Ardi Stefa: Ndarja e Gjuhës shqipe nga Letërsia që në 9-vjeçare, domosdoshmëri

Mendimi im i kahershëm ka qenë që gjuha të ndahej nga letërsia qysh në klasën e gjashtë të shkollës 9- vjeçare e në të gjitha ciklet mësimore, sepse letërsia fillon aty ku mbaron gjuha, ajo është shmangie e gjuhës, përdorim figurativ i saj.

A duhet ndarë gjuha shqipe nga letërsia qysh në shkollën 9-vjeçare?

Këtë debat e zhvilloj gjithmonë me kolegët e mi mësues të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Personalisht, përpara katër viteve e mirëprita ndarjen e Gjuhës shqipe nga Letërsia në gjimnaz, por mendimi im i kahershëm ka qenë që gjuha të ndahej nga letërsia qysh në klasën e gjashtë të shkollës 9- vjeçare e në të gjitha ciklet mësimore, sepse letërsia fillon aty ku mbaron gjuha, ajo është shmangie e gjuhës, përdorim figurativ i saj, përdorim i jashtëzakonshëm i saj.

Argumentet që gjithmonë kam mbrojtur (në biseda e debate me kolegët) kanë pasur të bëjnë jo vetëm me anën shkencore të çështjes, por edhe me faktin që përvoja disavjeçare si mësues i këtyre lëndëve, ka dëshmuar se në gjimnaz mësuesit vuajnë pasojat e deficiteve letrare të mbartura që nga 9-vjeçarja.

Nxënësit që vijnë në klasë të dhjetë shpeshherë nuk kanë njohuri të mjaftueshme letrare, nuk njohin konceptet bazë të teorisë së letërsisë, nuk njohin autorët apo periudhat letrare, nuk kanë njohuri për letërsinë shqipe dhe atë botërore, nuk kanë lexuar libra artistikë, nuk njohin figurat letrare, gjuha shprehëse u mungon dhe kanë vështirësi të mëdha në kuptimin, analizën dhe interpretimin e veprave letrare.

Dhe kjo jo vetëm për faj të mësuesve apo të punës së tyre në arsimin e mesëm të ulët. Por edhe për faj të “shkrirjes” së gjuhës me letërsinë, shkrirje që asnjëherë nuk pati një integrim mjaft të mirë të të dyja disiplinave.

Tekstet e traditës kanë qenë veç për gjuhën dhe veç për letërsinë. Me këto tekste kanë mësuar breza të tërë dhe cilësia e formimit gjuhësor dhe letrar të këtyre brezave ka qenë shumë e mirë. Përpara disa vitesh u kalua në një praktikë tjetër, në atë të integrimit të gjuhës amtare me letërsinë dhe, rrjedhimisht, në hartimin e një teksti të përbashkët. Arsyeja e kësaj shkrirjeje ka qenë shqetësimi se tekstet e veçanta të gjuhës i jepnin më shumë rëndësi zotërimit të njohurive teorike mbi gjuhën sesa përdorimit praktik të saj në rrethana të ndryshme komunikimi, shprehive të të folurit dhe të të shkruarit, për të cilat mësohet, në fund të fundit, edhe gjuha amtare në shkollë. Në jetësimin e kësaj ideje, hartuesit e programeve dhe autorët e teksteve të integruara të gjuhës janë ndikuar edhe nga disa përvoja të vendeve të tjera.

Mirëpo praktika tregoi se mësimi i gjuhës shqipe apo edhe i letërsisë me këto tekste të integruara nuk i arriti objektivat e synuar apo të mëtuar. Në rrethet e mësuesve dhe të metodistëve flitet shpesh dhe me shqetësim se si mund të dilet nga kjo gjendje. Mësimi i gjuhës nëpërmjet letërsisë dhe i letërsisë nëpërmjet gjuhës është një gjë e bukur në teori, por e vështirë për t’u arritur në praktikë. Ndoshta edhe se nuk kemi forca të kualifikuara për jetësimin në praktikë të kësaj ideje me tekste të përshtatshme. Kështu që, përderisa tekste të tilla janë të vështira për t’u hartuar, le t’i kthehemi traditës, e cila ka qenë pozitive.

