Projekti i Bashkisë së Tiranës, “Qyteti lexon” ka vijuar edhe në njësinë numër 8 me rikonstruksionin e bibliotekës dhe pasurimin e saj me tituj të rinj librash. Një ambient i ri që do të shërbejë jo thjesht si qendër leximi, por edhe si një hapësirë rinore për të rinjtë e zonës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa falënderoi donatorët, theksoi se investimi në lexim është investimi më i mirë për të ardhmen.
“Nga të gjitha investimet që kemi bërë në Bashkinë e Tiranës, kjo është më e vogla, por më e dobishmja sepse korsitë e biçikletave, rrugët, ndriçimi, prishen dhe rregullohen, kurse dija, leximi është diçka e pazëvendësueshme”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai shtoi se libri, ndryshe nga teknologjia, ofron dije më të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt, i cili synon rikonstruktimin e të gjitha bibliotekave nëpër lagje, duke i shndërruar ato edhe në qendra rinore, që mund të shërbejnë për aktivitete artistike, sociale, kulturore, sportive, etj. Biblioteka e njësisë 8 u pasurua me disa tituj librash.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.