E keni parë veshur me kostumin serioz në edicionet e lajmeve në News24, e keni parë në emisione duke folur për çështje e tematika të ndryshme, e keni parë në intervista në revista dhe gazeta, por për Portalin Shkollor Bledian Koka vjen ndryshe.
Ai tregon për fëmijërinë e tij, takimin me mësuesen e klasës së parë… dhe një mesazh për të gjithë të rinjtë.
Si ishte Bledi fëmijë, i prapë, i urtë…?
Hahahah, s’më kishin pyetur kurrë për këtë pjesë. Se di, mami thotë që në çamarrokllëkun tim të fshehur kam qenë një fëmijë i urtë krahasuar me kushërinjtë e mi. Unë do ta konsideroja veten si një fëmijë ëndërrimtar me këmbë në tokë. Pra me dëshirën për të bërë dhe provuar gjëra në kuriozitetin e një fëmije, por çuditërisht me një vetëdije të imponuar ka prindi përkatës se çfarë ishte e mirë dhe çfarë e gabuar. Një vetëdije që më shoqëron edhe sot.
Si ishte takimi juaj me mësuesen e klasës së parë?
Aaaaa, ishte majft interesante, quhej Xhuljeta Ago, ishte fantastike megjithëse pothuajse nuk ia kujtoj imazhin. Por e mbaj mend që ishte mësuesja tipike e re dhe e dashur. Fatkeqësisht iku pas një viti dhe ajo që erdhi pas saj ishte një idiote psikopate. Njëherë pasi më akuzoi se kisha shkarravitur bankën e shkollës me gëmra që besomëni ende si kishim mësuar, më shkarraviti me stilolaps në fytyrë. Mbaj mend që mami erdhi në shkollë dhe e bërë për një lek për veprimin e saj. Hera e parë dhe e fundit që prindërit më kanë dalë në krah në raport me mësuesit.
Cilën lëndë pëlqenit më shumë?
Leximi nëse i referohemi klasës nga e para në të katërtën. Atëhere tekstet ishin fantastike, me histori plot mesazhe dhe që të bënin të ëndërroje vërtetë. Mbaj mend ishte një histori në klasën e 2-të ose të 3-të “Shkruesi i vogël fiorentin”. Historia e një djali të moshatar me ne që e lexonim atë histori dhe që ishte një nxënës i shkëlqyer. Quhej Julian dhe babai i tij bënte si punë ekstra për të mbajtur familjen plotësimin e kartelave të bibliotekës. Duke parë se babai i tij stërmundohej shumë Julianni i vogël filloi të ngrihej natën dhe duke kopjuar shkrimin e t’etit filloi të plotësonte ato kartela. Mirëpo nga puna e përnatshme Julian filloi të lodhej dhe të binte në mësime. Babai megjithëse ishte i kënaqur se që po fitonte më shumë e po lodhej më pak e qortoi ashpër Julianin për faktin që kishte rënë në mësime. Një natë ai për të festuar rritjen e të ardhurave falë punës së dytë kishte blerë pasta për djemtë dhe ua dha. Por ndërsa Julian po shijonte ëmbëlsirën i ati që me të birin kishte një lidhje fantastike e kritikoi dhe i tha “ti je zhgënjmi im”. Juliani gëlltiti tortën bashkë me lotët që i rridhnin ndërsa mendoi “ah more babai im i dashur sikur ta dije se pse kam rënë në mësime, sepse unë ngrihem çdo natë që të punoj për ty, që të mos mundohesh ti sepse aq shumë të dua”. Por një natë teksa Juliani filloi punën si përnatë, i ati vuri re drita në studion e tij u ndez dhe u ngrit vrik për të parë se çfarë po ndodhte, ai u afrua pa u ndjerë dhe vuri re se çfarë po bënte i biri dhe aty e kuptoi sesa e kishte munduar Julianin, dhe lotët i rrodhën çurk dhe shtrëngoi grushtet. Juliani e vuri re praninë e të atit dhe u tremb për një çast, por i ati e mori dhe përqafoi fort dhe shpërtheu në të qara duke i kërkuar falje dhe duke e falenderuar për atë që kishte bërë.
Më thoni pak a i gjeni këto histori më në librat e shkollës fillore?
Në fëmijërinë tuaj donit të bëheshit gazetar?
Nuk besoj, por për një gjë jam mëse i sigurtë. Unë shikoja asokohe televizion me orë të tëra, ditë dhe natë, jashtëzakonisht shumë për një fëmijë, dhe ajo që mendoja asokohe është se unë një ditë do të isha jo duke e parë ekranin, por duke qenë “brenda” në ekran. Si mendoni a ishte kjo një dëshirë për tu bërë gazetarë? Ndoshta!…
Si është dita e një gazetari?
E tmerrshme, është një ditë-natë, ku nuk dihet kur fillon dita dhe kur mbaron nata, ashtu siç mund të jetë edhe bosh dhe besomëni më shumë se të parat, këto të dytat, pra dita kur gazetari nuk ka arritur të bëjë asgjë janë më të lodhshmet.
Çfarë ju ka ngelur në mendje gjatë punës suaj?
Që nga 2003-shi më kanë ndodhur shumë gjëra në punën time por më ka mbetur në mendje vetëm thënia e një analisti në muhabet e sipër. Puna e gazetarit është e tmerrshme, ajo që publikon tani nuk ka asnjë rëndësi pastaj!… Dreqin, kur e mendon!…
Jeni shumë aktiv në media dhe në rrjetet sociale, statuset e tuaja përbëjnë lajm. Cila është ngjarja që ju ka prekur më shumë dhe keni shkruar një status?
Vitin e shkuar ka qenë vdekja nga të ftohtët e Nënë Barbullës se s’kishte para të paguante energjinë, më ka ardhur turp që jam njeri!…
Disa nga lexuesit tanë (gjimnazistë) na kanë rrëfyer se duan të bëhen gazetarë, çfarë këshillash do iu jepni ju?
Bëjeni nëse e keni pasion, unë besoj se vetëm pasioni arrin të prodhojë diçka të mirë jo vetëm në gazetari por edhe në çdo profesion tjetër…
Si e festoi Bledi natën e ndërrimit të viteve?
Me mamin dhe babin, dhe për këtë është festa ime e preferuar. Ndoshta edhe për shkak të sallatës ruse hahahah…
Cili është mesazhi juaj për të gjithë lexuesit tanë?
Mos bëni kompromise me shpirtin, me integritetin, njeriu mundet të jetë dinjitoz edhe në fukarallëkun e vet, siç mund të jetë maskara me gjithë pasurinë e botës. Zoti na ka dhënë një mundësi fantastike për të jetuar, për të lënë një shenjë në këtë botë, dhe vetëm rruga e drejtë, vetëm duke zgjedhur të mirën përballë të keqjes, dashurinë përballë urrejtjes, jetën përballë vdekjes, vetëm kshu ne mund të themi se po, ne kemi jetuar. Pjesa tjetër është vetëm vullneti i Zotit.
(A. Hoxhaj)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.