Vlerësim i portofolit të të nxënit, 90 minuta

Kjo orë mësimi është përgatitur nga mësuesja Rudina Llazari, gjimnazi “Jordan Misja” Shkodër. Është ora e lëtërsisë, në klasën e X, tema e mësimit “Vlerësim i portofolit të të nxënit”, koha për realizimin e kësaj ore është 90 minuta.

Fusha: Gjuha dhe komunikimi

Lënda: Letërsi

Shkalla: V

Klasa: X

Mësuese: Rudina Llazari

Gjimnazi: “Jordan Misja”,  Shkodër

Ora I: Tema mësimore 1: Vlerësim i portofolit të të nxënit  (Nxënësi vlerëson nxënësin, mësuesi i vlerëson të gjithë)

Ora II: Tema mësimore 2: Vlerësim i portofolit të të nxënit  

Situata e të nxënit 1: Rëndësia dhe roli i portofolit dhe performancës së nxënësit.

Situata e të nxënit 2: Mund të vlerësojmë njëri – tjetrin. 

Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe

Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit

Nxënësi bashkëbisedon dhe diskuton për një detyre a komponent të caktuar të portofolit.

Kompetenca e të menduarit

Nxënësi prezanton, me gojë materialet e grumbulluara, të përzgjedhura dhe të klasifikuara me kujdes nga ai vete.

Kompetenca e të nxënit

Nxënësi demonstron shkathtësi funksionale në prezantim, lexim‐shkrim, diskutim në jetën e përditshme, në përmbushjen e kërkesave të ndryshme për kryerjen e një detyre apo aktiviteti dhe gjatë të nxënit të dijeve të reja gjatë një periudhe tremujore.

Kompetenca personale

Nxënësi analizon përparësitë dhe dobësitë personale dhe të të tjerëve duke evidentuar masat përmes të cilave synon të mbështesë avancimin personal në fushën e shkrimit, vlerësimit, kritikës të esesë, mbledhjes të materialeve, zhvillimit të mini-projekteve

Kompetenca qytetare

Nxënësi diskuton me të tjerët dhe paraqet interesin personal për çështje publike, shoqërore, historike, natyrore etj., duke shfrytëzuar njohjen dhe strukturimin e llojeve të ndryshme letrare që mbështesin qëllimin e tij.

Kompetenca digjitale

Nxënësi përdor mjetet digjitale dhe mjediset informative duke përfshirë komunikimet në distancë për zhvillimin e njohurive të tij, mbledhjen e informacionit përmes internetit, apo prezantimit në disa raste ne Power Point, 

Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

Nxënësi:

Realizon diskutime dhe prezantime të ndryshme me gojë, duke marrë në konsideratë qëllimin, audiencën dhe situatën në një diskutim mbi strukturën dhe teknikat e mbledhjes të materilave në portofol sipas kritereve dhe komponentëve të përcaktuar qartë që më parë.

Përdor strategji të të lexuarit si: krijimi, argumentimi, mbajtja e shënimeve, hulumtimi, gërmimi dhe seleksionimi dhe përmbledhja e informacionit etj. përmes të cilave demonstron të kuptuarit dhe të reflektuarit mbi mesazhet që transmeton tekstet të ndryshme letrare të studiuara dhe të analizuara në tremujorin e dytë dhe ndalet në mënyrë të ndërgjegjshme te lloji i standardeve që duhen përdorur për një interpretim cilësor të teksteve të ndryshme.

Përdor organizuesit grafikë në funksion të organizimit të esesë dhe punës krijuese; 

Përdor strategjitë e duhura për të përmbushur qëllimin që ka dhe, për të tërhequr vëmendjen dhe interesin e audiencës, respekton kohën gjatë prezantimit;

Përdor TIK‐un për të realizuar prezantime të ndryshme, sidomos në situata formale.

• Realizon hapat e përcaktuar dhe të domosdoshëm gjatë të shkruarit të paragrafëve;

• Realizon hapat e përcaktuar dhe të domosdoshëm gjatë të folurit.

• Përdor me saktësi terminologjinë gjuhësore dhe njohuritë gramatikore kur shkruan ese.

• Analizon krahason dhe përmbledh në skeda vecori të personazheve a tregues stilistikorë duke bërë edhe interpretimin e tyre.

