Si e shprehte dashurinë Dritëro Agolli?

Dritëro Agolli shkruante letra të bukura dashurie. E bija e tij Elona, ka publikuar disa letra që ai ia dërgonte të shoqes Sadijes, në kohën e njohjes së tyre. Letra të ndjera ku tregohet dashuria për gruan me të cilën jetoi jetën.

“E dashur Sadije,

U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc-mërc. Emrin tim e ke edhe në pasaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prape bashkë do të ishim.

Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qerasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.

Lutjen a e bëre? Mos e lër pas dore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë, se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjendjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bëmë natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.

Eja papritur ndonjëherë.

Të puth shumë

Dritëro

7.1.1965

Ngrive ti sot tek autobuzi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët! Sa marr udhën për në shtëpi, mendoj për të ardhur prapë tek ti. Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem, dhe pa marrë biletën them me vehte: sikur mos ketë bileta e të ik pasdite! (megjithëse duhet ikur në mëngjes).

Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë me rep

ublikën e plakut, megjithëse është e vjetër, po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

Yti Dritëro

8 janar 65

“E dashur Sadije, si je, moj gruaja ime e shtrenjtë? Je bërë fare dembele, as shkruan letra, as na vjen nga Tirana. Unë rri këtu vetëm e mërzitem për ty. Kur vij ndonjëherë vonë, në dhomë s’ka dritë, në dhomë është ftohtë. Atëherë them me vehte se po të ishte Sadija ime e dashur nuk do të mbretëronte kjo gjëndje !

Prushi në mangall po më shuhet. Në dhomë po bën ftohtë. Më duket sikur jam brenda në ujë, si peshqit e mij në akuarium. Dua të mbulohem me jorgan, pra, që t’i shpëtoj këtij të ftohti. Prandaj natën e mirë.

Të puth shumë

Dritëro

10.1.1965 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

"Nisma kërkon mjedis, mjete didaktike e mësues aktiv"

Next Article

Mësues, mos kini frikë të thoni “jo”!

Related Posts