Procedurat e transformimit të IAL-ve publike ose private në IAL publike të pavarura

Më poshtë do të gjeni të gjithë informacionin për procedurat e transformimit të IAL-ve (universiteteve) publike ose private në IAL publike të pavarura, sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave.

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE 

1. Institucionet e arsimit të lartë (IAL) të cilat plotësojnë kriteret ligjore për tu transformuar në institucione publike të pavarura të arsimit të lartë (IALPP), paraqesin kërkesën për transformim, ndërsa institucionet publike dhe subjektet e së drejtës private, në cilësinë e themeluesve, paraqesin kërkesën për krijimin e IALPP-së, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.

2. Themeluesi/t paraprakisht, për secilën kategori të IAL-ve, fillojnë procedurat e transformimit në IALPP, si më poshtë:

a) Vlerëson me ekspertë të licencuar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, ku do të zhvillojë veprimtarinë IALPP-ja dhe i kontabilizon me vlerën e tregut.

b) Themelon fondacionin sipas kuadrit ligjor në fuqi për organizatat jofitimprurëse, Kodit Civil dhe ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

c) Përgatit dokumentacionin e nevojshëm të fondacionit të themeluar, sipas përcaktimeve të këtij vendimi për krijimin apo transformimin e IAL-së në IALPP dhe e paraqet në ministrinë përgjegjëse për arsimin, e cila pas vlerësimit teknik dhe ligjor të kërkesës, propozon në Këshillin e Ministrave krijimin e IALPP-së, së propozuar.

d) Ndjek nëpërmjet platformës e-Albania procedurat e nevojshme dhe paraqet dokumentacionin, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi. 

3. Institucionet publike dhe subjektet e së drejtës private, në cilësinë e themeluesve, paraqesin për krijimin e IALPP-së, dokumentacionin si më poshtë:

a) Kërkesën për themelimin e IALPP-së, e cila duhet të përmbajë emrin dhe objektivat afatgjatë të veprimtarisë arsimore, kërkimore dhe zhvilluese të institucionit.

b) Aktin e krijimit dhe statuti i fondacionit, shoqëruar me vendimin e gjykatës kompetente.

c) Vendimin e Bordit të Fondacionit, për themelimin e IALPP-së.

d) Të dhënat për burimet financiare dhe gjendjen financiare, e cila duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së IAL-së për të paktën 3 (tre) vite akademike.

e) Planin e zhvillimit të IAL-së për 5 (pesë) vitet e ardhshme.

f) Raportin e auditimit financiar, nga auditues të jashtëm referuar nenit 116 të ligjit nr. 80/2015.

g) Raportin e vlerësimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim, pronësi apo posedim.

h) Organizimin akademik dhe administrativ të IALPP-së, si dhe dokumentacioni ligjor për personelin akademik dhe administrativ, sipas kërkesave të kuadrit ligjor në fuqi.

i) Organizimin e programeve të studimit, planet mësimore, programet e lëndëve/moduleve të nënshkruara nga titullari i lëndës, jetëshkrimi i titullarit të lëndës, nivelet dhe emërtimet e diplomave.

j) Strukturën e IAL-së (organigrama).

k) Projekt-statutin e IALPP-së.

l) Kontratat e punës për personelin akademik të punësuar dhe kriteret e punësimit për çdo vend pune në IAL.

m) Deklaratën për plotësimin e standardeve akademike.

n) Relacionin për infrastrukturën nga inxhinier i licencuar dhe relacionin për laboratorët e bibliotekat, bazuar në standardet shtetërore.

o) Numrin Unik i Identifikimit të Subjektit (NUIS), për regjistrimin si person juridik, me aktivitet në fushën e arsimit.

