Nëse fëmijët tuaj po hasin vështirësi gjatë procesit të lexuarit, ose nuk e duan librin mos e gjykoni, por gjithmonë përpiquni të kuptoni përsenë. Në rast se ai i drejtohet librit të duhur, në kohën e duhur, me ndihmën tuaj ka shumë gjasa të bëhet një lexues shumë i mirë.
Nuk tërhiqen nga formati i librit
Rrjetet sociale dhe video lojërat në internet janë një konkurencë e fortë për të lexuarin. Fëmijët kanë nevojë për ndihmën e të rriturve për të ngadalësuar ritmin dhe për të marrë kohë për të lexuar.
Kufizoni kohën që fëmija juaj kalon çdo ditë para ekranit. Bëhuni krijues kur vjen fjala tek libri. Për shembull, romanet grafike janë një mënyrë e shkëlqyer për të tërhequr fëmijët që hezitojnë të lexojnë. Libra të tillë ndihmojnë gjithashtu në forcimin e aftësive të të kuptuarit.
Nuk janë të interesuar për temën
Ju mund të dëgjoni të thuhet “Librat janë të mërzitshëm!” Por ajo që fëmija juaj me siguri po përpiqet të thotë është: “Unë kam nevojë për ndihmë në mënyrë që të gjej diçka interesante tek ky libër”. Ndonjëherë të rriturit pa kuptuar, i largojnë fëmijët nga ajo që ata duan të lexojnë, dhe mund të shkatërrojnë motivimin e një fëmije.
Gjeni një zgjidhje me një bibliotekar, mësues, për të gjetur librat e duhur. Inkurajoni çdo hulumtim të tijin.
Ata nuk shohin ndonjë qëllim
Fëmijët që nuk u pëlqen leximi ndoshta nuk e kanë provuar gëzimin që një lexues ndjen. Ata ende nuk kanë gjetur atë librin që i bën të ndihen sikur janë në një botë magjike. Ata kanë idenë se të lexuarit është një punë e vështirë, tek e cila nuk gjejnë asnjë përfitim.
Zgjidhni libra që janë pak më lart se niveli i leximit të fëmijës suaj dhe lexojini ato me zë të lartë. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të bashkuar familjet. Përveç kësaj, kjo krijon aftësi të kuptuarit dhe të dëgjuarit, zgjeron fjalorin dhe i ekspozon fëmijët para historive më interesante. Ndalo për të diskutuar ngjarjet dhe kuptimet e fjalëve më pak të njohura.
Ata mendojnë se nuk janë të denjë mjaftueshëm për të qenë lexues të mirë
Ndonjëherë fëmijët tërhiqen kur shohin faqe të mbushura me tekst. Të jesh i detyruar të “përshkosh” nëpër të gjitha këto fjali mund të duket sikur drejton një maratonë ose ngjitje në malin Everest.
Mundohuni të lexoni me fëmijën tuaj me zë të lartë. Kjo mund ta bëjë leximin e detyrueshëm më të lehtë dhe më të pranueshëm për dikë që nuk dëshiron të lexojë ose nuk ndihet mjaft i suksesshëm në lexim. Kjo do ta lejojë fëmijën të bëjë pauzë dhe të krijojë një mundësi për të dëgjuar lexim të rrjedhshëm. Kjo gjithashtu do ta mbajë atë të përfshirë në një histori për të cilën nuk ka durim të mjaftueshëm ta çojë deri në fund.
Vështirësi gjatë procesit të leximit
Fëmija mund të ketë vështirësi me shqiptimin. Në këtë rast, drejtohuni një specialist, i cili ia thjeshton shumë këtë proces fëmijës.
Parajsa Shtini
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.