Pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës zhvilluan javën që shkoi një tur takimesh me maturantë në të gjithë vendin
Pasioni apo tregu i punës?! Të ndjek këshillën e familjes apo të ndjek zemrën time?! Dilemat e maturantëve shqiptarë janë të shumta kur vjen momenti për të vendosur për studimet e tyre, duke i konceptuar këto studime si rruga që do t’u sigurojë të ardhmen. Këshillimi është i nevojshëm për ta në këto momente dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës ua kanë bërë më të lehta zgjedhjet shumicës prej tyre, në kontaktin e drejtpërdrejtë gjatë UET Gjimnaz Tour.
Në vitin e 10-të të tij, Universiteti Europian i Tiranës është fokusuar te Këshilli i Karrierës në një tur të posaçëm takimesh në maturat e vendit, duke prekur të gjitha shkollat e vendit. Pedagogët kanë parë nga afër çfarë i shqetëson të rinjtë shqiptarë sot në lidhje me arsimin, si vendosin ata për degën e studimit, ku e shohin veten e tyre disa vite më vonë në tregun e punës, si të ndërlidhin aftësitë e tyre me degën e studimit etj.
Dekania e studentëve në UET, dr. Anisa Subashi, në një intervistë për MAPO-n sjell impresionet nga këto takime, një vëzhgim se çfarë degësh preferojnë maturantët shqiptarë dhe cilët janë faktorët bazë që ndikojnë vendimmarrjet e tyre për një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës, profesioni i ardhshëm.
Çfarë është UET Gjimnaz Tour?
Gjimnaz Tour është një proces shumë i rëndësishëm në kuadër të këshillimit dhe orientimit të karrierës për të gjithë maturantët në prag të zgjedhjes së programit të tyre të studimit. Ky proces përfshin takime dhe diskutime midis aktorëve kryesorë që ndikojnë në marrjen e vendimit mbi atë se për çfarë do të studiojnë maturantët, pra cili është programi i studimit që ata do të zgjedhin. Gjimnaz Tour-i përfshin takime midis të rinjve – pedagogëvetë fushave të ndryshme – mësues – drejtues të shkollave.
Cila është shtrirja gjeografike e këtij udhëtimi?
Në lidhje me shtrirjen gjeografike, duhet thënë që UET Gjimnaz Tour-i vazhdon deri sa pjesë e këtij procesi të jenë bërë thuajse të gjitha shkollat në të gjithë Shqipërinë. Tour-i treditor pati një shtrirje të madhe në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug edhe u mbulua nga 6 ekipe të UET. Konkretisht qytetet e përfshira në këtë proces të këshillimit të karrierës janë: Librazhd, Prrenjas, Korçë, Pogradec, Bilisht, Ersekë, Laç, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Tuz, Lushnjë, Berat, Skrapar, Burrel, Bulqizë, Peshkopi, Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Himarë, Sarandë.
Çfarë është këshillimi i karrierës dhe si është pritur nga nxënësit? A ka dilema në lidhje me degën që do të studiojnë?
Këshillimi i karrierës është një koncept shumë i gjerë, që nënkupton disa procese, duke filluar që nga informimi dhe orientimi në lidhje me një program të caktuar studimi, e deri tek eksplorimi i mundësisë së punësimit apo rritjes në karrierë brenda një institucioni. Në rastin konkret, këshillimi i karrierës nënkupton informimin e të rinjve në lidhje me mundësitë e ndryshme të studimit që ata kanë, nënkupton parashtrimin apo eksplorimin e secilës alternative studimi, nënkupton dhënien e përgjigjeve mbi shqetësime apo pyetje që ata kanë. Tashmë të rinjtë janë mësuar me takimet në kuadër të këshillimit të karrierës, pasi ky nuk është viti i parë që Universiteti Europian i Tiranës ndërmerr një nismë të tillë. Maturantët jo vetëm që janë të vëmendshëm edhe të interesuar të dëgjojnë, por parashtrojnë pyetje të ndryshme mbi programet, sistemin e bursave, mundësitë që ofrohen pas përfundimit të studimeve etj. Madje, duhet theksuar se nga viti në vit vihet re një përfshirje më e madhe dhe e mësuesve të cilët janë të interesuar mbi procedurat e pranimit në universitet, mbi kushtet që ofrojnë universitetet etj. Dilemat në lidhje me programin e studimit patjetër që ekzistojnë, dhe kjo dilemë i ndjek të rinjtë deri sa ata të fillojnë studimet e tyre të larta. Ndonëse në disa raste ata e shprehin qartazi cili është programi që do të studiojnë, në raste të tjera ata janë të dyzuar midis programeve.
Si orientohen të rinjtë shqiptarë drejt karrierës? Nga prirja dhe pasioni që kanë për një degë të caktuar, apo nga ideja se një degë e caktuar do t’ju sigurojë një punë në të ardhmen?