• Zbulon mesazhe kontekstuale të veprave të ndryshme;

• Bashkëpunon mes një grupi të caktuar duke sjellë produkte të plota letrare;

• Krijon një panoramë të qartë të asaj që është mësuar gjatë tremujorit të dytë;

• Demonstron përparimin e tij duke u bazuar në rezultatet e identifikuara;

• Nxit mendësinë e vetëvlerësimit te nxënësit;

• Bën ballafaqimin e dokumentuar të performancës së nxënësve me njëri-tjetrin dhe nxitjen e krijimtarisë.

Fjalë kyç: Portofol, letërsi, arte, romantizëm shqiptar, romantizëm europian, vendlindje, interpretim.

Burimet: Libri i nxënësit, autorët dhe veprat e punuara, interneti, biblioteka, dhuntitë personale, fjalori i gjuhës shqipe.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe dhe gjuhë e huaj, arte, histori, TIK, qytetari etj.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve

Metoda e bashkëbisedimit, punë e pavarur-individuale, punë në grup, punë e drejtuar, metoda e kllasterit, diagrami i Venit, hulumtim, interpretim.

ZHVILLIMI I ORËS SË MËSIMIT

Pjesa e parë e orës (45 minuta)

Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme: metoda e bashkëbisedimit, prezantim, punë e drejtuar, stuhi mendimesh

Mësimi fillon me një kujtese të rëndësisë të portofolit të të nxënit. Nxënësit tashmë kanë krijuar një backround në tremujorin e parë dhe këtë herë e kanë më të lehtë të jenë më të përfshirë në procesin e vlerësimit të portofolit të tyre. 

Bëhet pyetja: Ç’është portofoli dhe cili është roli i tij? A keni hasur vështirësi këtë herë?

Nxënësit shprehin mendimet e tyre sa dhe si e njohin  atë.

Nëpërmjet portofolit arrij të drejtoj nxënësit në koleksionimin e rezultateve te arritjeve të të nxënit sipas një rendi të strukturuar mirë me qëllim vlerësimin, vetëvlerësimin dhe shkëmbimin e këtyre arritjeve.

Portofoli i të nxënit është një qasje bashkëkohore që bazohet në kriteret e cilësisë dhe dokumenton kontributin e nxënësve në veprimtari mësimore të orientuara nga kompetenca. 

Ndërtimi i njohurive: Metoda e bashkëbisedimit, punë individuale, kllaster, diagrami i Venit, hulumtim, interpretim

Kështu, gjatë tremujorit të dytë nxënësit janë njohur me zhvillimet letrare të periudhës së Antikitetit dhe Humanizmit . Në procesin e planifikimit, të realizimit dhe të reflektimit e vlerësimit mban parasysh përmbushjen nga nxënësit të të gjitha kompetencave kyç dhe atyre të fushës.

Qysh në fillim të tremujorit ose hap pas hapi u janë dhënë nxënësve të klasës detyrat, të cilat ata duhet të përmbushnin përgjatë këtij tremujori në pasurimin e portofolit të tyre. Të ndarë në grupe dyshe sipas një numërimi të thjeshtë 1 dhe 2, të gjithë njëshat do të prezantojnë punimet e tyre të portofolit. Kurse nr. 2 në orën e dytë do të bëjë vlerësimin e tyre. Në orën e parë janë 15 punime do të prezantohen në pjesën e parë të orës (45 minutat e para)

Më poshtë po shënojmë detyrat e dhëna nxënësve:

1. Detyra të pavarura, punë parapërgatitore për tema të ndryshme, punë kërkimore         30 pikë (nga 10 për çdo njësi)

1.

  • Medea: Grua dhe nënë, figurë komplekse 
  • Euripidi dhe tragjikja deri ne fatalitet

2.

a) Dante dhe udhëtimi dantesk

b) Trinia e shenjtë dhe struktura kompozicionale

c) Pastrimi i shpirtrave në Purgator

3. Figura e Skënderbeut në Letërsi, Art pamor dhe Muzikë (nxënësit janë ndarë në tre grupe dhe secili grup ka patur një fushë)

Skënderbeu i Barletit i mbinatyrshëm apo njerëzor?

Punë krijuese dhe ese     

  Nxënësi zgjedhe 3 ese nga esetë e ndryshme që i janë dhënë detyrë shtëpie, nga një ese ose punë krijuese për çdo njësi. Secila nga esetë ka 8 pikë në dispozicion. Në total janë 24 pikë për esetë

Projekte e mini-projekte, prezantime

Gjatë tremujorit janë zhvilluar 2 mini-projekte. Secili ka nga 15 pikë. (30 pikë në total për këtë komponent). Punimet janë përgjithësisht në CD.

