Studentët në protestë: Kush s’ka, s’paguan!

(Shkrimi i përditësuar)

Ne, studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, të mbështetur edhe nga studentë të fakulteteve të tjera të universiteteve publike, po mbyllim derën e fakultetit këtë mëngjes të acartë për të shprehur revoltën tonë ndaj zhvatjes së studentëve nëpërmjet tarifave të kripura. Ky janar nisi gjëmën e pritshme për studentët: detyrimin për të paguar një çmim të papërballueshëm për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për të studiuar. Nuk mjafton vetëm agresioni qeveritar me përcaktimin e nivelit të tarifave. Atij i shtohet dritëshkurtësia dhe arroganca e drejtuesve universitarë në pranimin e këtij niveli tarifash dhe detyrimin e studentëve nëpërmjet sanksioneve për t’i paguar ato një orë e më parë.

Gjendja ekonomike e pjesës më të madhe të studentëve sa vjen e bëhet më ulëritëse. Na tarifojnë për të hyrë në shkollë, na tarifojnë për libra e materiale mësimore, na tarifojnë për të mbajtur frymën me bukë, na tarifojnë për një copë strehë, na tarifojnë për pak ngrohje, na tarifojnë për një vërtetim. Me një fjalë, pushtetarë politikë dhe burokratë universitarë na kanë shndërruar në shënjestrën e vendimeve të tyre të mbrapshta.

Por ne as kemi fjetur, as do të durojmë më dhunën e disafishtë. Me zënien e derës së fakultetit tonë, u tregojmë qeveritarëve dhe burokratëve se, ashtu siç po na e pamundësojnë shkollimin, do t’ua pamundësojmë drejtimin.

Prandaj i kërkojmë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të marrë sa më parë vendimin e uljes së ndjeshme të tarifave studentore. I kërkojmë po ashtu të angazhohet politikisht në hartimin e një plani disahapësh për uljen e vitpasvitshme të tarifave deri në garantimin e arsimit publik falas për çdo student të universiteteve publike që dëshmon aftësitë e duhura për të ndjekur studimet universitare.

I kërkojmë, nga ana tjetër, dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe rektorit të Universitetit të Tiranës të anulojnë të gjitha vendimet që parashikojnë sanksione ndaj studentëve që e kanë të pamundur të paguajnë tarifën studimore. Të heqin dorë nga kërcënimet për mosfutje studentësh në provime apo ndalesa të tjera të ushtrimit të të drejtave studentore. U kërkojmë po ashtu të shtyjnë dhe të fragmentarizojnë afatet e pagimit të tarifave për studentët e tjerë.

U bëjmë thirrje po ashtu të gjithë studentëve të universiteteve publike të organizohen fakultet më fakultet dhe t’i rezistojnë në të gjitha format e mundshme tarifave të larta dhe të kërkojnë realizimin me çdo kusht të të drejtave studentore.

Nëse kërkesat tona nuk shqyrtohen me seriozitet maksimal dhe nuk marrin përgjigje pozitive, zotohemi se do të japim shpirtin në organizimin e studentëve të të gjitha fakulteteve për bllokimin e krejt jetës universitare. Qeveritarët dhe burokratët universitarë nuk do të gëzojnë asnjë ditë të qetë përderisa persekutojnë studentët.

Kush s’ka, s’paguan!

©Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Ministrja Nikolla ndjek një orë mësimi në klasën e parë

Next Article

Pianistja diplomohet me medalje ari në Financë-Kontabilitet

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427