Këtë herë do t’ju prezantojmë filmin vizatimor që është realizuar për herë të parë në Shqipëri me vizatimet e nxënësve të klasës së 5-të të shkollës “Talenti” dhe ideuar nga mësuesi i tyre i arteve Altin Shuaipi. Gjatë një interviste për Portalin Shkollor Albas, ai na rrëfen shumëçka për “Zemërimi i Mujit”.
Ata bashkë me mësuesin e tyre janë më shumë se të talentuar!
Një projekt i tyre, sa i bukur aq edhe origjinal, nuk kishte si të mos vihej re dhe të kalonte heshturazi nga vëmendja e të gjithë atyre që duan të frymëzohen dhe të marrin pse jo motivim nga gjëra që kanë vlerë.
Këtë herë do t’ju prezantojmë filmin vizatimor që është realizuar për herë të parë në Shqipëri me vizatimet e nxënësve të klasës së 5-të të shkollës “Talenti” dhe ideuar nga mësuesi i tyre i arteve Altin Shuaipi. Gjatë një interviste për Portalin Shkollor Albas, ai na rrëfen shumëçka për “Zemërimi i Mujit”.
Profesor Altini, ky ndoshta është filmi i parë i animuar në Shqipëri që është realizuar nga nxënësit, me vizatimet që ata kanë bërë vet. Çfarë ju shtyu drejt realizimit të kësaj risie?
Njohuria. Doja diçka që ka lidhje me kulturën e hershme shqiptare dhe që është pak e trajtuar për mendimin tim, siç është EPOSI I KRESHNIKËVE. Doja dhe një formë të veçantë dhe tërheqëse për fëmijët, siç janë filmat vizatimorë, shumë të dashur për ta. Me filmat vizatimorë jemi marrë dhe më parë. Fëmijët i ndjekin përditë dhe unë doja që nxënësit të dinin se si realizohet një film vizatimorë. Praktika është ajo që na mëson më mirë, dhe kështu iu futa punës si me thënë dhe u bënë disa projekte. Punën në grup unë e vlerësoj veçanërisht, nxënësit e pëlqejnë shumë, mësojnë dhe argëtohen njëkohësisht.
Konkretisht çfarë e bënë këtë film të veçantë? Si është realizuar ai që nga fillimi deri në fund?
E veçanta dhe e bukura e këtij filmi janë padyshim vizatimet e fëmijëve. Filmi është ralizuar nga nxënësit e klasës së V të shkollës Talenti. Projekti ka qenë i vështirë dhe i ndërlikuar, duke konsideruar dhe moshën e tyre për realizime të tilla. Por dhe kënaqësia ka qenë e madhe teksa shikoja se sa me shumë dëshirë, kompetencë dhe impenjim të madh u angazhua e gjithë klasa pa përjashtim. Një gjë e rëndësishme në këto projekte është dhe aftësia që ka mësuesi të dëgjojë nxënësit. Si fillim jemi ulur shpesh, dhe kemi diskutuar për shumë aspekte të filmit, ku nxënësit i kanë ndarë vetë detyrat, ku ata kanë më shumë aftësi por edhe dëshirë, ku e ndjejnë veten më të sigurt dhe çfarë do u pëlqente të bënin në film. Klasa V, ka realizuar dhe zërat e personazheve. Unë kam ndjekur të njëjtën teknikë, i kam lënë të lirë t’i zgjedhin vetë çfarë personazhi duan të bëjnë. Kanë bërë prova dhe kanë vendosur pothuajse vetë në bazë të aftësive dhe kompetencave që ata mendonin se ishte e duhura. Sa më shumë rritet kompetenca e fëmijëve, aq më shumë unë tërhiqem dhe i lë të lirë të zgjedhin, duke u kthyer thjesht në një suportues apo mbështetës. Kjo i bën ata të kenë shumë besim tek vetja, të jenë më të angazhuar, më të apasionuar dhe shumë të kënaqur në fund për punën e arritur.
