Kur ne “falim”, në vend që të “ndiejmë”

Para ca kohësh nisa të lexoja një roman, i cili fitoi një çmim mjaft të rëndësishëm në vendin tonë. Përveç kënaqësisë që prisja të merrja nga ai, si roman fitues i këtij çmimi, prisja të merrja edhe kënaqësinë gjuhësore, pra të gjeja në të përdorimin e një gjuhe të saktë dhe pa gabime drejtshkrimore dhe gramatikore.

Por …sapo hapa faqen e parë, personazhi kryesor “ndjente”, pra falte, në vend që të “ndiente”, ashtu siç nënkuptohej nga konteksti … Fatkeqësisht, nuk ishte hera e parë, por hera e panumërt që e hasja këtë gjë. Madje nuk mbahej mend kur e kisha hasur saktë përdorimin e këtyre foljeve në një libër artistik, por edhe në shumë libra të tjerë joartistikë, për të mos përmendur përdorimin e tyre nga media. 

Për të panumërtën herë më lindi pyetja: pse është kaq e vështirë për t’i shkruar dhe për t’i përdorur saktë këto dy folje dhe për të mos i ngatërruar me njëra-tjetrën, kur mjafton të hapësh një fjalor të gjuhës shqipe dhe të gjesh aty kuptimet e sakta të tyre?

Por, si mund t’i përdorim saktë këto dy folje, që janë krejt të ndryshme nga ana kuptimore? Atëherë, këtu dallimin nuk e bën vetëm zëvendësimi i “j”-së me “i”-në, por kuptimi i tyre.

Ja kuptimi i këtyre dy foljeve, i shkëputur nga fjalori: 

1.   NDIEJ kal. – I. Kap me anë të shqisave ngacmimet dhe dukuritë e botës së jashtme; ndijoj. Ndiej zërin (shijen, erën). Ndien të ftohtët…

II.Provoj në të gjithë trupin ose në një pjesë të tij një gjendje fizike të caktuar. Ndiej dhembje. Ndiej të ftohtë. Ndien lodhje (këputje, rraskapitje). S’i ndiej gjunjët (kurrizin) nga lodhja. E ndiej veten mirë (keq) etj.

III. Provoj një ndjenjë a një gjendje shpirtërore. Ndiej kënaqësi (mërzi, bezdi). Ndien gëzim (hidhërim, pezmatim). Ndien një dëshirë. Ndiente frikë. Ndien neveri (krupë). Nuk ndien asgjë për të nuk e do, nuk e dashuron.

2. NDJEJ kal. – I fal me dashamirësi një faj a një gabim dikujt. I ndjej fajin. Më ndjeni! Më falni! E ndjeu Zoti.

Pra, për të mos i ngatërruar me njëra-tjetrën, në raste të caktuara, duhet të dimë se: a) folja “ndjej” ka një përdorim shumë të vogël, krahasuar me foljen “ndiej”; b) folja “ndiej” vetëm në të kryerën e thjeshtë të dëftores dhe të tashmen e dëshirores merr “j”: unë ndjeva; unë ndjefsha, kurse në të gjitha mënyrat e tjera dhe kohët e tyre del me i”.

(Nga Sevi (Lami) Agolli)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Stina e vjeshtës

Next Article

Pijet që ushqejnë trurin dhe rrisin përqendrimin

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427