Kam dyshuar nëse të gjitha festat e shënuara me të kuqe në kalendarin zyrtar festohen. Kur them festohen e kam fjalën për një festë të vërtetë, atë festë që depërton brenda shpirtit dhe të bën të ndiesh lumturi. Por sot, në “8 Mars”, në festën e nënës nuk e kam këtë dyshim, madje mendoj që një ditë për nënat është pak. Një nënë meriton që çdo ditë ta ketë festë, që çdo ditë të dëgjojë fjalë që burojnë nga zemra, fjalë nga fëmijët që janë shpirti i shpirtit të tyre.
Portali Shkollor nëpërmjet vargjeve të shkruara nga fëmijët në Kosovë dhe Shqipëri uron të gjitha nënat: Gëzuar “8 Marsin”!
Në foto ju po shikoni Eljan. Ajo është 5 vjeçe dhe ka përgatitur një dhuratë për mami Jonën. Në kopësht me ndihmën e edukatoreve Elja ka realizuar një dhuratë të veçantë. Elja i tha mamit: “Mami të dua shumë, gëzuar festën tënde”. Pasi i uroi “8 Marsin”, Elja i dhuroi një puthje magjike mamit të saj.
Më poshtë ju sjellim 2 krijime nga 2 nxënës nga Kosova. Krijimet i kushtohen nënës në festën e “8 Marsit”
Për ty nëna ime
Pa ty do të isha i humbur, bota do të më shikonte me një sy tjetër.
Jam djali yt, por ndonjëherë nuk sillem si i tillë. Edhe ti i ke problemet tua, por nuk mundem të pajtohem me faktin se ti je larg. Ke kaluar shumë gjëra jo të mira e shumë prej tyre u përkeqësuan për shkakun tim, a kështu mendoj unë, por ti rrije pranë meje. Më bëre të ndihem i veçantë edhe pse nuk jam i tillë. Kur kisha edhe dorën e më vonë edhe këmbën, ti m’i zëvendësove ato me të tuat. Më ushqeve kur vetë ishe e uritur, më mbajte kur vetë ishe e lodhur, e rraskapitur, pikëllimin ma zëvendësove me gëzim. Me mësove si ta mposht frikën dhe si ta luftoj padrejtësinë . Me mësove edhe ndenjën e dashurisë. Kalova 14 vite me ty dhe me duken pak, ndërsa kalova një dite pa ty dhe m’u duk shumë.
Po ta dija çfarë dëshiron do ta bëja të mundur për ty, ama e di se ti nuk dëshiron asgjë me shumë se sa të më shohësh mua të lumtur.
Nga: Ed Avdullahu VIII/1
Nxënëse e shkollës fillore “Xheladin Gashi – Plaku”, Komoran
Për ty…
Isha 2-vjeçare kur ti u largove nga unë nënë, isha vetëm një bebe e cila nuk kupton asgjë nga jeta. Nënë ishim të ndara fizikisht, por jemi të lidhura me zemër, rrënjët ishin dhe do të jenë të lëshuara thellë në zemër. Shiheshim ndonjëherë, por nuk na mjaftonte ajo kohë, kishim shumë mall për njëra-tjetrën dhe ky mall s’do të shuhet kurrë deri sa një ditë do të jemi bashkë. Kaluan vite unë u rrita dhe kuptova çdo gjë, ti kishe marrë drejtimin e jetës tënde, por pa më lëshuar mua dorën, isha me ty në çdo moment, ma tregoje historinë e jetës tënde, më brente në zemër dhe nuk mund ta ngritja kokën lart kur isha me ty sepse nuk doja t’i shihja sytë të përlotur. Me vonë e kuptova që për të dyja kishte qenë më e mirë. Duke u rritur i kuptova disa gjëra, por unë ende jam e re dhe jeta do më sjell shumë e shumë gjera të tjera të kuptoj. Tani nuk jam e lumtur aq sa duhet sepse shpesh herë më mungon përqafimi yt, më mungon aroma që më bënte të ndihem si një bletë që shëtit të gjitha lulet. Pa praninë tënde nënë unë pothuajse po ndihem sikur një zog i cili është i mbyllur në kafaz, por shpresa nuk do më shuhet asnjëherë, që shumë shpejtë do të jemi bashkë dhe do të ndihem njeriu më i lumtur, do të ndihem një zog i lirë duke fluturuar në gjithë botën. Të faleminderit që ekziston në jetën time dhe që të kam pranë në çdo sfidë të jetës sime.
Nga: Delfina Gashi Vlll3
Nxënëse e shkollës fillore “Xheladin Gashi – Plaku”, Komoran
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.