Drita Topjana: Kur lexova Lahutën e Malsisë, më lindi dëshira të shkruaj disa vargje. Meqenëse Gjergj Fishtës po i kushtohet shumë vëmendje dhe po kërkohet që ditëlindja e tij të bëhet festë kombëtare, sjell këto vargje në gegnishte.
Besën Fishtës ja dhamë sot
Atje ku malet gërvishtin qiellin,
edhe retë kapin diellin,
me Orë e Zana kur kuvendonte,
at Gjergj Fishta po mendonte.
Për trimat një Lahutë po nisë,
me shkrim du me ja lanë rinisë,
“kush mohon vend e vatanë,
vetë Perëndia ka me ju namë”.
Kur kish nis Zana me fsha,
i tha Fishta, mos moj Zanë!
Mos rri t`u namë e t`u vajtu,
t`u vajtu e t`u mallku,
se ne vetë jemi t`u rrënu.
Se ne Orën e kemi lanë vetë,
na ka lanë ora e nafaka,
qysh se në sy kemi praska,
s`kemi ma as llamba të gjata.
Qysh se lamë vendin ku kemi le,
qysh se i huaji ban pleqëri për ne,
kur s`kemi njerëz as me na qa,
jo ma me nis e me na nda.
Nanat e Jetës këshillë na kanë lanë,
namë me gojë, kurrë mos me zanë,
në mëngjes nëse ti nam,
deri në darkë nji dam vedit ja ban.
Është ma keq kur nuk e di,
se nama të kthehet ty në shtëpi,
prandaj flisni me ëmbëlsi
dhe mendoni veç për mirësi.
Çou moj Zanë e dil në atë kodër,
shihe mirë këtë panoramë,
kërko krahë me fluturu,
gëzo me lulet si janë t`u lulzu.
Hidhi sytë përmbi luginë,
shih pa shih si është zbukuru,
kujtoj motrat me radhë,
thirre njëherë Zanën e Vogël,
thuj ça tha, tash a t`u t`dalë.
Disa jush qëndrojnë këtu,
shkelin helm e mbledhin mjaltë,
besën Zotit ja kanë dhanë,
me mirësi kemi me ia dalë.
U nis Zana në Zepë me pa,
te Guri Nus pa të bukurën Orë,
sa shumë dritë ishte t`u ba,
si dielli vetë t`u ndriçu,
gjithandej duke rrezatu.
Ora Zanës i lëshoj nji za,
nise Zanë ti fluturimin,
thuj Munellës shumë me u gëzu,
te Gurra Fishta asht` ul t`u pushu.
Morën vallen Shtojzovallet,
dritë e bardhë po na vjen,
diell i ri e qielli i kaltër,
ngriti Mirdita flamurin mbi re,
u ngjall Fishta, jeton ndër ne.
Lulëzuan sytha e livadhe,
nisi Fani me hedh valle,
kthej Munella Bukurinë,
Maja e Zepës pasurinë,
Guri Nus ruan madhështinë.
Mirdita nguli prapë rrënjë,
i forcoi më shumë themelet,
e drejtoi dhe një kollonë,
na shtoi edhe një dritare.
Kthej Homerin në vendlindje,
ditë feste për shqiptarinë,
hapi Fani faqe të re.
Në shkollë të kishin mohu,
nëpër libra s`të kishim lexu,
veç një vjershë t`u ju kujtu,
për shqiponjën t`u recitu.
Sa larg mësuesja kishte shiku,
e sa mirë e kishte këshillu,
ngrije kokën lart i tha,
njërën dorë në zemër ke me vu,
tjetrën nga shkëmbi ke me drejtu,
te Guri i Nuses sytë ke me i lëshu.
Se për shkëmb ishte vjersha vetë,
për shqiponjën që gëzon me retë,
për shqiptarin me sy të mprehtë,
në gjithë botën përparon,
kurrë vendlindjen s`e harron.
Rrëza e shkëmbit fresk dimër verë,
t`i merr sytë bora në pranverë,
rritet shkëmbi thikë përpjetë,
heras ngrihet shkallë-shkallë,
alpinistat po bëjnë prova,
me parashutë po i bëjnë ballë.
Seç më fsheh ti një sekret,
kur lind dielli në mëngjes,
rrezja e parë të përshëndet,
dhe në mbrëmje kur merr,
rrezja e fundit te ti jet.
