Sugjerimi i ditës/ Libri “Katër burrat” nga Xhentiana Muskaj

Do të ndalemi në librin fitues të konkursit letrar “Fjalë grash” nga Xhentiana Muskaj, që shtëpia botuese Albas hapi në mbështetje të shkrimtareve të reja. Ky libër përkon aq mirë dhe me temën e konkursit të hapur. Edhe pse titullohet “4 burra”, ai iu dedikohet grave, femrave…

Prej vitesh, në tregun e letrave shqipe qarkullojnë skepticizma mbi autorët e rinj shqiptarë, të atilla si: A ia vlen të lexohen? A përshtaten me tregun? Sa preferohen nga lexuesi? Ku çalojnë apo ku e marrin nxitjen për të shkruar?

 Në panairin që sapo kaluam, lexuesit patën mundësi të njihen me vepra nga autorë të rinj pranë stendës së “Albasit”. Në ditët në vijim, në portal do të gjeni të pasqyruar sugjerime dhe analiza mbi tituj të tjerë. Ditën e sotme do të ndalemi në librin fitues të konkursit letrar “Fjalë grash”, që shtëpia botuese Albas hapi në mbështetje të shkrimtareve të reja. Ky libër përkon aq mirë dhe me temën e konkursit të hapur. Edhe pse titullohet “4 burra”, ai iu dedikohet grave, femrave, të cilat jetojnë dhe ndikohen në veprime dhe mendime nga burrat, meshkujt.

Dorëshkrimi “Katër burra” e autores Xhentiana Muskaj, u vlerësua si vepra më e mirë në prozë e paraqitur në këtë konkurs, me motivacionin: për rrëfimin origjinal dhe modern; për lojën psikologjike dhe gjuhën mjaft të pasur.

Ky roman psikologjik nis me një dilemë, zgjidhja e së cilës na fut në një labirint psikologjik për ta zgjidhur dilemën. Cilët janë këta burra dhe çfarë ndikimi kanë ata te rrëfyesi pa emër dhe shpeshherë pa gjini?

“Ata nuk janë katër, janë më shumë se katër. Dy nuk jetojnë më, me dy e lidh gjaku, një e ka lënduar më shumë dhe një më pak dhe një e bën të qesh. Po t’i bësh llogaritë dalin se janë shtatë burra, por u bënë katër. Dhe është edhe një dikush tjetër mes shtatë burrave që u bënë katër. Diku rrëfen askushi dhe diku rrëfen dikushi, që është mes shtatë burrave të bërë katër. Ata kanë ndikim në veprime, pasoja dhe vendime. Dhe në fund mbetet vetëm një dhe nuk është burrë”.

Libri është i ndërtuar si një labirint, ku ti si lexues nuk humbet, por gjendesh përballë historish njerëzore, të thella, njëkohësisht të brishta, pjesë e realitetit tonë të madh e të ngatërruar.  

Personazhet kryesore janë burra pa emër, por me histori që lidhen me rrëfimtarin. Por kush është rrëfimtari? Në libër rrëfimtari na shfaqet pa emër dhe pa gjini, i pandikuar, e sërish aty, pjesë kyç në historitë që dëftohen. Ti si lexues mund të jesh vetë rrëfimtari, në rast kur historia e lexuar përshtatet me ngjarjet nga jeta jote. 

Libri na vjen si një lojë psikologjike, ku lexuesi është në kërkim për gjetjen e vazhdueshme të njohjes së personazheve. Kush është “burri që ka 24 vjet që nuk jeton më”? Po “burri që ka gati një vit që nuk jeton më” apo “burri që, po të mos ishte ai, s’do të isha aq unë”? Një baba, një mik, vëlla, apo bashkëshort, kujt i adresohet historia në fjalë? 

– Pse burra? 

Përtej titullit, në libër rrëfehen edhe fëmijë, dhe gra. Fëmijë që nuk u rritën të bëhen burra dhe gra të pleksura me burra, dhe në fund na mbetet një rrëfimtar pa gjini. Misteri qarkullon në çdo faqe të librit, si hije e pandarë e realitetit ku jetojmë. 

– A janë të vërteta këto ngjarje? 

Shumë lexues janë të etur të lexojnë tregime dhe ngjarje të bazuara nga realiteti ynë, ashtu shqeto, të pakamufluara nga filtrat e bukurisë. Në librin “Katër burra” e vërteta gjallon te secili personazh. Hera-herës të krijohet përshtypja se librin mund ta kesh shkruar ti si lexues, kur ngjarjet mund të lidhen thuajse frikshëm me historitë e tua njerëzore…

Librin e gjeni në mjediset e librarisë Albas! 

Përgatiti: Xhoana Jaku

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Sugjerimi i ditës/ Libri “Katër burrat” nga Xhentiana Muskaj

Next Article

“Tout l’univers”, ekspozita e parë me piktura e artistes dhe mësueses Iriana Papamihali

Related Posts