Jo, asht sarkastike. Nuk ju kërkoj vërtet’ falje për dialektin. Besoj verbnisht në shprehjen e Pasolini-t se “dialekti asht shprehje e individualitetit”*, prandej nuk jam tuj e shmang’ ma pse jeni m’sue me lexu nji gjuhë shqipe “të pastër, letrare” që asht n’fakt rr’nojë e diktaturës. Nuk asht pa arsye pse flas për dialektin e pse flas n’dialekt.
Njoftja jeme e parë me shkollën si institucion nuk ka ndodhe ditën e parë të shkollës. E disha që si fmi duhet me u grumbullu me fmijë të tjerë e me ndjeke nji orar t’caktum për me zgjerue dituritë, tanë bashkë. Institucionalizimi jem ka lidhje t’ngushtë me dialektin.
Kisha shkue në kopësht në Shkodër, në vendlindje, dhe e kisha shiju me shpirt. Nana më kishte mësue me lexu që n’vjetin tem të pestë, pse vete ishte mësuese gjuhe e letërsie, e, për argëtim pak, por edhe për hir të zakonit, nuk kishte ndejtë pa na mësue edhe funksionet e fjalëve në fjali. Përveç kësaj, n’kopësht, na mësunen në vit të fundit me shkrue, numrat vetëm, por që atëherë nana e dau që un shkrujsha me të rrëmakten, e tuj i parapri institucionalizimit që m’pritte në shkollë, më detyroi me e ndërrue dorën. Hala sot, e vuej këtë gja. Nuk ndihem krejt vetja, ndihem paksa sikur m’kan’ “dhanë buzagazin e rremë të Guinplenit” , që tash e shof si nji nevojë e shoqnisë që un’ me iu përshtatë, përndryshe kishin me më përjashtue.
Në klasë të parë më hoqën edhe nji copë tjetër identiteti, prejse mësuesja, që qe nji zojë e respektume e që më donte fort, nuk kuptonte asnji fjalë prej gegnishtes. E kur u ankova se “Marku më ra me laps kresë” e s’m’u ndigjue apeli, apo kur u gjegjsha se “njizet e njizet bajne katërdhetë” e isha gabim, m’u desht me e ndërrue dorën, kët’ herë në gjuhë. K’shtu fillon institucionalizimi jem. Nji vdekje e identitetit, për me t’pranue shoqnia. Ekzistencializmi tuj i shkaktu kriza ankthit shtatëvjeçarëve në emër të edukimit.
Më kujtohet se e kisha të v’shtirë me i shqiptue saktë “xh”-t e “q”-t e u stërvitsha në shpi tuj thanë “Qante Qaniu Pas Qerres Së Qumshtit Se Qeni Qimekuq i Ishte Qepur Pas”. Shokët e klasës më vunë nofka ulëse, prejse kisha lind’ e isha rritë deri atëherë në Shkodër, që nuk ishte kryeqytet e prandej vlente ma pak.
Nuk kam m’sue pothuej asgja të randësishme në shkollë. E ket’ nuk e tham për me u hek’ si e veçantë apo me e hedhë poshtë sistemin, se un’ jam ndryshe e po ahmerrem ndaj atyne që dishrunen me m’ba “njisoj”. Ndoshta pak për ahmarrje, por vetëm pse m’kan shkaktue plagë në psike, që as sot nuk i kurojnë lëpimjet e k’saj shoqnie “me bragesha”, siç thotte Migjeni. M’vjen me qeshë me mllef e m’vijnë lotët n’zgrip në t’njëjtën kohë kur lexoj diçka prej Migjenit a prej Koliqit, jo pse kanë shkrue për Shkodrën, por pse janë të pakohë. Jetojmë edhe sot shumë prej të njëjtave vuejtje. Jena po aq Mondvalsen e Dështakë, që me përqafë edhe jugun. Nuk i shohim se na i ka zanë sytë “interneti”.
Nanadaja më thottë mos me ankue, pse sot nuk të ndan kush prej shkollet, s’ke me u ba skllave e babës e nanës, deri kur të të martojnë, që me iu skllavnue dikujt tjetër. Të drejtë kishte, ndonse njiri n’çdo kohë e gjen pse me ankue.
Po, për shkollën ankoj që s’kam msue asgja me randsi. M’ka msu nana qysh se m’ msoi me lexu e nuk i kam nda librat ma. Çdo gja shkencore që di ma ka msue ndoj enciklopedi e lexume vjedhtaz nga burri fanatik i hallës që m’i mshehte librat e m’i lente përgjys’ pse kishte frikë mos ia merrsha në shpi e harrojsha me ia kthye prapë.
