Shkolla “Luigj Gurakuqi” në Elbasan përmbylli Tetorin e Librit me aktivitetin kushtuar poetes së njohur Rita Petro

Tetori i Librit në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Elbasan u përmbyll tepër hareshëm.Mësues e nxënës të moshave të ndryshme u bënë bashkë për të mirëpritur në një bashkëbisedim poeten e njohur, Rita Petro.Me gjithë larmishmërinë e interpretimeve dhe bisedave rreth librit,aktiviteti la mbresa tek të pranishmit.

Libri bashkon çdo moshë dhe ky bashkim gati-gati formon një shkëlqim unik. I tillë ishte aktiviteti që përmbylli muajin Tetor të Librit në ish pedagogjiken e Elbasanit, shkollën “Luigj Gurakuqi”, teksa mësues e nxënës ftuan në një bashkëbisedim poeten dhe shkrimtaren e njohur Rita Petro.

Mbase ky ka qenë aktiviteti i parë për znj. Rita Petro ku në një sallë ishin mbledhur lexues të moshave të ndryshme, të cilët e ndiqnin me kërshëri. Por thjeshtësia dhe qartësia në të shprehur e poetes përçoi te secili prej tyre mesazhe edukuese për librin dhe letërsinë. 

E ftuar në këtë aktivitet ishte edhe Znj.Edlira Gugu, pedagoge dhe specialiste e gjuhës dhe e letërsisë shqipe. 

Aktiviteti letrar nisi me prezantimin që iu bë jetës dhe veprës së shkrimtares Rita Petro, ndërsa më pas iu dha kohë bashkëbisedimit me nxënësit për mënyrën se si ndikon leximi dhe librat e mirë në jetën e gjithsecilit prej nesh.

Nxënësit ishin tepër kureshtarë. Mënyra se si ata i drejtonin pyetjet shkrimtares së ftuar tregonte se dinin t’i përzgjidhnin dhe t’i përdornin bukur fjalët shqipe. Rita Petro u pyet nga nxënësit për tema të cilat kishin lidhje me veprimtarinë e saj si botuese, por edhe si shkrimtare, poete. Ajo iu përgjigjet atyre për mënyrën se si bëhet përzgjedhja e pjesëve letrare në tekstet shkollore; foli për prirjet dhe librat që kanë ndikuar në jetën si shkrimtare; përmendi pasionet dhe planet në të ardhmen, ndërsa nuk ngurroi t’i frymëzonte me shembuj nga jeta e saj për t’u thënë se ëndrrat realizohen nëse i ndjek ato dhe punon fort. 

Sakaq nxënësit  i njihnin mjaft mirë librat e botuar nga ALBAS. Kjo u duk në interpretimet mjaft të arrira që kishin përgatitur për këtë rast. Ishte tepër emocionues momenti nga dramatizimi i pjesës “Koha kalon, gjithçka ndryshon”; por edhe recitimet e poezive të marra nga tekstet e gjuhës shqipe të Albas morën shumë duartrokitje. 

*Projekt-teatër i fëmijëve për pjesën “Koha kalon, gjithçka ndryshon”


*Poezi nga Bedri Dedja

Veprimtaritë e mësipërme u organizuan nën kujdesin e mësueses koordinatore të aktiviteteve në shkollën “Luigj  Gurakuqi”, Aurjola Bezati dhe mësuesit e departamentit të gjuhë letërsisë.

“Me rastin e muajit të letërsisë shkolla jonë organizoi aktivitetin përmbyllës duke u nderuar me pjesmarrjen e poetes, shkrimtares së  madhe të letrave Rita Petro. Ku patëm nderin dhe kënaqësinë të dialogonim e të shkëmbenim mesazhe rreth librit dhe letërsisë. Gjithashtu nxënësit, mësuesit u njohën me krijimtarinë letrare artistike të poetes. Falënderojmë poeten Rita Petro dhe pedagogen e Gjuhë -Letërsisë Eda Gugu, që na u bashkuan aktivitetit tonë duke na përcjellë mesazhe edukuese për librin e letërsinë. Falënderojmë nxënësit të cilët janë bashkëpunues për realizimin e aktiviteteve në shkollë. Faleminderit dhe mirënjohës të gjithëve”, kështu u shpreh mësuesja Aurjola Bezati. 

Por si u ndje vet poetja pas aktivitetit të mbajtur për të nga shkolla “Luigj Gurakuqi”? 

“Dita e fundit e Tetorit të Librit – si qershia mbi tortë. Bashkëbiseduam me nxënësit për mënyrën se si librat e mirë na pasurojnë imagjinatën, na ndriçojnë vlerat brenda vetes, na përmirësojnë komunikimin tonë me të tjerët, na forcojnë argumentin, që nesër të sfidojmë vështirësitë e jetës përmes dijes. Ishte hera e parë që ishin mbledhur mësues e nxënës të moshave të ndryshme. Ata  punojnë me botimet e Albasit dhe ishte bukur, sepse zbulova që ata ishin kuriozë se si ndërtohet një tekst dhe si përpiqemi ne ta përshtatim atë sipas grupmoshave.  Më emocionuan shumë disa nga recitimet e poezive të marra nga tekstet e gjuhës shqipe. Poezi nga Bedri Dedja, Agim Deva, apo dramatizimi i pjesës ‘Koha kalon, gjithçka ndryshon’. Ndonëse në mosha të ndryshme, komunikimi u realizua bukur, falë librit, që bashkon çdo moshë. Gjithashtu, falë kujdesit të mësueseve, ndihej se nxënësit ishin aq të formuar, të lirë në mendimet e tyre dhe plot talente e pasione të bukura. Sa herë jam në aktivitete të tilla ndihem e lumtur për profesionin tim që më lidh me fëmijët, përmes botimeve shkollore, dhe me lexuesit e rritur, përmes poezisë dhe shkrimeve të tjera. Libri na bashkon e na ndriçon”, u shpreh Rita Petro. 

Ndërkohë pedagogia e pranishme në këtë aktivitet Znj.Edlira Gugu foli për rëndësinë e leximit që në moshë të vogël.


“Për fëmijët do doja të kisha vetëm një kërkesë: përpiquni ta bëni librin mikun tuaj sepse duke folur me librin ju kuptoni dhe merrni kuptimet e vërteta të jetës”,
 kështu u shpreh Edlira Gugu. 

Notat muzikore përmes kitarës ja shtuan edhe më bukurinë këtij aktiviteti, aktivitet përmes të cilit u përcollën mesazhe tepër të vyera për rëndësinë që ka lidhja e të rinjve me librin, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë. 

Poetja e guximshme Rita Petro e cila ka thyer tabu në mendësinë shqiptare, në fund të aktivitetit veçoi këtë mesazh që u vlen të rinjve të sotëm: 

“Juve tani bombardoheni shumë nga rrjetet sociale. Nuk ka gjë edhe nëse i ndiqni këto rrjete, por mos u mundoni të bëheni si tjetri. Imazhi është gjithmonë gënjeshtar, ndaj është shumë e rëndësishme të zbuloni te vetja pasionet tuaja. Kapuni fort te gjërat e bukura që keni”.  

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Nxënësja Deni Demaj iu bashkua kauzës "Dhuroni flokë, dhuroni shpresë"

Next Article

Shkolla “Luigj Gurakuqi” në Elbasan përmbylli Tetorin e Librit me aktivitetin kushtuar poetes së njohur Rita Petro

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427