Profesori im Moikom Zeqo, një erudit i pavdekshëm – Flori Kasaj

E kjo nuk është një lamtumirë, i dashur Profesor. Përtej çdo labirinti të koklavitur të kësaj jete, qëndron një mirupafshim me zemër në dorë, si busull të një jete plot shkrime dhe faqe të librave që mezi presin të shfletohen duke e kthyer klesidren nga ana e tjetër për një xhiro të re jete!

… Dy sy vendosën të veshin mantelin e heshtjes e t’i japin një shuplakë Jetës. 

Papritmas një flakë e një Eruditi vendosi të shpërthente njëherazi, që të përhapej në copëza e shkëndija pasioni nëpër librat e një ekzistence të një njeriu, që bukurinë e zemrës dinte t’a shpaloste me finesën, mprehtësinë dhe bukurinë e fjalëve të një letërsie jetike. 

Një lajm që tingëlloi si një kambanë në qendrën e një qyteti të zhurmshëm, ku çdo ditë gumëzhin preokupimi, mërzia, frika e ditëve gri të një realiteti të fotokopjuar bardh e zi… Një melodi e një harpe që jehon një largim, një zemërim të një jete të robëruar nga koha, të një klesidre që nuk di të ndalet pa i mbaruar të gjitha copëzat e asaj ekzistence apo të atij limiti fryme… 

Trishtimi, humbja e dëshpërimi të përqafuar në një pikëz loti njomi fytyrat e shumë njerëzve, kur lajmi, si një gjemb i një trëndafili blu të lagur, pa gjethe e pa petale depërtoi në zemrat e të gjithëve Ne që patëm kënaqësinë dhe nderin të njohim nga afër Moikomin e dashur. 

Në këtë ujëvarën tonë të jetës, ndonëse u venit një buzëqeshje, atë portretin e një njeriu me vlera të rralla njerëzore e mbaj si një visar dhe e shtjelloj në ekzistencën time, katalizator, thesar e shembull konkret të një botëkuptimi që kapërcen limitet e asaj monotonie të përditshmërisë dhe që i shton ato ngjyrat e pasionit të një jete që vallëzoi me fantazinë dhe kreativitetin, me studimin dhe gjenialitetin, me mirësinë dhe konfidencialitetin, me entuziasmin dhe pushtetin për të emocionuar breza të tërë të një epoke materialiste. 

E tani ata dy sy që buzëqeshjen ia dhuruan qiellit, nga atje shikojnë me endje filizat e shkrimeve që dalëngadalë marrin jetë dhe e shohin botën me po atë intensitet që vete Mjeshtri i madh Moikomi e përjetonte. 

E kjo nuk është një lamtumirë, i dashur Profesor. Përtej çdo labirinti të koklavitur të kësaj jete, qëndron një mirupafshim me zemër në dorë, si busull të një jete plot shkrime dhe faqe të librave që mezi presin të shfletohen duke e kthyer klesidren nga ana e tjetër për një xhiro të re jete!..

Flori Kasaj

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Ministrja Shahini: “Pas vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria”

Next Article

Prindërit: Mësimi online, alternativa e duhur për vitin shkollor 2020-2021

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427