N’shpi teme lexojsha librat e babës, që ishin libra gjuhe të huej për me e msue vetë apo libra për sportin e masazhet e trupin, pse kishte studiue pak mjekësi. Te nanedaja kisha zanë me shkue te “oda e fundit”, dhoma në fund të shpisë që u mbrritte tuj kalue nëpër odë të mesit, dhoma e pritjes. Oda e fundit, që ishte dhomë gjumi për pleqtë, ku ose luenim teater, zate teater, me time motër e me kushërinen, tuj vu në skenë torturat e “Monserratit” ose lexosha çdo gja që m’binte n’dorë, prej “Oso Kukës” e “Si u kalit çeliku” te tregimet e Kharmsit dhe poezitë e Blake-ut, Morrison-it e të Ginsberg-ut. U tmerrosha e kam ende vrraja t’ thella n’imagjinatë prej tyne, por e dosha atë dramë, aq sa lexosha n’gazeta vjedhjet e përdhunimet, n’se s’më lejoshin me shkue me ra n’odë të fundit, pse “s’rrin kurrë me ne pleqtë”.
Edhe në gjimnaz nuk kam msue gja me randësi në shkollë; rrijsha tuj msheh’ romanet mes librave mësimore, kinse jam tuj studiue, ma vonë lexojsha me elektrik doret deri ne 4 “Harry Potter” ose “Katedralen e Parisit”, apo romanet erotike të Isabel Allendes që më m’suenë ça asht dashnia epshnore që dymbëdhjetë vjeçe. Për shkollë më mjaftonte me lexue në pushimet 5 minutëshe, gja që m’ndihmonte me marrë dhjetën e “sa kujtesë kohëshkurtë të mirë ke” dhe titullin “peshkope” sigurisht.
Kam kenë snobe për vetëmbrojtje, se disha shumë, lexojsha si e drogueme, e se kisha mëni prej ndryshimeve që m’ishte dashtë me ba për me më pranue.
Ama deri në universitet, nuk kam pas fatin me njoftë dikë që përbuz librin, madje librin që e ka shkrue vetë, për me i ba piedestal dijes, të m’suemunit konceptual. Nuk due me ia thanë emrin, por ajo grue e g’zueshme, e dashtun, m’ka ba me jetue rasa të ngjashme me ato të Ethan Haëke tek filmi “Dead Poet Society”. Pse ajo mendonë si un’, mendimi i vet ishte nji majmun që u hidhte degë m’degë, ama t’msonte çdo gja të randësishme, pse kishte lidhje logjike, pse ishte interesante me e ndjekë at’ pasion t’saj e me pa si shihte ajo. T’bante me t’u sendërgjue ajo botë që përshkruente, ndonse botë ligjesh, për shumë e mërzitshme, pa ngjyrë. Prej saj kam msue me u emancipue, me dalë nga pushteti atnor. Veçse për mu ishte emancipim nga shoqnia, emancipim nga institucionalizimi i dijes, që n’fakt s’asht veçse çensurim, dituri selektive përziem me arrogancë skolastike, për me t’ba me u ndie i vogël.
Sot, çdo njeri e ka n’axhendë me e ba tjetrin me u ndie ma i vogël, ma pak se ai, sidomos në metropol. Kët’ nuk e tham prej nostalgjisë për Shkodrën, jo, se për me gjetë ça s’shkon në Shkodër, hala qëndrojnë ankesat e Koliqit e jo pak t’Migjenit. Shkolla asht nji nga ato vende ku m’son me u përplas’ me kët’ “tkurrje”, që për fat, te disa mbetet n’tentativë.
Në shkollë kam msue vetëm që duhet me u duk’ e sigurtë, duhet me zanë hapsinë ajrore shumë, me u ba hije të tjerëve me praninë tande, me fole me za t’plotë e mos me pranue kurrë se s’din, por me e dredhë kinse nënkuptove diçka tjetër. Fundja k’shtu i jan’ gjegjë përherë pvetjeve t’mija profesorat e profesoreshat. Gjithmonë jam tërhek’ ma s’tepërmi prej atyne që ishin “të çmendun”, t’falisun mbas landës s’vet, se t’pakten ata ta injektoshin pasionin e tyne n’gjak e, doshe s’doshe, diçka kishte me t’mbetë n’mend a nemose diku tjeter, n’nji vend ma instinktiv, që n’letërsi e vejnë afër me zemrën. Këta që bajnë sikur dijnë, i mashtrojsha leht’ tuj ba edhe une sikur dijsha.
Animirë, qysh se m’asht dashtë me thanë për Fishtën “shqip asht, po shqip, kjo asht gjuha juej e duhet me ia njoftë dialektet!”, kisha vendosë që kam me fole gjuhën e tyne derisa te jëm e edukume mjaftushëm që me i ba me m’ndie kur t’nisi me fole në gjuhën teme. E sot ndihem e edukume dhe e emancipume mjaftushëm për me e hedhë kët’ hap n’humnerë.
“Il contadino che parla il suo dialetto è padrone di tutta la sua realtà”
(Nga Sara Kraja, Fakulteti i Drejtësisë; Portali Shkollor)
***Sara Kraja ka botuar librin me titull “Princesha e të gjitha kohërave”
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
160278 582719I will right away grab your rss feed to remain up to date on any succeeding articles you might write 601065
630395 327169Wow What excellent info. Thank you for the time you spent on this post. 612363
216333 188195 very good post, i definitely really like this site, maintain on it 851434