Unë e dëgjova nënën kur të tha:
-Ik, ik tani se nuk e ka mendjen. Më beso e dëgjova, po vërtetë që nuk e kisha mendjen. Po luaja me Sponçin që tani e mora shumë, shumë inat. Ti mami duhet të kesh këpucët magjike të Supermenit, sepse unë nuk të ndjeva fare kur ike. Po prandaj je Supermami tiiiii… Ama kur Sponçit nuk ia shkula dot atë dhëmbin e shëmtuar se e kishte të shtrënguar fort te buza, atëherë u kujtova që kisha 3 minuta pa të dëgjuar zërin. Hodha sytë rreth e rrotull, po..ooo ku është mami im? Ku më humbi mami im? Ç’u bë mami? Mamiiiiiiii
-Po çfarë ke o shpirti nënës?
Po kjo nëna bën sikur nuk kupton ëëëë? Ëëëëëë, aaaaaaa, uaaa…. Unë kam shumë frikë…Mami im u zhduk. Jo nuk e besoj nënën që më thotë se ka shkuar të më blejë çokollata, as që ka shkuar të më sjellë një Sponç gjigant më të madh se sa ai i Erlit. Jo, nuk e besoj më nënën, nuk e besoj më….ëëëëëëëëëë… Kam qarë dy orë, kam qarë… E pe si më ishin bërë syçkat kur m’i puthe? Si pufkat që bën nëna për mëngjes më ishin bërë. Ëëë, mami keqe…jo, jo se bëj shaka, je mami më e mirë në botë…. Po tani që ti je këtu me mua, dua të t’i them dy fjalë:
Kur të ikësh, gjithmonë, po gjithmonë ama, më puç e më thuaj: “do të vi përsëri”. E di, e di që ti ke frikë mos ia plas të qarit…Tani..që të them të vërtetën, unë…do qaj. Po ama, për fare pak minuta, sepse ti do më thuash që do të kthehesh përsëri. Unë të besoj ty. Ti mami e mban fjalën, jo si nëna që më gënjen….Mami, ti vetë thua që të gënjesh është gabim shumë i madh…epo thuaja edhe nënës këtë, se ajo më gënjen shpesh….
Babi më thotë që kur të rritem nuk do të të kap më për dore…dhe babi i di të gjitha gjërat. Unë të kam dhënë fjalën që vitin tjetër nuk do të ta mbaj më dorën në rrugë..dhe dëgjo një sekret, nesër nuk do qaj më kaq shumë sa sot. Për të qarë do qaj, nuk të gënjej, po më pak ama….
Unë u tremba kur nuk të pashë te dhoma dje. Kujtova se ishe zhdukur përsëri, por kur dole nga dushi me babin duke qeshur të dy, oooo sa u gëzovaaa. Unë e di që babit i pëlqejnë kicat e mia kur qesh, prandaj e hapa aq shumë gojën duke qeshur….Pastaj u mërzita kur më the që do të shkoje te marketi të më blije ëëëmmm nutela..Ama, ti e mbajte fjalën dhe nuk u vonove, ma solle nutelën.
E di përse nuk u ndjeva as kur ike në mëngjes në punë? Se ti mami buzëqesh kaq bukur sa mua më ikën loti, nuk më vjen te syri. Se po të zhdukeshe prej vërteti, ti nuk do të buzëqeshje aq bukur. Ndonjëherë unë do mërzitem shumë fare, sepse e kam kuptuar: kur ti më thua më duhet të dal, ti del dhe pikë. Por kur kthehesh ama, është kaq bukur! Unë të hidhem në krahë dhe se nga të shpërthen një aromë aq e mirë, sa më vjen të fle gjumë aty në krahët e tua.
Kështu pra mami, kam shumë inat kur nëna të thotë: -Ik tani se nuk e ka mendjen. Të lutem, më thuaj “mirëupafshim” kur të ikësh në punë apo për të blerë nutela. Të jap fjalën se edhe unë do të të them gjithmonë “mirëupafshim” kur të rritem. Prit të të puç një çikë tani.
(Nga: Natasha Shuteriqi Poroçani)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.