“Nota është vetëm një numër, por dita e sotme një kujtim që dua ta fshij nga kujtesa”- kështu ka shkruar maturanti Kristi Dushku fill pas dhënies së provimit të detyruar në lëndën gjuhë-letërsi. Këtë mesazh e ka bërë publik mamaja e tij, studiuesja Ledia Dushku duke u shprehur se është krenare për të.
Ditën e djeshme ka pasur reagime të shumta nga maturantët sa i takon testit të provimit të gjuhë-letërsisë, duke e quajtur atë abstrakt dhe jo korrekt për nga ana e hartimit të pyetjeve dhe alternativave, ndërkohë që ata kanë hasur vështirësi edhe për gjetjen e përgjigjeve në libra. Ndër këto reagime spikaste edhe mesazhi i të riut Krisi Dushku, i cili në një status në Facebook është shprehur se “Nota është vetëm një numër, por dita e sotme një kujtim që dua ta fshij nga kujtesa”. Mesazhin e këtij maturanti e ka bërë publikë vetë mamaja e tij, studiuesja Ledia Dushku.
Postimi i plotë nga Kristi Dushku
Jam një nxënës maturant në Republikën e Shqipërisë. Si unë dhe shumë bashkëmoshatar të mi sot zhvilluam provimin e maturës në Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Më kujtohet vetja duke biseduar plotë gëzim me shokët e mi në oborrin e shkollës para provimit. Ishim besimplotë se do të dilnim kokëlartë nga ky provim. Sapo mora fletën e i hodha një sy, një ndjesi e zymtë më përfshiu: pash diçka që se kisha punuar më parë. Mu kujtua modeli i QSHA-së, një test “provë” nga i cili supozohej të ndërtohej testi, por jo ky test, ishte komplet ndryshe. Pyetjet mu dukën shumë abstrakte, alternativat tejet të përafërta. Zgjedhja e tyre kërkonte një përqendrim të lartë. Por a mund të jemi ne, në rendimentin maksimal pas tërmetit, pas pandemisë? Besoj se jo…
Gjatë punimit të tezës, mu kujtuan fjalët e prindërve të mi, fjalët e mësueseve të mia, që gjithmonë më thoshin të mos dorëzohesha kurrë. Dhe unë ja dola, i bëra të gjitha, por nuk mora kënaqësinë që doja.
Më mërziti paaftësia e hartuesve të testit dhe mbi të gjitha mungesa e mirëkuptimit prej tyre të situatës sonë. Kjo e sotmja ishte një nëpërkëmbje e punës sonë dhe mësuesve tanë. Nuk do t’i harroj fytyrat e bashkëmoshatarëve të mi pas provimit.
Një zhgënjim të cilin s’do ta harrojmë kurrë. Nota është vetëm një numër por, kjo ditë një kujtim që dua ta fshij nga kujtesa.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.