Argumenti se: “Shkrirja e këtyre dy lëndëve me njëra-tjetrën ishte domosdoshmëri e kohës, se nuk mund të kemi një gjuhë të pastër pa një tekst letrar dhe nuk mund të kemi një tekst letrar pa një analizë gjuhësore të mirëfilltë”- mendoj se nuk qëndron.

Pse? Pasi, në rast se do të shohim mënyrën e organizimit të lëndëve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë në gjimnaz, do të vërejmë dy mospërputhje:

Në lëndën e gjuhës shqipe, nxënësit studiojnë sipas teorisë së spiralit, d.m.th. njohuritë gjuhësore të marra në klasën e gjashtë i zgjerojnë në klasën e shtatë, të tetë, të nëntë derisa, në klasën e dymbëdhjetë, ato janë zgjeruar plotësisht, të paktën teorikisht. Ndërkohë që në Maturën Shtetërore nxënësit më tepër testohen për gjuhën e zbatuar, kuptimin, analizën dhe interpretimin logjik të teksteve, sesa për gjuhën e mirëfilltë, si disiplinë shkencore. Dhe kjo mënyrë testimi është e drejtë dhe jam plotësisht dakord.

Ndërsa në lëndën e letërsisë nuk zbatohet kjo metodë. Mësimet dhe autorët trajtohen në mënyrë lineare, d.m.th njohuritë e marra për autorët apo rrymat letrare nuk trajtohen në vijimësi, me zgjerim konceptesh në klasat e mësipërme, por ata autorë apo drejtime letrare që studiohen ne klasën e dhjetë, nuk përmenden në klasën e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë e thjesht përsëriten për provimin e maturës shtetërore (në rast se mësuesi ka kohë apo dëshirë t’u rikthehet në orët e pakta të përsëritjes).

Nga ana tjetër, tekstet e gjuhës shqipe në shkollën 9-vjeçare janë shumë të paqarta. Kanë njohuri gjuhësore të mira, por ato të letërsisë lënë për të dëshiruar. Nuk ekziston një program për letërsinë, i cili duhet të reflektohet jo vetëm në leximin e librave të detyruar, aq më tepër që nuk ka libra të tjerë jashtë programit, natyrisht të rekomanduar nga mësuesit, në mënyrë që nxënësit e këtij niveli arsimor të duan librin dhe nëpërmjet tij të mësojnë të shprehen, të flasin, të kuptojnë, të ndiejnë, të duan e të përsosin gjuhën shqipe.

Gjatë shkollës 9-vjeçare, në një lëndë ku artificialisht e mekanikisht bashkohet gjuha me letërsinë, nxënësi përballet me një dyndje njohurish metagjuhësore. Për shkak se synohet të jepet sa më shumë të jetë e mundur, nxënësi nuk arrin të përpunojë si duhet as pjesërisht këtë program të mbingarkuar e të realizuar në një numër orësh të pamjaftueshme.

Kështu, pas një formimi të mangët në arsimin e detyruar, vijohet në shkollën e mesme të lartë, ku zhvillohet dy lëndë që nuk janë as gjuhë, as letërsi.

Gjithashtu, mënyra e ndërtimit të teksteve dhe të programeve të 9-vjeçares, ku bëhen katër orë gjuhë shqipe, tre orë letërsi, pastaj dy orë gjuhë dhe katër letërsi, e kështu me radhë, nxënësit i çorienton dhe njohuritë letrare u ngelen të cungëta.

