Risjellim në vëmendje masat higjeno-sanitare për parandalimin e përhapjes së infeksioneve respiratore aukte përfshirë dhe COVID-19 që duhet të marrin institucionet parashkollore, kopshtet dhe çerdhet dhe institucionet e tjera arsimore.
Institucionet ministrore të shëndetit publik të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, kanë urdhëruar tashmë institucionet arsimore mbi masat e shtuara që duhet të marrin për parandalimin e përhapjes së infeksioneve respiratore aukte përfshirë dhe COVID-19. Ne ju sjellim rekomandimet përkatëse për t’i pasur në vëmendje.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë:
1. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me strukturat e varësisë të bashkërendojnë punën me strukturat e institucioneve parashkollore, institucionet e tjera arsimore dhe strukturat përgjegjëse për kopshtet dhe çerdhet në njësitë e qeverisjes vendore për marrjen e masave të mëposhtme:
- Sigurimin e kushteve dhe artikujve higjeno-sanitare në mjediset e institucioneve parashkollore dhe institucionet e tjera arsimore duke përdorur solucionet pastruese dhe dezinfektuese përkatëse.
- Sigurimin e higjienës personale për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe studentët që frekuentojnë këto institucione, sipas udhëzimeve të ISHP, bashkëlidhur këtij urdhri.
- Sigurimin e higjienës personale për personelin arsimor dhe mbështetës që shërben në këto institucione.
- Edukimin e vazhduar të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në lidhje me masat e higjienës personale, sipas rekomandimeve të ISHP bashkëlidhur këtij urdhri.
2. Personeli shëndetësor në institucionet parashkollore dhe ato arsimore të kërkojë nga drejtuesit e institucionit arsimor, të paraqesin numrin total të mungesave në frekuentim për arsye shëndetësore.
3. Ngarkohen për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe ISHP, institucionet parashkollore, institucionet e tjera arsimore dhe strukturat përgjegjëse për kopshtet dhe çerdhet e qeverisjes vendore.
MAShTI e Kosovës kërkon nga DKA-të dhe shkollat masa të shtuara parandaluese rreth coronavirusit
Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit. MAShTI, po ashtu, përmes Drejtorive Komunale të Arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites, t’i kushtohet rritjes së vetëdijesimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla. Po ashtu, MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare.
Mënyra e kryerjes së higjienës së duarve rekomanduar nga ISHP
- Përdorni dezinfektatin e duarve për një higjienë më të mirë!
- Lani duart kur janë të ndotura në mënyrë të dukshme!
- Kohëzgjatja e procedurës zgjat 20-30 sekonda.
- Hidhni solucionin dezinfektant në pëllëmbën e dorës dhe përhapeni atë në të gjithë sipërfaqen.
- Fërkoni pëllëmbët e duarve me njëra-tjetrën.
- Fërkoni pjesët palmare të të dyja duarve dhe kryqëzoni sërish gishtat.
- Kapni duart me njëra-tjetrën nëpërmjet gishtave të kundërt me njëri-tjetrin.
- Fërkoni me njërën dorë gishtin e madh të dorës tjetër duke e fërkuar në mënyrë rrethore, dhe përsëriteni veprimin në dorën tjetër.
- Fërkoni në mënyrë rrethore me gishtat e njërës dorë pjesën palmare të dorës tjetër dhe përsëriteni të njëjtin veprim me dorën tjetër.
- Kur duart janë të thara, ato janë të sigurta.
Kur duhet të përdoret larja me sapun e duarve?
Lani duart kur ato janë në mënyrë të dukshme të ndotura-në të kundërt përdorni dezinfektantin e duarve!
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.