Tani mirë e kemi kuptu,
pse vendi ynë është mrekulli
pse këto male janë pasuri.
Qysh në at` kohë deshe me na m`su,
pse Shqipërinë s`duhet me harru,
sa më shumë duhet me u shkollu,
që me drejtësi me arsyetu.
Kur zbrazëtirën e kthen në bukuri,
asaj i thotë njeriu zotësi,
i pasuri është më i varfër se i varfëri,
pa shkollë nuk vjen as pasuria,
shpirtin më shumë ta këputka padituria.
Ke lind dielli u ul prapë Ora,
t`u kundru bukuritë,
rreth e rreth rrethu me male
si kurorë duken ato maja,
lidh për dore male kodra.
Folën për Fishtën trojet amnore,
me u betu sipas besës kanunore,
nuk ja vlen çfarë keni ba,
se pak lisa do t`jesin në kambë,
besa në Zot lidhet me momentin,
kthesa atë çast e në vazhdim,
prandaj të nisim një jetë të re,
me Zotin besën ta lidhim ne.
Për çfarëdo që të kesh me u betu,
mbi Kuran dhe Bibël dorën ke me vu.
Namë me gojë ma s`keni me zanë,
ma me pare s`keni me u tundu,
besë e fis mirë keni me i mbajtë,
vendlindjen s`keni me harru.
Besën në Zot mirë duhet me e rujtë,
ndashim fëmijët në krahë me i pasë,
të mendojmë për Besë e për Atdhe,
të mos e ndezim më zjarrin mbi re.
Kur dëgjoi fjalë motmoti,
seç i shndriti Orës syri,
i tha Zanës me u gëzu,
ma me lot ti mos qaj,
as me za ma ti mos fshaj.
Me mirësi vjen drejtësia,
me harmoni vjen dhe mirësia,
mirësia është motra e parë,
e të tjerat vijnë në radhë.
Bekimi është besimi dhe lutja,
vendit t`i kthehet emri,
njerëzve t`u kthehet fama,
shnosh t`ju kthehen vëllezër e motra,
të ju mbushet plot votra,
u gëzofshi me nipa e mbesa.
Orë të bukur ka Shqipëria,
ja ka fal vetë Perëndia,
dhe një fëmijë me dit me u lut,
dëshirën ka me ja plotësu.
Ego të madhe ka njerëzimi,
për një tekë thonë plas një luftë,
por më i madh është besimi,
forcat e Zotit me heshtjen lut.
Sa e lumtur është Shqipëria,
për të mendon vetë Perëndia,
me lutjen zgjuar i rri Homeria.
Kur Lahutën përfundova,
sa shumë! – o atë nga ti mësova,
s`ke lanë gja pa përmend,
për të bukurin Atdheun tënd,
në zemrat tona kanë zanë vend.
Arë e kodër, fushë e mal,
të madh e të vogël, turk e t`kshtenë,
krah për krah kishë e xhami,
për bukuri rrinë në Shqipëri,
mysliman e të krishterë,
se një Zot kemi të tërë.
Lahuta jote dhe sot thërret,
për Shqipërinë po na bërtet,
ju o lisa në kambë me u çu,
shpejt e mirë me u drejtu,
për vendlindjen me mendu,
çfarë ka ndodh me e kalu,
amaneti i të parëve në vend me shku,
dhe shpirtrat në paqe me ju pushu.
Kur Lahutën prapë shfletoj,
mes rreshtash filloj të lexoj,
në çdo faqe mirë e kuptoj,
se besa në Zot Shqipërinë e shpëton.
Sa mirë! – o atë, e ke theksu,
“Se pa Zot ne kem’ kenë lshue”.
Si melodi na vijnë ato vargje,
me besën në Zot kemi me ia dalë.
Vorrin s`ishte me ta çu ndër mend,
se në Parajsë ti ke pas zanë vend,
shtatoret bukur do t`i lulëzojmë,
se ti je ba Ora e Atdheut tonë.
Orët dhe Zanat duan mirësi,
që t`i këndojnë të bukurës Shqipëri.
Me Fishtën besën ta lidhim sot,
te Zoti ndërmjetës për jetë e mot.
Drita (Gjaci) Topjana
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.