T’a bëjmë këtë botë të vërtetë!

Të gënjesh është e lehtë, por të fitosh besimin e dikujt është gjëja më e vështirë. Ç’do të ndodhte sikur në botë të kishte vetëm njerëz të këqij? Patjetër që nuk do të ekzistonte. E mira dhe e keqja janë të ndërthurura dhe do të vazhdojnë të jenë derisa njerëzimi të ekzistojë.

Ajo cilësi të cilën unë e konsideroj më të keqen është hipokrizia, dyfytyrësia. Ndërkohë, nga ana tjetër, ajo cilësi të cilën e konsideroj virtytin më të mirë është sinqeriteti. Pse? Është shumë e thjeshtë, po aq sa është edhe e vështirë. Të jesh i sinqertë do të thotë të jesh i pastër, të kesh frikë nga Zoti, t’i duash dhe t’i respektosh të tjerët për aq kohë sa edhe ata të respektojnë ty. Të jesh i sinqertë do të thotë të kesh ndërgjegje, të jesh i vetëdijshëm për atë që bën dhe të arrish të bësh mirë.

Të jesh i sinqertë do të thotë të kesh turp e të skuqesh kur bën një gabim dhe të ecësh ballë lartë kur ke të drejtë. 

Është cilësia që unë vlerësoj më shumë te një person përpara se të krijoj miqësi. Në fakt, sinqeriteti, është baza e të gjitha lidhjeve që ekzistojnë. Shoqëria, një çift, familja nuk do të quheshin të tilla, nëse nuk do të kishte sinqeritet dhe pastërti mes tyre.     

Sinqeriteti është një fjalë akoma më e thellë. Ai është shumë i rëndësishëm edhe në letërsi. Veprat letrare patjetër që përmbajnë imagjinatën e shkrimtarit dhe fantazinë e tij, por në qoftë se nuk do të futej edhe realiteti, sado i hidhur qoftë, pra nëse nuk do të jetë i sinqertë, unë mendoj se ai shkrimtar nuk do të ketë sukses. Sado e gënjeshtërt të jetë bota, gjithnjë e vërteta do të dalë në shesh. Njerëzit e sinqertë janë “dhurata” që e mundësojnë këtë gjë. Sa më shumë njerëz të tillë të kishte sot në botë, aq më mirë do të ishte, por po vihet re se njerëzit po shkojnë drejt dinakërisë, së ligës dhe paragjykimeve.

Nëse ne nuk do të paragjykonim pa e njohur tjetrin, nuk do të mundoheshim t’i bënim keq të tjerëve, bota do të ishte një vend më i mirë për të jetuar. Shpeshherë rrimë vetëm duke menduar se njerëzit janë hipokritë e të pashpirt. Por nëse do të flasim më shumë, të rrimë më shumë me njëri-tjetrin, do t’a kuptojmë se gjithsecili prej nesh e ka sinqeritetin dhe të mirën brenda vetes, thjesht rrethanat mund të mos e kenë lejuar t’i përdorë këto cilësi. Prandaj dhe detyra e gjithsecilit është të flasim e të nxisim të mirën dhe të vërtetën te njëri-tjetri. Të nxisim sinqeritetin, që nga fëmijët e vegjël e deri te të moshuarit. T’a bëjmë këtë botë të vërtetë.

(Nga: Nina Ahmetaj)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Tekstet digjitale të miratuara nga MAS

Next Article

Shenjtërohet Nënë Tereza, misionarja e jetës dhe dinjitetit njerëzor

Related Posts