Nga ana tjetër, mënyra e organizimit të provimeve të gjuhës dhe letërsisë si të Lirimit, ashtu edhe të Maturës Shtetërore, vetëm me shkrim, mendoj se lë shumë për të dëshiruar.

Njëri nga synimet e gjuhës është të folurit saktë, ndërsa njëri nga synimet e letërsisë është të folurit bukur e shprehës. Sa e mundur është kjo të realizohet, kuptohet e vlerësohet vetëm nga një test me shkrim? Dhe, a nuk do të ishte mirë që, të paktën në Gjuhë-Letërsi, nxënësit të testohen me shkrim e me gojë?

Gjuha shqipe i duhet letërsisë, sepse letërsi të bukur pa gjuhë të mirë, të pasur e të kujdesur nuk ka e nuk mund të ketë, porse edhe letërsia i duhet gjuhës, sepse vetë letërsia e pasuron gjuhën.

Aleksandër Mita, mësues shumë i talentuar e me shumë përvojë mendon:

  • “Në rast se shkolla është një sistem, atëherë ai duhet të këtë harmoni dhe vazhdimësi në të gjitha komponentet e tij. Kjo do të thotë se, pasi Gjuha shqipe dhe Letërsia studiohen si dy lëndë të veçanta në shkollën e mesme të përgjithshme, kjo duhet të ndodhë edhe në 9-vjeçare.
  • Gjuha është shkencë dhe Letërsia është art. Kjo do të thotë se, duke u bazuar në natyrën e ndryshme që kanë këto dy fusha, ato duhet të studiohen si lëndë veças nga njëra-tjetra edhe në shkollën 9-vjeçare.
  • Në rast se sot vëzhgojmë që, gjatë përdorimit të përditshëm në komunikim, nxënësit e përdorin keq gjuhën shqipe, kjo ndodh se mësojnë elemente të shkëputura të saj. Kjo do të thotë se gjuha, si shkencë, duhet të mësohet në të gjitha elementet e strukturës së saj, me një vëmendje të veçantë për zbatimin e strukturës dhe karakteristikave të shqipes në komunikim sipas standardeve dhe modeleve të gjuhës letrare kombëtare.
  • Kur mendimi kthehet në tekst, nga ne përzgjidhet edhe struktura e organizuar në blloqe logjike, në bazë të të cilave një paragraf ndërtohet nga fjalitë, një poezi nga vargjet, një ligj nga nenet, paragrafet, pikat, germat etj. Është koha që ushtrimet të ndërtohen sipas modeleve logjike, të marrin formë elektronike dhe, nëpërmjet app-eve të posaçme, të realizohet korrigjimi i automatizuar i tyre.
  • Në rast se arsyetimi i nxënësve tanë është i varfër, i ftohtë dhe i paargumentuar, kjo ndodh sepse elementet kryesore të logjikës nuk studiohen në shkollë, as në 9-vjeçare dhe as në gjimnaz. Kjo shtron për diskutim futjen e Logjikës, si lëndë ose si elemente, brenda sistemit tonë shkollor”.

Si konkluzion, mendoj se Gjuha shqipe dhe letërsia duhet të zhvillohen si lëndë të veçanta e me tekste të veçanta që në shkollën 9-vjeçare. Kështu duhet riparë edhe shpërndarja e orëve, ndoshta në mënyrë të barabartë: 4 orë gjuhë dhe 4 orë letërsi.

Gjithashtu duhet integruar një program më i specializuar për letërsinë, një program jo vetëm me autorë, por edhe me libra, në mënyrë që nxënësit jo vetëm të mësojnë, por edhe të dashurojnë letërsinë dhe fjalën e bukur.

Ndërkohë mendoj se edhe provimi me gojë, përveçse me shkrim, do të ishte shumë efikas.

Ardi Stefa

  © Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Lojërat që duhet t'i dijë çdo mësues i gjuhës së huaj

Next Article

Gjithçka duhet të dini rreth procedurave për lëvizjet paralele

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427