Të mësuarit bazuar në hetim

Metodat e mësimdhënies duhet të jenë sa më të larmishme, në mënyrë që të sigurojnë përfshirjen e të gjithë nxënësve, por nëpërmjet të mësuarit bazuar në hetim arrihet të sigurohet pjesëmarrja aktive e nxënësve, duke u krijuar kushtet e të nxënit për të gjithë, sepse është e pamundur që nxënësit të mos tërhiqen nga magjia e shkencës. Natyra njerëzore dhe sidomos fëmijët udhëhiqen nga kurioziteti, prandaj priren drejt eksperimentimit dhe zbulimit. Ky proces e ka zanafillën që në momentin e lindjes dhe vazhdon natyrshëm gjatë gjithë jetës. Foshnjet vëzhgojnë fytyrat, kapin objektet, fusin gjërat në gojë, apo kthejnë kokën në drejtimin nga iu vjen zëri. Duke u bazuar edhe te korniza e re kurrikulare, metodat e mësimdhënies marrin parasysh dhe plotësojnë nevojat e të nxënit efektiv, i cili bazohet në disa pika, si psh.: 

Në parimin e integrimit lëndor, në përfshirjen sistematike të nxënësit në eksperimente e vëzhgime, apo në bindjen se çdo nxënës mund të jetë i suksesshëm. Shkenca për fëmijët është një zgjatim i jetës së përditshme. Natyrshëm ngrihen hipoteza, të cilat tentohet të testohen dhe nxirren përfundime mbi bazën e të cilave do të merren vendime në të ardhmen. Detyra jonë si mësues është t’i inkurajojmë që në edukimin e hershëm, duke ia servirur në mënyrë sa më argëtuese. Të mësuarit bazuar në hetim është një formë e të mësuarit ndërveprues, që fillon duke ngritur pyetje, hipoteza, duke grumbulluar, analizuar dhe interpretuar të dhëna. 

Xhon Djui, filozof i edukimit në fillim të shek. 20, propozoi që shkenca të konsiderohej si një proces dhe mënyrë të menduari dhe jo si një lëndë e cila shërben për të memorizuar fakte. Shkenca është përpjekje për të kuptuar dhe përshkruar botën që na rrethon, por jo vetëm ajo. Si mësuese e artit pamor, më pëlqen t’u mësojë nxënësve të mi, se “metoda artistike”, është e njëjtë me metodën shkencore dhe në fakt të dyja janë më shumë të lidhura dhe të ngjashme nga ç’mendohet. Shpesh, artistët e mi të vegjël, më duken si shkencëtarë, vetëm se ndryshe nga shkencëtarët, të cilët e vëzhgojnë botën për të zbuluar se si funksionon, ata e vëzhgojnë për t’u frymëzuar. Ndërkohë që shkenca i bën gjërat të funksionojnë, arti i bën ato argëtuese dhe kur të dyja bashkëveprojnë, koha “fluturon” pa u kuptuar dhe të nxënit rezulton më efektiv. Cilat janë hapat që duhet të ndiqen gjatë përdorimit të kësaj metode?

Hapi i parë: Bëj një pyetje Ashtu si shkencëtarët edhe artstët fillojnë duke bërë një pyetje rreth asaj që duan të mësojnë. Pyetjet zakonisht fillojnë me si, çfarë, kur, kush, kë, pse ose ku. Psh. Si i përziejmë ngjyrat në mënyrë që të përftojmë një ngjyrë të re, ose çfarë ndodh nëse përziejmë të kuqen me të verdhën, të verdhën me blunë apo të kuqen me blunë.

Hapi i dytë: Formulo një hipotezë Hipoteza është një përgjigje e hamendësuar për pyetjen e ngritur. Pa një hipotezë shkencëtarët nuk do ta mësonin dot nëse ishin duke bërë gjënë e duhur. Në artin pamor nxënësit bëjnë një skicë ose plan, për t’u siguruar nëse projekti reflekton atë që po përpiqen të tregojnë.

Hapi i tretë: Testo hipotezën nëpërmjet një eksperimenti. Eksperimenti teston nëse hipoteza është e vërtetë apo e gabuar. Shpesh është e nevojshme bërja e disa provave, në mënyrë që të përcaktohet se cili faktor e shkakton ndryshimin.

Hapi i katërt: Regjistro dhe analizo rezultatet Regjistrimi dhe analizimi i të dhënave është shumë i rëndësishëm. Duke u krahasuar me hapin e dytë zbulohet nëse hipoteza ishte e saktë apo e gabuar.

Hapi i pestë: Nxirr dhe komuniko përfundimet Pas analizimit të të dhënave, nxirren përfundimet, të cilat u komunikohen edhe të tjerëve, në formën e një prezantimi (për grupmoshat më të vogla), ose botimi (për grupmoshat më të mëdha).

Për të ndarë dhe shkëmbyer me mësues të tjerë nga e gjithë Evropa, eksperimentet e realizuar me nxënësit tuaj, klikoni në linkun këtu.

(Mjafton të shtypni shenjën +, që do të shfaqet poshtë, në të djathtë te ekranit dhe të ngarkoni foto, video etj.).

Klevi Pove

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

"Vitet e punës më japin titullin e mjeshtrit"

Next Article

Studimet për mësuesi, kriter mesatarja

Related Posts