“Dyfishimi i numrit të punonjësve të shërbimit psiko-social është një hap i rëndësishëm në fuqizimin e mëtejshëm dhe përballimin e sfidave të shkollave”, kështu ka deklaruar në një takim me punonjës të shërbimit psiko-social ministrja Kushi.
Punonjës të shërbimit psiko-social janë takuar me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ku kanë bashkëbiseduar në lidhje me shqetësimet, sfidat dhe përgjegjësitë e shtuara në këtë kohë pandemie.
“Dyfishimi këtë vit shkollor i numrit të punonjësve të shërbimit psiko-social është një hap i rëndësishëm në fuqizimin e mëtejshëm dhe përballimin e sfidave të shkollave, mësuesve, nxënësve dhe komunitetit të prindërve”- shprehet Kushi.
Në këtë takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, punonjës të ndryshëm të shërbimit psiko-social kanë shprehur problematika dhe sugjerime që kanë të bëjnë me përditshmërinë e tyre. Ministrja Kushi shprehet se pandemia ia ka rritur përgjegjësitë dhe ka shtuar dinamikën e punës së tyre.
“Në këtë aspekt, ofrova gjithë gatishmërinë time maksimale për të bashkërenduar përpjekjet tona të përbashkëta në adresimin e çështjeve që kanë në fokus mirëqenien e komunitetit shkollor”– shkruan Kushi në statusin e saj në rrjetin social.
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.