4. IAL-të që kërkojnë të transformohen në IALPP kryejnë procedurat paraprake si më poshtë:

a) Administratori i IAL-së, së bashku me auditues të jashtëm referuar nenit 116 të ligjit nr. 80/2015, bëjnë paraprakisht vlerësimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i kontabilizuar me vlerën e tregut. Shpenzimet për audituesin përballohen nga vet IAL-ja.

b) Administratori i IAL-së, bazuar në pasqyrat financiare të 3 (tre) viteve të fundit harton raportin e ecurisë financiare të institucionit, ku identifikon masën e financimit nga të ardhurat e IAL-së, e cila duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së IAL-së për të paktën 3 (tre) vite akademike.

c) Harton planin e zhvillimit të IAL-së për 5 (pesë) vitet e ardhshme.

d) Administratori i IAL-së, paraqet për mendim në Senatin Akademik dokumentacionin për plotësimin e kritereve të mësipërme dhe gjendjes financiare, si dhe propozimin për transformim të IAL-së në IALPP.

e) Në rast se mendimi i Senatit Akademik është pozitiv, atëherë Senati Akademik ia paraqet për vendimmarrje Bordit të Administrimit.

f) Bordi i Administrimit shprehet brenda 1 (një) muaji për propozimin e administratorit. Vendimi i Bordit të Administrimit për transformim duhet të merret me tre të katërtat e votave të anëtarëve të tij. 

g) Në rast të një vendimi pozitiv për transformim nga Bordi i Administrimit, dokumentacioni dhe vendimi i paraqitet ministrit përgjegjës për arsimin.

h) Fondacioni i themeluar sipas kuadrit ligjor në fuqi për organizatat jofitimprurëse, Kodit Civil dhe ligjit nr. 80/2015, përgatit dokumentacionin e nevojshëm për ngritjen e IALPP-së dhe e paraqet në ministrinë përgjegjëse për arsimin, e cila pas vlerësimit të dokumentacionit sipas këtij vendimi dhe kritereve ligjore të përcaktuara në nenin 119 të ligjit nr. 80/2015, propozon në Këshillin e Ministrave krijimin e IALPP-së.

5. IAL-të që kërkojnë të transformohen në IALPP, paraqesin dokumentacionin si më poshtë:

a) Kërkesën për transformimin e IALPP-së, e cila duhet të përmbajë emrin dhe objektivat afatgjatë të veprimtarisë arsimore, kërkimore dhe zhvilluese të institucionit.

b) Aktin e krijimit dhe statutin e fondacionit, shoqëruar me vendimin e gjykatës kompetente.

c) Aktin e hapjes së IAL-së, aktin e akreditimit institucional dhe të të gjitha programeve të studimit.

d) Vendimin e Bordit të Fondacionit, për themelimin e IALPP-së.

e) Të dhënat për burimet financiare dhe gjendjen financiare, e cila duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së IAL-së për të paktën 3 (tre) vite akademike.

f) Planin e zhvillimit të IAL-së për 5 (pesë) vitet e ardhshme.

g) Raportin e auditimit financiar, nga auditues të jashtëm referuar nenit 116 të ligjit nr. 80/2015.

h) Raportin e vlerësimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim, pronësi apo posedim.

i) Organizimin akademik dhe administrativ të IALPP-së, si dhe dokumentacioni ligjor për personelin akademik dhe administrativ, sipas kërkesave të kuadrit ligjor në fuqi.

j) Organizimin e programeve të studimit, planet mësimore, programet e lëndëve/moduleve të nënshkruara nga titullari i lëndës, jetëshkrimi i titullarit të lëndës, nivelet dhe emërtimet e diplomave.

k) Strukturën e IAL-së (organigrama).

l) Projekt-statutin e IALPP-së.

m) Kontratat e punës për personelin akademik të punësuar të paktën për 1 (një) vit akademik dhe kriteret e punësimit për çdo vend pune në IAL.

n) Deklaratën për plotësimin e standardeve akademike.

o) Relacionin për infrastrukturën nga inxhinier i licencuar dhe relacionin për laboratorët e bibliotekat, bazuar në standardet shtetërore.

p) Numrin Unik i Identifikimit të Subjektit (NUIS), për regjistrimin si person juridik, me aktivitet në fushën e arsimit.

q) Pasqyrat Financiare për 3 (tre) vitet e fundit.

r) Deklarata analitike për tatimin mbi të ardhurat dhe deklaratat e tatimit mbi të ardhurat nga burime të tjera, për 3 (tre) vitet e fundit, sipas kuadrit ligjor përkatës në fuqi.

s) Vërtetimet që themeluesit nuk janë palë të paditura në procese gjyqësore që kanë të bëjnë me çështje thelbësore, të cilat lidhen me veprimtarinë e IALPP-së.

