Prindi duhet t’i dedikohet fëmijës me shpirt, të kaloj kohë cilësore me të. Ta njoh fëmijën e tij përmes bisedave, librave si dhe të luajë më të. Edhe mësuesi në shkollë duhet ta trajtoj fëmijën me dashuri që ai mos të këtë ndrojtje, të thotë atë që mendon, të mos paragjykohet.
Më lidh puna me fëmijë çdo ditë! Prej tyre mësojmë edhe ne mësuesit, gjëra të reja. Çdo ditë shoh ëndrra, shpresë, dritë në sytë e tyre të cilat na mbajnë gjallë e na mbushin shpirtin me hare! Na rrisin përkushtimin dhe dashurinë për t’u bërë “më të ditur” çdo ditë së bashku!
Shpesh dëgjoj dhe shoh disa sjellje që ja atribuojmë këtij brezi si negativë! Thënie si p.sh: Çfarë brezi janë këta?! Si po rriten këta fëmijë kështu, etj.! Mungon edukata, kultura, mirënjohja, respekti ndaj figurës më të rëndësishme në jetën e njeriut, MËSUESIT! Mbase edhe prindërit në shtëpi… Fatkeqësisht, ne, edukuesit e këtij brezi jemi fajtorët! Prindi duhet t’i dedikohet fëmijës me shpirt, të kaloj kohë cilësore me të. Ta njoh fëmijën e tij përmes bisedave, librave, të kaluarit kohë së bashku qoftë edhe duke gatuar apo pastruar.
Fëmija ka nevojë për vëmendje, për t’i ofruar siguri, dashuri, të cilën nuk mund t’ia zëvendësojnë kurrsesi lodrat e shtrenjta apo materializmat e kota. Çfarë i duhet fëmijës biçikleta apo monopatina, kur nuk ka kush t’ia mësojë! Për çfarë mund t’i duhet balona apo topi kur nuk ka me kë të mësojë si luhet me to?! Njëkohësisht edhe mësuesi në shkollë duhet ta trajtoj fëmijën me dashuri dhe ta bëjë të ndihet mirë në atë ambient, që edhe fëmija të mund të japë më të mirën e tij. Të mos ketë ndrojtje, të thotë atë që mendon, të mos paragjykohet.
Nuk mund të jenë “ata” fajtorët kurrsesi! Kështu që, sa nuk është vonë, kushtojini kohë fëmijës suaj. Kohë cilësore…Jo të rendni gjithë ditën pas parasë, qoftë edhe për të plotësuar nevojat fizike, fiziologjike, dhe të lëmë pas, në hije ato shpirtërore! Fëmija nuk është zbukurim në shtëpi apo thjesht “diçka” që duhet pasur si gjithë të tjerat! Është njeri, që në të ardhmen do bëhet dikush, që do të ndikojë në komunitetin ku do të bëjë pjesë. Dhe kjo falë jush, por jo vetëm.
Dhe ju të nderuar, që kryeni profesionin tuaj, bëjeni atë me shpirt që të frymëzoni fëmijët, të lini mbresa tek ta. Mos e humbni identitetin gjatë rrugës! Duajeni atë që bëni.
Më dhembi sot, kur një fëmijë vetëm 7 vjeç më tha: “Dëshira ime më e madhe është të kaloj kohë me prindërit e mi, një ditë të gjithë, vetëm ne të gjithë bashkë! Ata nuk kanë kurrë kohë për mua!”.
Sa shumë ka për të shkruar në këtë aspekt, por jam e bindur që kjo ngjarje e sjellë dhe e përjetuar do të shërbejë si mesazh për ata që duan të dëgjojnë…
Malvina Rista
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.