të ishte një tregim në të tashmen, pa shumë plane kohore, që s’do të ndihmonte shumë për të kuptuar atë që ndodhi më pas. Në këtë kuptim libri tingëllon jo aktual, më shumë dramatik sesa epik.

E shkuara nuk duhet harrur, as nënvlerësuar, në të kundërt, do të jemi dëshmitarë të ngjarjeve të x si ato të lexuara tek Danub. Shumë të çara e plasaritje, shumë mure lëkunden, disa identitete po rizgjohen, e disa të tjera po absolutizohen. Rezistenca më e mirë ndaj tyre është KUJTESA.

(Marrë nga GW, Portali Shkollor)

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Kujdes, mbroni shikimin

Next Article

Mësimdhënia është profesioni më i çmuar

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427