Sa kohë ju është dashur për të përmbyllur këtë film?
Është dashur plot një vit punë, me pandeminë që u shfaq papritur, pastaj karantina, por u rikthyem me dëshirë dhe forcë deri në përfundimin me sukses.
A keni realizuar ju projekte të tjera në bashkëpunim, apo punë në grup?
Përveç punës individuale shpesh ndërthur edhe punën në grup. Ndër vite jemi marrë me projekte dhe materiale nga më të ndryshmet, për t’i dhënë mundësinë nxënësve të gjejnë veten dhe interesin. Për shembull kemi punuar qeramikën. Në Itali nëpër shkolla kjo teknikë është mjaft e përhapur, por te ne shumë pak ose fare. Fëmijët pëlqejnë shumë punën me argjilë, mezi presin të futen në klasë, dalin pak si shumë pis, por të lumtur. Kemi bërë skulptura dhe maska me teknikën e cartapesta, teknika e maskave veneciane. Whirlingig, kemi krijuar këto skulptura të veçanta me materiale kryesisht të riciklueshme, shumë të pëlqyera nga fëmijët, ku ndërthuret arti dhe shkenca. Kemi realizuar kukulla për teatrin e shkollës, kemi krijuar disa kukulla të veçanta siç janë marionetat. Kemi realizuar disa filma etj. Natyrisht që dhe çdo vit bëjmë ekspozita në pikturë dhe vizatim me punë individuale si në shkollë dhe nëpër galeri dhe institucione të ndryshme.
Duke u nisur nga eksperienca juaj, çfarë të mirash sjellë të punuarit në grup të fëmijëve dhe konkretisht në pjesën e artit që ju zhvilloni?
Te kompetencat e artit pamor të programit shkollor thuhet pikësëpari që arti pamor është një mënyrë për të krijuar dhe komunikuar nëpërmjet imazhit. Pra kjo nuk do të thotë që fëmija duhet të jetë i aftë vetëm të dijë të kopjojë dhe të bëjë mirë një vizatim që i jepet si temë. Arti në përgjithësi dhe piktura në veçanti janë forma komunikimi. Te fëmijët kjo merr një formë shumë të rëndësishme, ku fëmijët e përdorin pikturën mbi të gjitha për të komunikuar ëndrrat e tyre. Piktura dhe vizatimi është një formë ku imagjinata takohet me realitetin, ku ëndrrat e fëmijëve fillojnë e marrin formë, bëhen reale. Pikërisht ky moment është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës. Ky është momenti ideal krijues, ku fëmijët në këtë pikë japin më të mirën e tyre. Por që kjo të arrihet nuk është e lehtë, sepse fëmijët kanë kohë dhe ritme shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Dhe duhet të punosh në mënyrë individuale me gjithsecilin për të kuptuar ku dhe kur dhe si e ka një aftësi ose disa, ose problematikat dhe vështirësitë që mund të ketë. Këtu mua me vjen në ndihmë puna në grup. Me këto projekte të shumëllojshme dhe të veçanta unë arrij të përshpejtoj njohjen e talenteve, kompetencave dhe problematikave. Por përfitimet në punën në grup janë të shumta. Një ndër to e cila më pëlqen shumë është altruizmi. Për shembull, ndodh që në punët individuale nxënësit bëhen më egoistë, ndodh e kundërta në punën në grup, sepse në këtë formë ata ndihmojnë shumë njëri-tjetrin, respektojnë punën e tjetrit, njohin kompetencat e gjithsecilit. Në punën në grup zhvillohet shumë dhe mendimi krijues, sepse ndihmohet nga komunikimi, bashkëpunimi dhe propozimi i shumë ideve me këndvështrime të ndryshme. Me rëndësi janë dhe marrëdhëniet që krijojnë dhe përballojnë, pasi puna në grup i përgatit për të ardhmen, është një lloj stimulimi i jetës profesionale që do t’u duhet si kulturë kur të rriten.