6. IAL-të jopublike që kërkojnë të transformohen në IALPP, së bashku me dokumentet e përcaktuara në pikën 5, paraqesin edhe dokumentet si më poshtë:

a) Dokumentin zyrtar të akreditimit për institucionet private, që zotërojnë një formë akreditimi në një shtet tjetër.

b) Dokumentin zyrtar të bashkëpunimit, si dhe dokumentin zyrtar të akreditimit të institucionit bashkëpunues, nëse ka, në rast se institucioni parashikon të ofrojë programe studimi të përbashkëta me IAL të tjera, vendase apo të huaja. 

c) Kontratën tip që studenti lidh me IALPP-në, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

d) Vërtetimet që themeluesit nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

e) Vërtetim nga gjykata që IAL-ja ekzistuese nuk është në procedura falimentimi.

f)Vërtetim nga prokuroria që personi juridik dhe (ose) përfaqësuesi i tij nuk janë në ndjekje penale.

7. Procedura për shqyrtimin e dokumentacionit për krijimin e IALPP-së apo transformimin e IAL-së në IALPP është si më poshtë:

a) Dokumentacioni shqyrtohet sipas rregullave të brendshme të ministrisë përgjegjëse për arsimin brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të tij në  platformën e-Albania. Në rast se konstatohen mangësi në dokumentacion, ministria përgjegjëse për arsimin i kërkon subjektit plotësimin e tyre, brenda afatit kohor prej 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit. Në rast se dokumentacioni nuk plotësohet brenda këtij afati, konsiderohet që subjekti ka hequr dorë nga aplikimi dhe praktika arkivohet.

b) Kur dokumentacioni është i plotë sipas kërkesave të këtij vendimi, vijon procedura me vlerësimin e plotësimit të standardeve nga ekspertë të jashtëm, nga lista e miratuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, të cilët caktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Numri i ekspertëve për vlerësimin paraprak institucional, tarifat që paguhen nga IAL-të, si dhe masa e pagesës së ekspertëve, përcaktohen në VKM-në nr. 109/2017, të ndryshuar.

c) Ekspertët, brenda 21 (njëzet e një) ditëve dorëzojnë raportin e vlerësimit në ministrinë përgjegjëse për arsimin. Në rastet kur dokumentacioni është i paplotë apo konstatohen mangësi/pasaktësi nga ekspertët, ministria përgjegjëse për arsimin njofton subjektin i cili bën plotësimet e nevojshme brenda 21 (njëzet e një) ditëve nga marrja e njoftimit.

d) Nëse pas njoftimit, dokumentacioni nuk plotësohet nga subjektit brenda këtij afati, prezumohet që subjekti ka hequr dorë nga aplikimi dhe praktika arkivohet.

e) Dokumentacioni me plotësime i depozituar nga subjekti i përcillet ekspertëve, të cilët, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve dorëzojnë raportin e rivlerësuar. Nëse vlerësimi dhe vendimi përfundimtar është pozitiv, ministri i propozon Këshillit të Ministrave hapjen e institucionit të arsimit të lartë.

8. IAL-të publike të cilat transformohen në IALPP, sipas përcaktimeve në këtë vendim, kthejnë në Buxhetin e Shtetit të gjitha fondet buxhetore të përfituara dhe të pa shpenzuara deri në atë moment. 

9. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Vendim i Qeverisë: Do të krijohen universitet publike të pavarura

Next Article

“Djemtë e periferisë”, tregim nga Devin Koçeku, klasa X, shkolla “Ernest Koliqi”

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427