Në një aktivitet të zhvilluar në gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë, është festuar në nder të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtares Ilse Aichinger. Bazuar në romanin e “Shpresa më e madhe” gjimnazistët kanë performuar një pjesë teatrale ndërsa më pas u zhvillua edhe një diskutim letrar.
“Festojmë dhe kujtojmë se bashku 100 vjetorin e shkrimtares Ilse Aichinger”, ky qe titulli i aktivitetit i realizuar në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku mbizotëroi performanca në teatër dhe diskutimi letrar.
Nxënësit e talentuar në disiplinën e teatrit si pjesë e kurrikulës shkollore në lëndën e arteve në bashkëpunim me regjisorin Kastriot Ramollari vunë në skenë një fragment të titulluar “Vdekja e gjyshes”, i shkëputur nga kapitulli i romanit me titull “Shpresa më e madhe” e autores Ilse Aichinger i sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese Albas.
I shkruar nga zonjushë Kafka apo Kafka grua e letërsisë gjermane, siç është quajtur nga kritika Ilse Aichinger-i, romani Shpresa më e madhe është renditur ndër 100 librat më të bukur të shekullit XX.
Autorja shquhet për mesazhet kundër racizmit drejtuar të rinjve. Ndërsa në romanin “Shpresa më e madhe” ajo na rrëfen magjishëm se njeriu nuk duhet t’i humbasë kurrë besimin dhe ëndrrat e tij se qielli diku do të jetë vetëm i kaltër…


Pjesëmarrësit në këtë event teatror dhe letrar ishin përkthyesja e romanit dhe poetja Anna Kove, shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka dhe regjisori Kastriot Ramollari.
Ky aktivitet u mbështet nga fondacioni S.Fischer Stiftung. Pas interpretimit të shfaqjes nxënësit diskutuan rreth librit që tashmë gjendet në disa kopje në bibliotekën e shkollës si dhuratë nga ky fondacion.

Përkthyesja Anna Kove në fjalën e saj tha se: “Ilse Aichinger ka arritur që nga perspektiva e fëmijës të tregojë një ngjarje shumë të madhe siç ishin edhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe persekucioni i Gestapos mbi popullsinë hebre. Jo pa qëllim e kemi quajtur këtë aktivitet ‘Totalitarizmi s‘e vret dot dashurinë’, pasi, që në fillim të librit, ne hasemi me privimin e lirisë së kësaj popullsie në Vjenën e viteve 1935-1945 por edhe në gjithë Evropën. Autorja paraqet në këtë roman skena nga jeta e saj, thuhet nga biografët” .
Qendra Kombëtare e Librit dhuroi nga një paketë me libra për nxënësit që interpretuan në teatër.

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.