Mësuesi që rrezatonte mirësi dhe dashuri…

Isa Mustafaj, intelektuali, prindi dhe njeriu i mirë, një edukator me vlera, duke shërbyer 45 vjet në shkolla të ndryshme të Tropojës, krejt pa pritur aksidentalisht u nda nga jeta

Data 1 shkurt 2016, për nxënësit, mësuesit, por edhe prindërit e banorët e qytetit “Bajram Curri”, një lajm tronditës u përhap me shpejtësi. Isa Mustafaj, intelektuali, prindi dhe njeriu i mirë jo vetëm i lagjes ku lindi dhe u rrit, jo vetëm si djalë i një burri dhe drejtuesi të nderuar me dekada në Tropojë, Sokol Halili, por edhe një edukator me vlera, duke shërbyer 45 vjet në shkolla të ndryshme të Tropojës, krejt pa pritur aksidentalisht u nda nga jeta.

Isa Mustafaj lindi në lagjen Kolgecaj të qytetit “Bajram Curri” më 20.09.1951, në një familje patriotike dhe me zë në Malësinë e Gjakovës. Pas mbarimit të shkollës, fillon punë si mësues në shkollën 8-vjeçare të qytetit, në vitin 1970. Dhe saga e mësimdhënies së mësues Isa Mustafajt vijon 17 vjet në “Bajram Curri”, me shkëputje,18 vjet në Shoshan, 5 vjet në Këlsyrë dhe 5 vjet në Markaj.

Mësuesi është një simbol i dijes, mirësisë dhe dashurisë. Kur themi këtë fjalë, ndiejmë dashuri, respekt, dhembshuri. Nuk mund ta përshkruajmë me fjalë se ç’emocione na mbulojnë të gjithëve kur e shqiptojmë këtë fjalë të dashur për të gjithë. E sinonim i të gjitha këtyre fjalëve për profesionin e nderuar të mësuesit i kishte Isaja.

Breza nxënësish për dekada nuk e harrojnë buzëqeshjen e mësues Isa Mustafajt, me anë të së cilës ai ishte i aftë të largonte çdo lloj frike, nëse mund ta quajmë kështu, apo droje mes mësuesit dhe nxënësit. Sytë e qeshur dhe zemra e tij e bardhë, falen gjithë atë dashuri dhe mbështetje edhe ditën e përcjelljes për në në banesën e fundit. Janë kujtime që askush nga nxënësit dhe kolegët e tij të shumtë, nuk mund t’i harrojë. Sa herë që do i marrë malli nxënësit, shokët, miqtë e shumtë për mësuesin dhe njeriun e mirë Isa, le të kujtojnë fjalët e tij të ëmbla, buzëqeshjen vëllazërore, fjalët me peshë dhe gjithçka të mirë që pati gjatë jetës së tij 65-vjeçare.

Ai rrezatonte veç mirësi dhe dashuri. Të shumtë ishin ata qytetarë, njerëz të thjeshtë, ish-nxënës, kolegë të Isasë që shprehen në rrjetet sociale dhimbjen për ikjen nga kjo botë e tij. Ja si shprehen disa nga miqtë, kolegët dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” ku ai jepte mësim:

“Me dhimbje te thellë dhe me zemër të lënduar, morëm lajmin e hidhur të vdekjes së parakohshme dhe të papritur të intelektualit, mësuesit dhe shokut e mikut të mrekullueshëm, Isa Mustafaj. Në këto çaste vërtetë të dhimbshme, duart nuk po lëvizin për të shkruar këto radhë dhimbjeje, mendja është e hallakatur dhe shpirti i brengosur për të gjithë ata nxënës që mësuan nepërmjet mësues Isasë, gjithë kolegët dhe miqtë e tij. Ngushëllime të sinqerta familjes, vëllezërve, djalit, vajzave, motrave, bashkëshortes dhe kolegëve. I përjetshëm kujtimi i Isa Mustafajt !”

“Fotografinë tënde sot po e shikojmë, mësues e nxënës të mallëngjyer po vajtojnë. Kur ne erdhëm sot në shkollë ti ishe në mesin tonë. Të gjithë ty të kemi rrethuar dhe asnjëhere nuk kemi për të lëshuar. Ti do të jesh gjithmonë me ne në tokë, apo mbi re. Në 7 Mars ne donim të të shprehnim mirënjohjen tonë, por jeta katile dhe e pabesë nuk na e lejoj këtë mundësi.”

“Dhe përsëri ne të kujtojmë e nëpër koridore e klasa të shkollës po të kërkojmë. Akoma nuk e besojmë që ti nuk je mes nesh. Nëpër kujtimet tona me varkë po lundron e për ne nuk është e lehtë, por zemra s’të harron. Orët e mësimit i kujtojmë me nostalgji, na kujtohen fjalët që ti i thoje me aq shumë dashuri.”

“Me shokun tonë të cilin nuk e harrojmë kurrë. Nga sot ai do na mungojë në shkollë, kafe, këshillin pedagogjik dhe kudo. Për jetë të kujtojmë kolegu ynë Isa Mustafaj.”

Me vdekjen e Isa Mustafajt ,familja humbi njeriun e tyre të dashur,nxënësit mësuesin e buzëqeshur, kolektivi i shkollës kolegun që do u mungojë gjithë jetën dhe banorët e qytetit “Bajram Curri” birin e tyre që u mungon që nga hapat në rrugët dhe rrugicat e lagjes, deri te buzëqeshja e përhershme në takimet e përditshme. I përjetshëm kujtimi i Isa Mustafajt!

(Nga Petrit Zeneli, drejtori i zyres arsimore; Shpend Kuca, drejtori i shkolles; Fatbardha Dizdari,  zv.drejtoresha e shkollws; Riza Lata, koleg; Gjon Neçaj, gazetar. Portali Shkollor)

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Akreditimi,Universiteti "A. Xhuvani" përmbush kriteret

Next Article

Çfarë janë emrat ambigjenë?

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427