Udhëzuesi “Të nxënit me situata, konstruktivizmi dhe teknologjia” sjell shembuj konkretë të integrimit efikas të teknologjisë nëpërmjet përdorimit të metodologjive të përshtatshme të mësimdhënies/nxënies për lëndë të ndryshme të kurrikulës së AB.
Para së gjithash, theksojmë se ky udhëzues nuk ka për qëllim të tregojë thjesht përdorimin e teknologjisë në kurrikulat lëndore apo mësimin e TIK-ut nëpërmjet lëndëve të tjera të kurrikulës së arsimit bazë. TIK-u zhvillohet si lëndë më vete në kurrikulën e arsimit bazë, ndaj është detyrë e kësaj kurrikule të ndërtojë konceptet dhe kompetencat lëndore. Qëllimi i këtij udhëzuesi është përdorimi i teknologjisë dhe TIK-ut për përmirësimin e procesit mësimor nëpërmjet zbatimit të metodologjive moderne. Aplikimi i metodologjive moderne dhe përdorimi i teknologjisë në procesin mësimor synon zhvillimin e kompetencave për të nxënit gjatë gjithë jetës, angazhimin sa më të madh të nxënësit gjatë aktiviteteve të të nxënit, nxitjen e kreativitetit dhe arsyetimit kritik, përmirësimin e rezultateve mësimore të të nxënit si dhe rritjen e cilësisë së tërë procesit mësimor.
Ky udhëzues u vjen në ndihmë të gjithë mësuesve të AB, si mësuesve të ciklit fillor dhe mësuesve të arsimit të mesëm të ulët (AMU) për:
- zbatimin e qasjes konstruktiviste të të nxënit e cila vendos nxënësin në qendër të procesit mësimor,
- zhvillimin e kompetencave kyçe dhe kompetencave lëndore
- arritjen e qëllimeve arsimore dhe sigurimin e cilësisë në zbatimin e reformës së re kurrikulare. Kapitulli i parë i këtij udhëzuesi shpjegon arsyet dhe rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në klasë, efikasitetin e përdorimit të teknologjisë në procesin mësimor nëpërmjet zbatimit të qasjes konstruktiviste, zhvillimin e mësimit nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe mënyrat e ndryshme që mësuesit dhe nxënësit mund të përdorin kompjuterin dhe teknologjitë e komunikimit për të ndarë online idetë dhe informacionin e tyre në klasë dhe në mjedisin e të nxënit.
Udhëzuesi i plotë
Referime nga ASCAP
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.