Në fakt nuk ka një formulë të qartë apo të pandryshueshme në lidhje me faktin se cila dominon në zgjedhjen që të rinjtë bëjnë – pasioni apo e ardhmja / punësimi. Në disa raste, të rinjtë janë të prirur vetëm nga pasioni i tyre, në raste të tjera janë prindërit të cilët influencojnë dhe bëjnë që ata të ndikohen totalisht nga ata, pavarësisht dëshirës, pasionit apo mendimit që të rinjtë kanë mbi të ardhmen apo mbi mundësitë e punësimit. Në vitet e fundit është vënë re një prirje apo interesim më i lartë i të rinjve mbi mundësitë e punësimit që secili program studimi ofron. Kjo e lidhur ngushtë edhe me diskutimet medietike apo të rrjeteve sociale, të cilat gjithashtu kanë ndikimin e tyre te të rinjtë.
A ndikohen të rinjtë nga familja në vendimmarrje?
Po, mendoj se të rinjtë vazhdojnë të kenë një influencë të madhe nga prindërit dhe familjarët e tyre në lidhje me programet e studimit. Ka mjaft raste që zgjedhja e programit të studimit është e ‘trashëguar’ nga formimi dhe edukimi që vetë prindërit e tyre kanë. Megjithatë, këtu nuk duhen përjashtuar edhe rastet kur të rinjtë vendosin vetë dhe familja ka një ndikim shumë të madh suportues mbi zgjedhjen që të rinjtë bëjnë.
Si është fokusuar bashkëpunimi i UET-it me gjimnazet?
UET-i është në vitin e tij të 10 –të të themelimit dhe bashkëpunimi gjimnaz–universitet ka qenë ndër më të suksesshmit. Me kalimin e viteve, ky bashkëpunim jo vetëm është forcuar, por edhe është zgjeruar për sa i përket shtrirjes së bashkëpunimit. Jo më larg se një javë më parë, në UET uzhvillua Forumi Gjimnaz-Universitet, me pjesëmarrjen e mbi 100 drejtuesve të shkollave të mesme, private dhe shtetërore, në të gjithë Shqipërinë, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Drejtorive Arsimore Rajonale, si edhe të zëvendësministres së Arsimit, znj. Nora Malaj. Fokus i këtij Forumi ishte Matura shtetërore si detyrim dalës, si dhe sfidat e institucioneve të Arsimit të Lartë në vend. Gjatë këtij Forumi pati shumë diskutime në lidhje me mënyrën se si do të zhvillohen provimet e detyrueshme / me zgjedhje këtë vit dhe cilat janë kriteret / kuotat e pranimit që universitetet do të vendosin për çdo program studimi. Zhvillimi i Gjimnaz Tour-it në kuadër të këshillimit të karrierës është një formë tjetër e bashkëpunimit, e cila ia lë vendin UET Tour-it. Ky i fundit është menduar si një mundësi e mirë për të gjithë maturantët që të eksplorojnë dhe shikojnë mundësitë që UET-i ofron duke qenë pjesë e një leksioni të hapur, duke vizituar ambiente të UET-it, si dhe duke takuar staf akademik, administrativ dhe studentët e UET-it. Një formë tjetër e bashkëpunimit midis institucioneve përfshin dhe zhvillimin e shkollës verore mbi Lidershipin, e cila është kthyer tashmë në një traditë. Kjo është një mundësi që UET-i e ofron pa pagesë për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të jenë liderët e së ardhmes.
Universiteti Europian i Tiranës për herë të parë ka shpallur kuotat për vitin e ri akademik, si është pritur kjo nga maturantët?
Po, është e vërtetë që UET-i këtë vit akademik do të ketë një sistem më të qartë të kuotave të pranimit, gjë e cila është konform ndryshimeve të ndërmarra nga Ministria e Arsimit. Në fakt, duke qenë se diskutimet mbi Arsimin e Lartë kanë qenë të pranishme si midis maturantëve ashtu edhe midis mësuesve e prindërve të të rinjve, aplikimi i kuotave është pritur mirë. Madje një pjesë e pyetjeve që ato kanë, lidhen pikërisht me kuotat dhe mënyrën e përzgjedhjes.
Cilat janë politikat e universitetit për të thithur maturantët më të mirë, ekselentët?
Universiteti Europian i Tiranës është gjithmonë në mbështetje të ekselentëve, talentit, liderëve të së ardhmes apo edhe të të rinjve, të cilët ndodhen në kushte të vështira sociale ekonomike. UET-i ka politika të ndryshme për të tërhequr rreth vetes maturantët më të mirë. Konkretisht, një nga këto politika për të afruar pranë vetes maturantët më të mirë të të gjitha gjimnazeve në Shqipëri është edhe sistemi i bursave të ekselencës. Në vitin e kaluar akademik, UET-i ndërmorri një nismë për të ofruar mundësinë e studimit me bursë të plotë në UET për 100 nga 1000 maturantët më të mirë në të gjithë Shqipërinë. Kjo nismë ishte shumë e suksesshme dhe shumë maturantë e përqafuan këtë nismë. Ofrimi i bursave të plota të studimit për më të mirët nga njëra anë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të UET-it në ceremonitë e diplomimit në disa shkolla të mesme në Shqipëri, duke krijuar kështu mundësinë e identifikimit të studentëve më të mirë, do të vazhdojnë të jenë pjesë e politikave të UET-it për më të mirët.
