Shkollimi, drejtimi i duhur

Për të zhvilluar një shoqëri të qëndrueshme demokratike është i nevojshëm shkollimi në bazë të gjerë i shoqërisë, sepse DEMOKRACIA nuk imponohet, ajo ndërtohet brenda. 

Demokracia, qeverisja nga njerëzit për njerëzit, është sistemi më i mirë rregull vënës i arritur pas shumë luftërash e sistemesh të tjera të dëmshme. 

Aty gjejmë të reflektuar vullnetin e popullit në mënyrë të lirë e vendimtare për mirëqenien e të gjithëve. Në demokraci shpalosen vlerat e individit dhe i mëshohen respektimit të kodit etik dhe moral. Çdokujt i jepet mundësia për të qenë i lumtur dhe për të ndërtuar jetën e tij si i barabartë, deri aty ku nuk cenon tjetrin.  

Por gjithë këto përkufizime e cilësime, diku duhet të mësohen që të kuptohen. Prandaj ka lindur nevoja që individi të arsimohet dhe të pajiset me dije. Në shkollë, në radhë të parë, mësojmë të drejtat dhe detyrat tona. Nëpërmjet librave, ne zbulojmë se kush jemi, kush kemi qenë dhe çfarë kemi bërë. Ne formojmë idetë tona mbi universin dhe jetën. Marrim shembullin e duhur për të ecur në rrugë të drejtë. 

Procesi i të mësuarit është një proces që fillon dhe mbaron me jetën tonë, por fazat më të rëndësishme janë fëmijëria dhe adoleshenca. Ne kemi nevojë të mbështetemi diku ose të imitojmë dikë, pra të ndërtojmë shtyllën tonë mbajtëse. Ka shumë rëndësi modeli që ne kemi, pasi ai do t’i përcaktojë konturet mënyrës sonë të të gjykuarit, ideve dhe sjelljes. Këtu hyn roli thelbësor i shkollës si model për zhvillimin e shëndetshëm të gjithsecilit. 

Shkolla na tregon se si disa njihen për eksperiencën e tyre të gjerë dhe të pasur, për rekordet në shërbim të njerëzimit, modestinë dhe thjeshtësinë. Në shkollë formohen intelektualet, por në radhë të parë formohen moralet dhe i hidhet dritë kulturës. Në shkollë mësojmë se si të mendojmë në mënyrë racionale, që është edhe çelësi i përparimit dhe i arritjes së lumturisë.    

Në shoqërinë demokrate, populli është sovran dhe ligjvënës. Ai ka pushtetin për të vendosur të ardhmen dhe drejtimin e vendit. Ja pse e drejta e votës së lirë dhe të pavarur është e çmuar dhe themeltare në mirëfunksionimin e strukturave të vendit. Ai që zgjidhet si “kryetar” është jo i tillë për të plotësuar egon e tij si njeri i lartë dhe i pushtetshëm, por për të përfaqësuar idealet e popullit prej nga doli dhe u zgjodh. Kjo sepse, populli posedon postin më të lartë në shtetin demokratik. Që ky kryetar të zgjidhet si më i denji, populli duhet të mendojë, të analizojë dhe të krahasojë një sërë mundësish dhe faktorësh. 

Një mendim i tillë kritik, duke marrë parasysh shkallën e lartë të rëndësisë së bërjes së zgjedhjes së duhur, arrihet vetëm duke pasur një mori informacionesh me të cilat të punosh, dhe një tru të “vajosur mirë”. Platoni ka thënë “Bota nuk do të jetë ashtu siç duhet deri atëherë kur mbretërit të bëhen filozof dhe filozofët mbretër”. Ndoshta të qenurit “filozof” nuk është kriteri absolut, por intelektual, i shumë lexuar, ambicioz dhe mendje hapur janë hapat e duhura për të qenë një drejtues i plotësuar. Truri është një muskul në vetvete dhe si i tillë ka nevojë të përdoret vazhdimisht që të jetë në formën e duhur. Të lexuarit dhe të mësuarit janë nga stërvitjet më të mira dhe argëtuese që mund të kryhen. 

Shkolla e nxit vazhdimisht këtë lloj aktiviteti dhe e kultivon me kujdesin më të madh kur sheh se si interesi rritet. E nëse arrijmë të mbjellim një farë të mirë në një tokë të plehëruar, me ajër të pastër dhe diell të bollshëm, do të çelë një lule e bukur dhe e shëndetshme. Nëse për këtë lule, do të tregojmë kujdesin e vazhdueshëm edhe duke e vendosur pranë luleve të tjera të ngjashme, do të kemi kopshtin më të bukur dhe aromatik. Këto lule më pas do të lëshojnë farën e tyre po në ketë tokë. E çdo herë që kjo do të përsëritet, një brez më i mirë lulesh do të çelë, e ndoshta, me një aromë fare të re, dehëse, me nuanca freskie dhe shprese.

(Nga: Rea Shundi)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Një risi në Universitetin e Tiranës dhe jo vetëm

Next Article

Roli i drejtorit në krijimin e klimës pozitive në shkollë

Related Posts