“Le të bindemi një herë e përgjithmonë se edukimi dhe arsimimi s’janë dhe s’duhet të jenë të kufizuar vetëm në një proces disa vjeçar, pasi kërkimi i diturisë është një obligim jetësor”, mesazhe nga mësuesi Evans Drishti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit.
Të shkosh në çerdhe… në kopësht … në fillore… në 9-vjeçare … në të mesmen…
Më pas të vijosh arsimin e lartë…
Janë hapat standartë dhe tradicionalë që ndërmerr çdo qënie njerëzore, kudo të ndodhet, pasi individi lind si një fletë e bardhë, e cila natyrshëm pret të plotësohet me rritjen dhe zhvillimin e tij me hapa të sigurtë. Po ja që arsimimi s’mbaron me kaq!… S’mjafton vetëm edukimi që merr njeriu që në gjirin e familjes!… S’mjafton arsimimi dhe edukimi vetëm me librat që mësohen në shkollë!… Përkundrazi!..
24 Janar 2022
Kalendari shënon një ditë të Hënë dhe për të gjithë të interesuarit, risjellim në vëmëndje një ditë përkujtimore që shënon “Ditën e arsimit”…
Teksa i kthehemi të shkuarës sonë, mund të kuptojmë qartë se kishte me qindra figura të rëndësishme që nuk u mjaftuan vetëm me një “arsimim standart” si një normativë shoqërore, përkundrazi, ia vunë vetes për detyrë dhe obligim që ta zhvillojnë veten në mënyrë të gjithanshme në shkenca të shumta natyrore apo shoqërore, duke kapërcyer akoma më tej, duke kultivuar pasionet dhe aftësitë përkatëse në shumë fusha të jetës.
Nuk u mjaftuan të ngeleshin vetëm një matematikan, një fizikant, një letrar, një biolog, një kimist, një historian, një gjeograf .,.. por përqafuan edhe shkenca të tjera duke u bërë edhe një filozof, një sociolog, një psikolog… madje duke shkuar edhe më tej, duke njohur akoma më mirë historinë e vendit të tyre dhe kulturën e vëndeve të ndryshme… Ata përqafuan gjithashtu mjeksinë, astronominë, arkitekturën, zoologjinë, astrologjinë, shkencat humane …
Mbi të gjitha shohim se emërues i përbashkët i tyre ishte atdhetarizmi duke bërë përpjekje të shumta që të jepnin kontribute të vyera në çështjen kombëtare, si pjesëmarrës në shumë nisma që në fokus kishin rimëkëmbjen e vlerave kombëtare.
Në realitetin e sotëm ku u bënë tashmë dy vite që përballemi me njërën prej sfidave më të forta të historisë njerëzore, siç është edhe lufta me Covid – 19, çështja e formimit individual, e rritjes dhe ngritjes së nivelit arsimor dhe për rrjedhojë atij intelektual mbart një peshë shumë më të madhe se kurrë më parë.
Në realitetin e sotëm, ku përballëmi me një zhvillim marramendës dhe të hovshëm të teknologjisë, ku larmia lëndore sa vjen e rritet, ku informacioni për çdo fushë të jetës të mbërthen në çdo qelizë mendore dhe ideore, ku shumëllojshmëria e librave të tematikave të larmishme tërheq vëmëndjen intelektuale duke trazuar shpirtin me rrëfenja dhe fenomene të pakufizueshme në oazin e përditshmërisë, ku enciklopedia jetësore shpaloset me të gjitha dimensionet e saj … njeriu s’mund të qëndrojë “indiferent” dhe “i paprekshëm” …
S’mund të ngelemi të kufizuar vetëm në “rrugëtimin standart” të arsimit bazë, natyrshëm standartet e jetës vijnë të ndryshueshme, pasi konceptet bazë të jetës thellohen akoma më shumë…
Detyrohemi sot të bëhemi më shumë se një arsimtar
Detyrohemi sot të bëhemi më shumë se një mjek
Detyrohemi sot të bëhemi më shumë se një inxhinier
Detyrohemi sot të bëhemi më shumë se një sportist
Detyrohemi sot të bëhemi më shumë se një politikan
Detyrohemi sot të bëhemi më shumë se “një njeri”
Dhe për të qenë “njeriu i arsimuar dhe bashkëkohor” patjetër që s’mund të lëmë mënjanë “shkrimin” dhe “leximin” si dy armët qëndrore dhe themelore jo vetëm të zhvillimit intelektual, por edhe të zhvillimit të një shoqërie të shëndetshme.
Sot e kemi për detyrim të shkruajmë historinë tonë individiuale, familjare dhe shoqërore, të hedhim themele të sigurta të rritjes dhe zhvillimit intelektual duke mos e kufizuar veten vetëm në arsimin që kemi marrë, por duke u zgjeruar akoma më shumë prirjet dhe aftësitë tona në mënyrë që të dijmë dhe të kuptojmë se çndodh përreth nesh dhe ç’politika kurdisen në emrin tonë dhe të shoqërisë ku jetojmë.
Le të mos mjaftohemi vetëm me “bagazhin” që ofrojnë rrjetet sociale për t’u informuar rreth “të vërtetave” të realitetit…
Le të mos mjaftohemi vetëm me “disa vjeçarin” shkollor për të kuptuar se dijmë të bëjmë diçka në jetë…
Është koha “të guxojmë” për t’u bërë arsimtari që shkon përtej një orë mësimore, mjeku që shkon përtej një vizite mjeksore, inxhinieri që shkon përtej ndërtimit të një objekti, arkitekti që shkon përtej një strukturimi planor, sportisti që shkon përtej një loje, piktori që shkon përtej një kuadri pikture, mjeshtri që shkon përtej një punimi, kopshtari që shkon përtej një përkujdesjeje ndaj lulishtes, shkrimtari që shkon përtej një shkrimi artistik, kuzhinieri që shkon përtej një gatimi…
Le të bindemi një herë e përgjithmonë se edukimi dhe arsimimi s’janë dhe s’duhet të jenë të kufizuar vetëm në një proces disa vjeçar, pasi kërkimi i diturisë është një obligim jetësor.
Evans Drishti
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.