Ky udhëzues përshkruan aspekte të ndryshme të menaxhimit të klasave kolektive, aspekte të ndryshme të planifikimit dhe të realizimit të procesit mësimor, si dhe paraqet disa sfida të mësimdhënies/nxënies me klasat kolektive.
1. Çfarë është udhëzuesi për klasat kolektive?
Udhëzuesi për klasat kolektive është një material ndihmës për drejtuesit dhe mësuesit e klasave kolektive. Ai ka për qëllim:
– të orientojë drejtuesit për përzgjedhjen e mësuesve, formimin e klasave kolektive, organizimin e orarit mësimor etj.;
– të udhëzojë mësuesit në procesin e planifikimit (planin vjetor, planin e periudhës dhe planin ditor);
– të ndihmojë mësuesit në përzgjedhjen e teknikave, strategjive dhe metodave mësimore, të cilat synojnë të zhvillojnë kompetencat për të nxënit gjatë gjithë jetës.
Ky udhëzues përshkruan aspekte të ndryshme menaxhimit të klasave kolektive (përzgjedhja e mësuesve, formimi i klasave kolektive, organizimi i orarit mësimor etj.), aspekte të ndryshme të planifikimit dhe të realizimit të procesit mësimor (planifikimi vjetor, i periudhës dhe ditor), si dhe paraqet disa sfida të mësimdhënies/nxënies me klasat kolektive.
2. Çfarë janë klasat kolektive?
Klasë kolektive quhet klasa ku mësojnë së bashku nxënësit e dy a më shumë klasave të arsimit fillor ose dy a më shumë klasave të arsimit të mesëm të ulët. Klasa kolektive mund të emërtohet dhe “klasë e bashkuar”, pasi ajo është një bashkim nxënësish të grup-moshave të ndryshme me diferencë nga një deri në pesë vjet në arsimin fillor, dhe nga një deri në katër vjet në arsimin e mesëm të ulët.
3. Pse ka klasa kolektive?
Të mësuarit në klasa kolektive nuk është dukuri vetëm e arsimit shqiptar. Klasa kolektive ka edhe në vende të tjera të Europës dhe më gjerë. Mësimdhënia në këto klasa konsiderohet:
– një formë e përshtatshme për t’i ndihmuar kombet që të arrijnë arsimimin për të gjithë, duke ofruar arsim cilësor për fëmijët që neglizhohen nga sistemi arsimor, pasi jetojnë në komunitete të vogla dhe të largëta;
– një qasje, e cila mund t’i ndihmojë shkollat e këtyre komuniteteve që t’u shërbejnë më mirë nxënësve, duke iu ofruar arsim cilësor dhe të përshtatshëm për komunitetin ku jetojnë;
– një mundësi e mirë që fëmijët të nxënë nga njëri-tjetri.
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.