Nxënësit e klasës së V, të shkollës “Talenti” gjatë kohës së punës në grup për realizimin e filmit vizatimor “Zemërimi i Mujit”
Një pyetje klishe tani, cilat do të jenë projektet tuaja në vijim?
Jo gjithmonë ndjek një program të paracaktuar përsa i përket projekteve në grup. Më shpesh ndodh që ulemi me nxënësit në një tavolinë, të rrumbullakët të themi, dhe diskutojmë se çfarë do bëjmë. Unë i dëgjoj, dhe ndodh shpesh që rrugës projektet ndryshojnë, ka dhe improvizime të momentit në bazë të interesit të nxënësve për tematikën, materialet teknikat etj. Në përgjithësi nuk vendos data skadimi, për mos t’i vendosur nën presion, sepse pastaj do bëjnë një punë sa për të kaluar radhën, mundohem t’i lejoj hapësira të mëdha. Ajo që më intereson më shumë është krijimtaria. Rëndësi për mua ka dhe informacioni i bollshëm dhe i shumëllojshëm që unë duhet t’i ofroj nxënësve që ata të kenë sa më shumë material, për të ngacmuar krijimtarinë e tyre, duke i dhënë fushëpamje sa më të gjerë, perspektiva dhe këndvështrime të ndryshme për të rritur njohuritë dhe kompetencat e tyre.
Përgjigje jo klishe kjo e juaja, pavarësisht pyetjes time si të tillë. 🙂 Tani, a mund të na zbuloni diçka tjetër nga pasioni që ju vet gëzoni, por që edhe këta fëmijë kanë mësuar prej jush?
Dashurinë për artin, dashurinë për jetën. Respektin për tjetrin, interesin për kulturën, të bukurën. Të qenit kurajozë për gjithçka gjithmonë. Nuk di saktë se çfarë nxënësit kanë marre dhe mësojnë nga unë, por shpresoj mos t’i shuhet pasioni në të ardhmen. Unë gjithmonë i këshilloj nxënësit që të japin maksimumin dhe të japin më të mirën në të gjitha fushat dhe jashtë artit, çfarëdo që të bëjnë, edhe kur gjërat nuk ecin siç duhet, duhet përsëri të kërkojnë e të ecin përpara. Me punën vetjake dhe me forcat e veta pa u ndalur, duke vënë në punë mendimin krijues duhet të arrijnë qëllimet që i kanë vënë vetes. Këtë na mëson arti.
Ne e kemi traditë që në fund të intervistave që zhvillojmë me mësues të ndryshëm, u marrim nga një mesazh :). Cili do të ishte i juaji për kolegët?
Mendoj se mësimdhënia është një mision e jo thjesht një profesion. Mendoj dhe se shumë mësues punojnë me pasion dhe përkushtim. Mos të harrojmë në asnjë çast se sa të rëndësishëm jemi në sytë e fëmijëve dhe se sa një mësues ndikon në të ardhmen e gjithsecilit. Mundohem t’i kujtoj gjithmonë vetes, se çdo nxënës që vjen tek klasa ime është unik!
“Dashurinë për artin, dashurinë për jetën. Respektin për tjetrin, interesin për kulturën, të bukurën. Të qenit kurajozë për gjithçka gjithmonë. Nuk di saktë se çfarë nxënësit kanë marre dhe mësojnë nga unë, por shpresoj mos t’i shuhet pasioni në të ardhmen”, kaq mjafton që të thuash- Një mësues për t’u dashur! I tillë pra është edhe mësues Altini i cili nëpërmjet kësaj interviste shpalos jo vetëm dashurinë dhe pasionin për profesionin e tij, por shfaq edhe anët se pse nxënësit frymëzohen nga ai.
Dhe më besoni, nuk bëhet fjalë thjeshtë për të thënë gjëra të bukura, por ato i shohim të zbatuara qoftë edhe në këtë film kaq të veçantë, të cilin mund ta ndiqni më poshtë.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.