Si t’i shkruajmë dhe si t’i shqiptojmë saktë emrat e fëmijëve

Disa emra mashkullorë që lakohen si emrat e gjinisë femërore dhe e kundërta

Shumë herë në jetën e përditshme na ndodh që t’i shqiptojmë gabim emrat e fëmijëve, pa mbaresat rasore ose t’i ngatërrojmë ato, duke i gjymtuar disi këta emra (p.sh.: “Jepja Geldon” jo “Jepja Geldonit”). Emrat në gjuhën shqipe kanë kategorinë e rasës, ndaj ata duhet të shkruhen e shqiptohen me mbaresat përkatëse të të gjitha rasave.

Shumë biseda me mikeshat e mia mbyllen kështu: “Puthe Amelën nga unë” ose “Ma puth Amel”. Kjo trajtë e emrit të vajzës sime, e cila quhet Amel (një zgjedhje jona që ajo të quhej kështu), më ka bërë të mendohem se pse ne bëjmë gabime në lakimin e disa emrave të përveçëm. 

Sot në shoqërinë tonë shihet prirja për t’u vendosur fëmijëve emra duke bashkuar iniciale të emrave të prindërve ose të të afërmve ose emra nga gjuhë të huaja. Mirëpo kjo gjë ka krijuar disi probleme në shqiptimin dhe shkrimin e saktë të tyre. Shihet se shumë vajza kanë emra që marrin mbaresat gramatikore të gjinisë mashkullore, si Kejsi, Enesi, Ameli, Stejsi, Ajli etj., ashtu siç ka dhe shumë emra djemsh, si Mateo, Leo, Andrea, Ledio, Nikola, Eneo etj., që nëpër rasa marrin mbaresat gramatikore të gjinisë femërore. Kjo ka shfaqur dukurinë e mospërputhjes së gjinisë gramatikore me gjininë natyrore të disa emrave. Kjo dukuri shihet edhe te një kategori emrash mashkullorë, qoftë të përgjithshëm apo të përveçëm, si: daja, axha, hoxha, Leka, Prenga etj., që marrin mbaresat rasore të gjinisë femërore. Sipas gramatikës së gjuhës sonë, gjinia e këtyre emrave është ajo natyrore dhe jo gramatikore. 

P.sh., Leka, Andrea, daja, hoxha etj., janë emra të gjinisë mashkullore, kurse Kejsi, Esteri Ajli etj., janë emra të gjinisë femërore, edhe pse marrin mbaresat gramatikore të gjinisë mashkullore. 

Kujdes, emrat e saj kategorie, pra që shfaqin dukurinë e mospërputhjes së gjinisë gramatikore me gjininë natyrore, duhet të shqiptohen dhe shkruhen mbaresat përkatëse rasore. P.sh.: “Puthe Amelin”, “Ma dha Mateoja”, “I shkrova Ajlit” etj. 

(Përgatiti: Sevi (Lami) Agolli)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Prindër qetësohuni, pastaj edukoni fëmijët!

Next Article

8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427