Si mund të reduktojmë kohën e qëndrimit të fëmijëve në celular?

“Çfarë mund të bëj unë si prind që të reduktoj kohën e qëndrimit të fëmijës tim në celular, tablet apo iPad?” -ky është shqetësimi i çdo prindi në ditët e sotme. Këshillat e mëposhtme janë tepër praktike dhe nuk mjaftojnë vetëm t’i lexoni, por edhe t’i zbatoni për një rezultat të mundshëm.

Jetojmë në kohën e teknologjisë dhe është shumë e vështirë, madje në dukje e pamundur, që të mbajmë celularin larg vetes dhe fëmijëve tanë. Por ama për kohën e qëndrimit mund të bëhet diçka, ku gjithsecili mund t’i bëj pyetje vetes “Çfarë mund te bej unë konkretisht që të paktën të ndikoj në mendjen e fëmijës tim në mënyrë produktive?”.

 Me këshillat e mëposhtme një ndryshim mund të ndodh, ndaj: 

1. Të bëhemi shembull për fëmijën. Fëmija duke parë prindërit që qëndrojnë gjithë kohës në telefon, do të veprojë njëlloj si ata. Ndaj e mira është që ne të bëhemi shembull i mos përdorimit të shpeshtë e me orë të zgjatura të teknologjisë, ose aparateve celularë.  

2. Ta orientojmë fëmijën drejt një veprimtarie që ai/ajo pëlqen, duke krijuar një rutinë të përditshme (vizatim-ngjyrosje, gatim, shkuarja në një park lodrash, bërja e pazareve)

3. T’i prezantojmë fëmijës librin, si një dhuratë të paçmuar, si një burim të sigurt informacioni. Dëshirën për librat mund t’ia injektojmë qëkur ata janë fare të vegjël, me leximin e përrallave para gjumit, çdo natë.  

4. Le të luajmë ose të krijojmë lojëra duke u përfshirë edhe ne vet me fëmijët. Lojërat mund t’i zhvillojmë edhe në ambientet e shtëpisë, si për shembull mund të luajmë kukafshehthi, shah,  letra, monopol, mos u nxeh, ose të kërkojmë në internet për aktivitete dhe lojëra të reja që i mbajnë fëmijët të angazhuar. 

5. T’i prezantojmë fëmijës një instrument muzikor. 

6. Të bëjmë shëtitje të shpeshta në natyrë.  

7. Të provojmë të mbajmë në shtëpi një kafshë shtëpiake dhe t’i japim mundësi fëmijës të kujdeset për të.  

8. Përdorimi i whiteboard (ose dërrasës së vogël të bardhë). 

Sigurisht që sipas karakteristikave të fëmijës mund të përshtatim dhe mënyra të reja të cilat na bëjnë të kalojmë kohën në mënyrë më të frytshme dhe më argëtuese. Kështu zhvillohet dhe përmirësohet më tej shpirti, mendja dhe personaliteti i fëmijës. Më e rëndësishmja është që sa të mundemi si prindër të kalojmë kohë cilësore me fëmijën. Qoftë edhe duke parë një film së bashku. Filmat bardh e zi p.sh, mund t’i prezantohen fëmijës si filma plot mesazh dhe kuptim, për shembull mund të shihni bashkë me ta filmat e njohur si “Beni ecën vetë” apo “Mimoza llastica”, etj. Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, duhet të jeni prezent në jetën e tyre sot! 

Koha e shumtë dhe cilësore e kaluar më fëmijët i mban ata larg internetit! 

Përfshijini në aktivitetet tuaja ditore, aftësojini për jetën nëpërmjet punës dhe jo ndenjes në divan me një levë “play station”-i para. Dedikimi ynë ndikon në njeriun e nesërm! Gjithçka është e mundur, vetëm në saj të përkushtimit! Përpiquni pak dhe do të shikoni shumë rezultat! 

MSc. Malvina Rista, Mësuese, Trajnuese, Koordinatore në fushën e Edukimit

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Çelet më 8 maj ekspozita XXV Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, fushatë për vlerat humanitare

Next Article

Ese/ Nënvlerësimi që i bëhet natyrës dhe mjedisit tonë

Related Posts