Deri në fund të këtij viti shkollor numri i mësuesve ndihmës që do të angazhohen për nxënësit me aftësi të veçanta do të shkojë në 1000
Është rritur me 60 numri i mësuesve ndihmës të cilët do të punojnë posaçërisht me nxënësit me aftësi të kufizuara. Më konkretisht deri në fund të këtij viti shkollor numri i këtyre mësuesve me këtë funksion do të shkojë në 1000 nga 940 që ndodhen aktualisht në sistem. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e thirrur në interpelancën e fundit qytetare ka sqaruar se nevojat janë ende të mëdha kur numri i nxënësve të kësaj kategorie që ndjekin shkollat ka shkuar në 4400.
“Nga viti 2013 ku ka pasur zero mësues ndihmës, sot kemi 930 mësues ndihmës në sistem me idenë që do e rrisim numrin vazhdimisht. Kjo ka ndikuar gjithashtu që të rritet numri i nxënësve me aftësi të kufizuar, i kemi sot në shkollat tona. Pra, nga 3200 që kemi pasur atëherë, sot kemi diku 4400 nxënës me aftësi të kufizuara. Pra, një rol shtesë që ka luajtur kjo politikë është një rol emancipues për familjet. Familjet më parë kanë menduar se fëmijët me aftësi të kufizuar nuk mund të përmirësojnë arritjet e tyre akademike, sot i kanë vendosur fëmijët e tyre pranë shkollave dhe me ndihmën tuaj ata janë duke bërë progres mjaftueshëm mirë”, tha Shahini.
Ndërsa për të gjithë ata psikologë që kanë punuar për një periudhë të caktuar kohore si mësues ndihmës Shahini sqaroi se do të vijojnë të punojnë me kontrata të përkohshme derisa të licensiohen. Ne muajit ne vijim do te behet plani për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës sipas nevojave nëpër shkolla të ndryshme te vendit.
Nanila Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.