Prej më shumë se 40 vitesh, reformat arsimore janë fokusuar në një autonomi më të madhe për shkollën, me anë të një sërë veprimesh institucionale, në përpjekje për të rritur nivelin e performancës. (Whitty, 1997; Carnoy, 2000; Clark, 2009; Machin and Vernoit, 2011).
Shkollat, gjithnjë e më shumë, kanë qenë përgjegjëse për kurrikulat dhe vendimet mbi praktikat e mësimdhënies, si edhe për menaxhimin e financave, burimeve materiale dhe të stafit.
Ndryshimet më pozitive globale në fushën e edukimit janë reflektuar edhe në reformat e ndërmara në Shqipëri, veçanërisht për përgjegjësitë menaxheriale që u janë deleguar drejtorëve të shkollave dhe mësuesve ose drejtuesve të departamenteve.
Vëmendja e drejtuesve të shkollave në Shqipëri, në përgjithësi, përqendrohet në njohjen e legjislacionit, në ndërgjegjësimin e trupës së mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e ligjeve, si dhe në ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit konkret të ligjit të arsimit parauniversitar.
Pavarësisht harmonizimit në tërheqjen e mendimit të levave të tjera që funksionojnë në shkollë si Qeveria e nxënësve, Këshilli i prindërve, Bordi i shkollës dhe komuniteti rreth saj, të shumtë janë edhe ata drejtorë shkollash që brenda sistemit ndihen të motivuar të promovojnë të gjithë shembujt pozitivë në shkollë dhe jashtë saj.
Mirëmbajtja e shkollave, mjediseve të tyre si dhe pasurimi i bazës materiale bëhet kryesisht nga Drejtoria mbështetëse e arsimit në rreth, megjithatë drejtuesi i shkollës luan një rol thelbësor në tërheqjen komunitetit të prindërve, të cilët, sipas mundësisë, mund të kontribuojnë në këtë drejtim.
Shumica e nxënësve kontribuojnë vetë për pasurimin e bazës materiale në kuadrin e realizimit praktik të projekteve mësimore e shkollore, siç mund të jetë pasurimi i bibliotekës së shkollës apo krijimi i një mejdisi të gjelbër brenda dhe jashtë saj.
Organet lokale mund të ndërhyjnë në masën 100% si në drejtim të rimbursimit të teksteve ashtu dhe në bursat për shtresat në nevojë, por në raste specifike, me iniciativën e drejtorit/drejtoreshës, shumë shkolla kanë arritur vetë të ndihmojnë nxënësit në nevojë.
Drejtoria e shkollës në mënyrë të vazhdueshme, por dhe periodike, i bën të njohura problematikat te bordi i shkollës dhe ka shumë raste kur anëtarët e bordit kanë marrë përsipër të zgjidhin probleme të veçanta duke aktivizuar edhe prindërit e nxënësve e duke siguruar donacione të ndryshme për mbarëvajtjen e shkollës.
Raporti mësues-nxënës në shkollat tona, shpesh, nuk i favorizon mësuesit të jenë pranë nxënësve në të gjithë procesin mësimor-edukativ dhe aktivitetet që zhvillohen në shkollë, ndaj roli i një drejtori të përkushtuar mund të jetë kyçi që nxënësit të jenë më krijues e më të interesuar për problemet mbarëshoqërore, duke marrë përgjegjësi konkrete dhe duke thënë pa frikë mendimin e tyre kritik.
Deri më sot, roli institucional i drejtorit të shkollës ka qenë mbikqyrja e programit edukativ dhe etikës së institucionit, përcaktimi i vizionit dhe drejtimit akademik të institucioni, rekomandimi i masave për përdorim efektiv dhe efikas të burimeve njerëzore dhe financiare, aprovimi i të ardhurave për mirëmbajtjen e institucionit, pjesëmarrja në procedurat e emërimit dhe largimit të përsonelit nga puna etj.
Por drejtori/drejtoresha e shkollës luan edhe një rol të rëndësishëm social, përveç atij institucional. Një drejtor i mirë i bën nxënësit të hyjnë lirshëm në shkollë me mendimin e qartë se janë aty për të zhvilluar personalitetin, aftësitë dhe talentin e tyre. Njëdrejtor/drejtoreshë e mirë e bën mësuesin të ndihet bashkëpunëtor dhe të realizojë objektivat reale për një formim sa më cilësor të nxënësit.
(Albina Hoxhaj)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.