I shpërndava me kujdes pajisjet për projektin që do të krijonim atë ditë. Një copë letre, një pjesë e prerë për t’u ngjitur dhe disa udhëzime u vendosën në tavolinën e secilit nxënës. Ishte e pamundur të mos buzëqeshja kur shikoja klasën time të gatshme, disa minuta para se nxënësit e mi të futeshin në derën e hapur. Isha shumë e emocionuar kur pashë se çfarë kreativiteti do të përdornin në mësimin e sotëm; ata kishin punuar kaq shumë në këtë njësi dhe duke i parë të përdornin njohuritë e tyre të reja në një projekt krijues ishte diçka që çdo mësimdhënës mund ta shijonte.
“Kjo është ajo”, mendova. “Kjo është pikërisht ajo që unë supozohet të bëj.”
Unë e adhuroj mësimdhënien. Më pëlqen të di se isha pjesë e udhëtimit të nxënësve – që i ndihmova të mësonin diçka të dobishme, ose që i inkurajova të eksploronin krijimtarinë e tyre dhe të bëheshin personi që duhej të ishin.
E adhuroj mësimdhënien – por ndonjëherë (në rregull, shumë herë), nuk ndihem sikur po jap mësim. Ndihem më shumë sikur po menaxhoj, po dokumentoj. Po bëj një shfaqje në të cilën nuk kam dashur kurrë të jem pjesë. Ose sikur po mbijetoj, kur shpesh më duket sikur po mbytem.
Pasi përgatita detyrën për atë ditë, mezi prisja të ndaja udhëzimet dhe të rishikoja atë që kishin mësuar edhe një herë përpara se t’u jepja timonin nxënësve të mi. Megjithatë, shumë nga ky planifikim nuk ndodhi.
Një zë erdhi nga altoparlanti.
“Mirëmëngjes. Dy vizitorë po ju presin në zyrë.” Pavarësisht nga përpjekjet e mia më të mira për të qetësuar shpejt shqetësimin e prindërve të Elliotit për notat e djalit të tyre, m’u desh të sistemoja një mësues tjetër që do të mbikëqyrte nxënësit e mi të hyjnë në klasën time. Aty shkon plani për t’i përshëndetur në derë dhe për të vendosur rendin e ditës. Në momentin që kthehem në klasë, nxënësit e mi e kanë shqyrtuar tashmë detyrën dhe kanë 34746924 pyetje.
“Gjithçka është në rregull. Orën tjetër do ta menaxhoj më mirë kohën time”, mendoj me vete. Një vizitor tjetër më takoi në derën e klasës sime në fillim të orës së dytë. “Mos harro se po presim shënimet e tua”, më kujtoi kolegu im mësues. Oh jo. Si mund të kisha harruar? Do të më duhej t’i kushtoja orën tjetër regjistrimeve të detajuara me shkrim se përse nxënësit në klasën time kishin probleme me notat e tyre. Ndonjëherë ndihem sikur jam duke u ndëshkuar që u kam dhënë nxënësve të mi notën që meritojnë.
Nuk mund të duroja më. “Lexoni udhëzimet dhe filloni”, thuajse u ulëriva nxënësve të mi që nuk e meritonin. Zhgënjimi im po përhapej mbi ta. Fillova ta fajësoj veten për harresën. “Uh, duhet të jem më e mirë në menaxhimin e kohës”, i them vetes. E vërteta, megjithatë, ishte se orët e mia të planifikimit ishin mbushur në maksimum gjatë gjithë javës me dokumente të tjera. Më dukej sikur kisha plotësuar kaq shumë dokumente të shkruara. Ndjeva sikur klasa ime dukej më së miri në letër…por jo në zemrën time si mësuese.
Doja t’i refuzoja të gjithë. “Jo faleminderit, jam e zënë duke u shpjeguar nxënësve të mi”, do të thosha në takimet që krijova në mendjen time. Unë fantazoja të qëndroja në këmbë ndaj administratës. Kam fantazuar duke hedhur dokumentet e mia në koshin e plehrave dhe duke u vënë zjarrin.
Unë thjesht dua të jap mësim. Nuk dua të shuaj zjarret gjithë ditën me prindërit. Dua të heq dorë nga një grumbull i pafund dokumentesh. Unë nuk dua t’u jap nxënësve punë sa për t’i mbajtur të zënë në mënyrë që unë të mbaroj gjërat e mia dhe të largohem nga puna në orarin e caktuar.
Unë thjesht dua të jap mësim –
por ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është se
unë jap mësim çdo ditë e më pak.
Nga Whitney Ballard
Era Baliu
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.