Organizimi i një ore mësimi në lëndën e gjeografisë fizike në klasën e 10-të, shkëputur nga libri i mësuesit. Ju mund të shkarkoni librin e mësuesit duke klikuar në: albas.al
Fusha: Proceset natyrore dhe shoqërore
Lënda: gjeografi fizike
Shkalla: 5
Klasa: 10
Tematika: Hartografia
Tema mësimore: Hartat topografike
Situata e të nxënit: Në dy hartat e mëposhtme topografike të Shqipërisë, harta me shkallë 1:25000 duket më e qartë se ajo me shkallë 1: 50 000. Si mendoni pse ndodh kështu?
Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyç
Nxënësi/ja:
- shpreh mendimin e vet për hartën topografike;
- përdor kontrastin për të gjetur dallimet midis hartave me shkallë të ndryshme;
- ndërlidh temën e re me përvojat paraprake, duke i paraqitur në forma të ndryshme;
- bashkëvepron në mënyrë aktive për realizimin e detyrave në grup.
- Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore
Nxënësi/ja:
- shpjegon përse shërben harta topografike;
- përcakton shkallët e hartave topografike;
- klasifikon elementet për ndërtimin e një harte topografike;
- shpjegon gjendjen e hartave topografike në Shqipëri.
Fjalë kyç: Hartë topografike, Kornizë e hartës, Rrjeti i hartës, Përmbajtje e hartës.
Burimet: teksti, harta topografike me shkallë të ndryshme zvogëlimi.
Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhët dhe komunikimi, TIK, Matematikë.
Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve:
Hapi 1. Njohja paraprake me temën (Stuhi mendimi)
Hapi 2. Ndërtimi i njohurive të reja (Leksion i avancuar)
Hapi 3. Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura (Veprimtari praktike)
Organizimi i orës së mësimit
I. Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme (Stuhi mendimi)
- Mësuesi përdor situatën në fillim të mësimit dhe me një stuhi mendimi individuale, mësuesi merr ide për problemet e mëposhtme.
- Pse harta topografike me shkallë 1: 25 000 duket më e qartë se harta me shkallë 1:50 000?
- Si klasifikohen hartat në bazë të përmbajtjes?
- Pse hartat topografike klasifikohen si harta bazë?
- Pasi dëgjohen përgjigjet e nxënësve, disa prej tyre shkruhen në tabelë. Përzgjidhen përgjigjet që kanë lidhje me temën e re.
II. Ndërtimi i njohurive të reja (Leksion i avancuar)
Pjesa e parë e leksionit. Në fillim, mësuesi/ja i përgatit nxënësit për aktivitetin, duke treguar temën dheobjektivat e tij. Ai/Ajo e ndan klasën në grupe në numër çift.
Nxënësit duhet të hartojnë një listë me gjithçka që dinë rreth kësaj teme. Pas një kohe prej 4-5 minutash, mësuesi u kërkon dysheve t’ua tregojnë punën e tyre shokëve.
Mësuesi/ja shkruan në tabelë idetë e dhëna nga nxënësit dhe u tërheq atyre vëmendjen mbi problemet që trajton, të cilat vetë i kanë ilustruar më parë. Mësuesi i nxit nxënësit të flasin lirisht rreth temave të prezantuara dhe u bën shpjegimet përkatëse.
Bën pyetjet:
- Përse shërben harta topografike?
- Ku është më i lartë niveli i gjeneralizimit, në hartat me shkallë më të vogël zvogëlimi apo në ato me shkallë të madhe zvogëlimi?
Pjesa e dytë e leksionit lidhet me elementet e ndërtimit të një harte topografike.
- Cilat janë elementet e ndërtimit të një harte topografike?
- Çfarë përfaqëson korniza e hartës, rrjeti i hartës, përmbajtja e hartës?
Diskutohet 2-3 minuta në grup dhe paraqiten idetë e grupit para klasës.
Pjesa e tretë e leksionit lidhet me gjendjen e hartave topografike në Shqipëri.
Cila është gjendja e hartave topografike në Shqipërisë?
Diskutohet 2-3 minuta në grup dhe paraqiten idetë e grupit para klasës.
Mësuesi krahason idetë që kanë dhënë nxënësit nga informacionet paraprake që ata kishin me idetë që trajtohen në temën e re. Mësuesi bën shpjegimin e problemeve të paqarta, duke plotësuar edhe ndonjë informacion të ri.
III. Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura (Veprimtari praktike).
Nxënësve u paraqitet një hartë topografike, ku u tregohet korniza, rrjeti, përmbajtja dhe shkalla e hartës.
Me ndihmën e mësuesit, nxënësi/ja lexon një hartë topografike.
Vlerësimi
Nxënësi vlerësohet për punën individuale dhe atë të bashkëpunimit në grup (për dëgjimin, interpretimin, menaxhimin e emocioneve, bashkëveprimin, ndarjen e përvojës, mendimit dhe analizimin e menaxhimin të informacionit të marrë elektronikisht).
Detyrat dhe puna e pavarur
Ndërtoni një hartë të thjeshtë topografike.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.