Gjykojmë Medean. Seancë e improvizua gjyqësore në ngarkim të Medeas si personazh. Klasa është ndarë në grupe pune në role të avokatëve dhe prokurorëve. 

Imazh për Ferrin dantesk. Nxënësit kanë sjellë përmes mënyrave  të ndryshme në vizatim, pikturë, iluzioneve kompjuterike, improvizimeve të ndryshme imazhin dhe përfytyrimin e tyre për Ferrin e Dantes dhe udhëtimin e tij.

3. Skeda të figurave stilistikore e të metrikës

Janë 4 skeda në përzgjedhje fakultative nga vetë nxënësit. Secila nga skedat vlerësohet me 4 pikë (në total 16 pikë)

Kjo është tabela përmbledhëse e pikëve sipas komponentëve dhe kritereve të vendosura.

NrKomponenti që vlerësohetPikët gjithësej
1Detyra të pavarura, punë parapërgatitore për tema të ndryshme, Punë kërkimore25 pikë
2Punë krijuese, Ese25 pikë
3Projekte e mini-projekte, prezantime25 pikë
4Skeda të figurave stilistikore e të metrikës25 pikë
Total  

Secili nxënës ka në dosjen e tij një tabelë të tillë. 

Pjesa e dytë e orës (45 minuta)

Demonstrimi i rezultateve të arritura

Në këtë fazë të orës mësimore nxënësit janë të lirë të japin gjykimet e tyre lidhur me punët e prezantuara, duke paraqitur pika e tyre të forta dhe pikat e dobëta, madje edhe duke dhënë këshilla dhe sugjerime për punë edhe më cilësore në vazhdimësi. (Kjo fazë e vlerësimit nxënës-nxënës zgjat 30 minuta)

Nxënësit janë të ndarë në 3 grupe ekspertësh. Secili grup bën vlerësimin e secilit prej komponentëve. Ndërkohë që ka edhe një grup të katërt, grupi i vlerësimit të projektit  që është caktuar që më parë. Në orët kur është demonstruar mini-projekti grupi nga 2 nxënës të caktuar kanë bërë vlerësimin,  por nuk e kanë reklamuar. Reklamimi bëhet vetëm në orën e vlerësimit të portofolit. 

Grupet e ekspertëve kanë marrë shënime të hollësishme gjatë kohës kur nxënësit kanë demonstruar punimet e tyre. Ata bëjnë vlerësimin për secilin nxënës sipas komponentit që duhet të vlerësojnë. 

Grupi i ekspertëve të eseve kanë një tabelë përpara dhe lexojnë e shqyrtojnë esetë. 

Të dhënat e portofolit mund të përdoren për qëllime të ndryshme specifike, duke përfshirë:

• nxitjen e të mësuarit të vetëdrejtuar;

• krijimin e një panorame të qartë të asaj që është mësuar nga nxënësi;

• nxitjen e të nxënit për të nxënë;

• demonstrimin e përparimit të nxënësit duke u bazuar në rezultatet e identifikuara;

• nxitjen e mendësisë së vetëvlerësimit te nxënësit;

• ballafaqimin e dokumentuar të performancës së nxënësve me njëri-tjetrin dhe nxitjen e krijimtarisë;

• përfshirjen e prindërve në procesin e të nxënit.

Vlerësimi

Për të realizuar këtë fazë të procesit mësimor, përgatis për çdo nxënës vlerësimin e portofolit sipas tabelës së mëposhtme të cilën çdo nxënës e ka në faqen e parë të portofolit të tij. 

Tabela  e vlerësimit  të Portofolit të nxënësit

Emri e mbiemri _________________________

Klasa     _______________________________

Totali i pikëve       __________________________

Duhet përmirësim ________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

Ka progres ______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

Nxënësit do të vlerësohen për:

• punën individuale (vlerësim sipas kritereve të vendosura për çdo komponent)

• punën e grupit (në mini-projekte)

• për pjesëmarrjen në diskutime në grup dhe në klasë

• për fjalorin e përdorur gjatë diskutimit

• për realizimin e hapave të procesit të të shkruarit dhe të grumbullimit të materialeve të portofolit.

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Orë model, anglisht XI

Next Article

Hartimi i projektit kurrikular

Related Posts