Albana Tare kujton me nostalgji vitet e kaluara në ish-Normalen e Elbasanit si ish-nxënëse dhe mësuese. Në 110 vjetorin e pedagogjikes, tashmë me emrin shkolla “Luigj Gurakuqi”, metodistja dhe trajnerja në edukim ndan një dedikim për këtë rast.
Na ish dikur, me emrin pedagogjike “Luigj Gurakuqi”. E sot, vetëm “Luigj Gurakuqi”. Por, përsëri e njëjta. E njëjta e famshme e nderuar! 4 përvjetorë me TY pedagogjike! 4 përvjetorë jubilare radhazi! E përkthyer në 30 vite rresht me TY!
Vërtetë e quaj veten bijën tënde, e si bijë, e ndiej se më takon të të uroj për këtë 110 vjetorin tënd! Të uroj, edhe pse jo me emrin tënd të parë, jo më me siglën tënde të dikurshme, por me të njëjtën dashuri dhe respekt për ty pedagogjike e famshme!
Në 1989 isha një ndër shumë nxënëset e tua, të cilat falë teje dhe mësuesve elitë, që ti mbaje përfshirë në gjoksin tënd, vinim tek ti me dëshirën e madhe për tu bërë shpërndarës të dritës e diturisë. Aty festuam bukur festën tënde, në përvjetorin tënd të 80-të, PEDAGOGJIKJA JONË E FAMSHME!
Nuk mund të rri pa përmendur këtu, mësuesit e mrekullueshëm që mbaje në gjirin tënd aso kohe, me dashuri, pedagogjikja jonë! Kujtoj me respekt e shumë dashuri, mësuesen time idhull, të cilës përpiqem çdo ditë t’i ngjaj, që dha aq shumë me modelin e saj të metodistes SHPRESA DEDEJ!
Kujtoj mësuesin e mrekullueshëm, metodistin, mësuesin vërtetë të merituar, GENC TRËNDAFILIN, i cili me përkushtim u përkujdes për muzeun tënd, që asgjë jotja të mos humbte, por të dokumentohej e plotë.
E kujtoj edhe mësues të tjerë, nga modeli i të cilëve, morëm shumë, ne mësuesit dhe kolegët e tyre pasardhës, e që falë tyre, jemi sot këto që jemi: Edmond Manushi, Miriam Myftiu, Danjel Karanxha, Vjollca Spaho, Bleta Dervina, Natale Xhufka, etj etj.
Pafund mësues, të cilët më pas me shumë fat, i pata kolegë dhe mora shumë edhe nga përvoja e tyre, jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si kolege metodiste të shkëlqyer.
Në 1990 pata fatin e dytë në jetë, të jem përsëri pranë teje në përvjetorin tënd të 90-të, por këtë herë me krenarinë e të qenit edhe unë, një nga ato mësuesit e tu, që nuk u lodhëm kurrë së përmenduri e foluri për TY!
Në 2009 fati përsëri ishte me mua, për të qenë përsëri aty, në përvjetorin e100, ku madhërishëm festuam për TY pedagogjike!
Ishte përvjetori jubilar i fundit që festuam me emrin tënd të vërtetë! Fat dhe kënaqësi për këdo që të ishte pranë atë jubile!
Nuk rri dot pa e përmendur përsëri këtu, profesorin dhe metodistin e madh, “Mësuesin e Merituar”, të ndierin profesor Genc Trëndafili, i cili me kujdesin e një prindi për fëmijën e tij, u kujdes që në muzeun tënd me vlerë kombëtare të mos mungonte asnjë dokument i vlefshëm për historikun tënd!
Madje, si ish mësuesi im dhe i shumë ish-nxënësve të tjerë të tutë, u kujdes fort që në almanakun e 100 vjetorit tënd të dokumentoheshin shumë libra të botuar nga ish-nxënës ekselentë të tutë, pedagogjike.
Krenare që isha pjesë e atyre festimeve….
Krenare që edhe libra, botuar nga unë, ndodhen në atë almanak si dhe në muze pranë librave të rëndësishëm të mendimit pedagogjik kombëtar.
Por më shumë krenari ndiej që, “universiteti” im i parë ishe TI me njohuritë, përvojat dhe mësuesit e tu!
E sivjet….
Pikërisht në dhjetor 2019…jam përsëri me TY pedagogjikja jonë, krenaria jo vetëm e qytetit tonë, por edhe e kombit tonë!
Krenari e gjithë mendimit pedagogjik kombëtar shqiptar. Por aq sa krenare më bën ky fakt pjesëmarrjeje në përvjetorin tënd të 110, e në të katërtin rresht për mua me ty, aq keqardhje ndiej që emri yt nuk është më i njëjti!
Ti nuk quhesh më pedagogjike, por ama je po ajo, po ajo krenari, po ajo dashuri, po ai përkushtim dhe preokupim për të dhënë më të mirën për brezat që studiojnë tek Ti, me mësuesit e mrekullueshëm që kontribuojnë çdo ditë për Ty pedagogjikja ime.
Pedagogjikja e arsimit mbarëkombëtar!
Pedagogjikja e elbasanasve arsimdashës e të kulturuar!
Pedagogjikja e pedagogjikes, që me përfaqësimin tënd je jo vetëm një SIMBOL KOMBËTAR...por një simbol që brenda gjirit tënd pate edhe një staf pedagogjik ELITË në vite e vite. Me një staf, një pjesë të të cilëve e përgatite vetë, pedagogjike!
Sido që të jetë emri yt në letra e dokumente, ti do të jesh gjithmonë, shkolla PEDAGOGJIKE “Luigj Gurakuqi” !
Emër ky i drejtorit tënd të parë!
Pedagogjikja e famshme e Elbasanit dhe e mbarë shqiptarisë, që do të dish ta mbash gjithmonë mbi vete krenarinë e thjeshtësinë e të qenurit e tillë. Shkolla ku mësonin dhe përgatiteshin elitat dhe mësuesit elitë!
Rrugëtimi dhe e shkuara jote PEDAGOGJIKE, bën çdo shqiptar që vërtetë tà di vlerën, të thërrasë fort me krenari për TY!
Për Ty “universiteti” i parë i shqiptarisë!
E unë që pata fatin e madh të marr nga ti jo vetëm përvojë si nxënëse, por edhe si mësuesja jote në një periudhë plot 30-vjeçare, më bën që të thërras me modesti e krenari se jam bija jote, kurse TI…Universiteti im i parë!
GËZUAR PRA KËTË PËRVJETORIN TËND JUBILAR TË 110 !
Mos u harrofsh kurrë në jetë të jetëve, pedagogjikja jonë!
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.