10 hapa si të vendosni për karrierën tuaj
Këshilla për të rinjtë që janë në dilemën për të zgjedhur një degë studimi. Si të gjesh degën që përshtatet me prirjet tuaja. Si të zgjidhni një degë studimi që mund t’ju çojë drejt një pune ku të përdorni lirisht talentin tuaj, të zhvilloni aftësitë dhe vlerat.
1. Udhëhiquni nga ideja se çfarë ju pëlqen të bëni. Shumë njerëz shohin të tjerët për të vendosur mbi karrierën e tyre; si mësuesit, prindërit, fqinjët, të afërmit. Mendoni për punë që bëjnë njerëzit që ju respektoni. Merrni kohën e duhur përtë kuptuar çfarë doni dhe përllogarisni aftësitë tuaja në lidhje me atë që do të bëni, kjo do të kërkojë pak punë, por është më mirë për ju.
2. Identifikoni sa aftësi keni kur bëni gjërat që ju pëlqejnë. Ky do të jetë një indikacion i vlefshëm për të ardhmen e karrierës suaj. Për shembull, nëse ju pëlqen të merreni / kujdeseni për kafshët, mund të jetë tregues që në të ardhmen mund të jeni një veteriner, mbrojtës i të drejtave të kafshëve, stilist për veshjet e kafshëve, transportues kafshësh etj. Pra, pasi të keni identifikuar një fushë potenciale, jeni gati të matni aftësitë tuaja.
3. Mendoni gjerësisht për punën që do të bëni, një profesion i caktuar nuk është një punë e vetme. Duhet të konsideroni faktin që mund të mbani detyra të caktuara brenda fushës suaj. Për shembull, nëse studioni inxhinieri, ju mund të jeni inxhinier sajti, menaxher zyre, konsulent, trajnues etj. E njëjta gjë nëse studioni drejtësi, ju mund të punoni si një menaxher zyre, përfaqësues ligjor i një kompanie, mund të punoni në një organizatë jofitimprurëse etj. Fusha ku do të zhvilloni karrierën do të varet nga shkollimi, aftësitë personale, gatishmëria juaj, dëshira për të provuar gjëra të reja dhe për t’u informuar / trajnuar në vazhdimësi.
4. Konsideroni nën ndarjet e fushës ku do të fokusoheni, duke rakorduar studimin tuaj me atë që do t’ju pëlqente të bënit. Për shembull, shumë mësues kanë aftësi gjuhësore dhe janë botues ose redaktorë të shkëlqyer.
5. Zgjeroni sa më shumë njohuritë rreth kualifikimeve që kërkon fusha ku interesoheni, nëpërmjet internetit, librarive, kontakteve personale, në shkolla, shërbimet universitare, asistencën e këshillimit të karrierës etj. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni në ç’fushë doni të studioni dhe të mos përballeni me surpriza të këqija, ku interesat dhe aftësitë tuaja të mos përputhen.
6. Takoni njerëz që punojnë në fushën për të cilën interesoheni dhe flisni me ta, me qëllim që të dëgjoni sugjerimet e tyre, si dhe të pyesni çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në lidhje me këtë punë. Ndonjëherë, kjo gjë mund t’ju krijojë juve një mundësi për t’u përfshirë në një eksperiencë pune gjatë kontaktit me këta persona.
7. Vlerësoni zgjedhjen tuaj sipas perceptimeve dhe informacionit që keni mbledhur. Vlerësoni gjithashtu komentet që keni marrë dhe krahasojini me kërkimet tuaja dhe atë që doni të bëni në të ardhmen, pra karrierën tuaj. Tashmë është koha të vendosni për karrierën tuaj. Mos harroni të konsideroni mënyrën tuaj të jetesës për të kombinuar karrierën, mënyrën e jetesës dhe kompromiset e vogla dhe të mëdha që do t’ju duhet të bëni gjatë jetës suaj.
8. Zgjidhja më e mirë është të regjistroheni në një trajnim për këshillim karriere. Gjatë studimit ju mund të përfitoni të punoni si vullnetar në fushën që aspironi. Do të njiheni me njerëz që punojnë në këtë fushë dhe kjo do t’ju ndihmojë për të filtruar interesat tuaj dhe do të zgjerojë horizontet.
9. Qëndroni pozitiv. Kur të jeni në fund të trajnimit mbi këshillimin e karrierës, gjëja më e rëndësishme është ta shikoni jetën me pozitivitet dhe të jeni të gatshëm për ndryshime. Pra, të fitoni oportunitetin për të përballuar sfidat. Sidoqoftë,“mbani fort” atë që është unike te ju, pasi punëdhënësit kërkojnë gjithmonë atë që është më i aftë dhe më i arsimuar për punën që do të bëjë.
10. Merrni kohën e duhur për të kuptuar çfarë doni dhe përllogarisni aftësitë tuaja në lidhje me atë që do të bëni. Pra duke menduar që në muajt e fundit të shkollës së mesme deri në shtator do të keni marrë një vendim të pjekur mirë.
(Mapo)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.