Shek. i 21-të apo Shek. XXI?

Si t’i shkruajmë saktë numrat rreshtorë me shifra romake dhe arabe

Ndodh shpesh, që në tekste të ndryshme lind nevoja e përdorimit të numrave rreshtorë. 

Në gjuhën tonë, si dhe në shumë gjuhë të tjera, përdoret sistemi i numrave arabë me 10 shifra (0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9). Ky sistem numrash është parë si më i përshtatshëm dhe më i lehtë në përdorim se sistemet e tjera të numrave. Ndaj dhe sistemi i numrave arabë është më i përhapur dhe më i përdorshëm sot. 

Në gjuhën shqipe numrat shkruhen: 

– me shifra arabe: 1, 2, 3… 8, 9, 10…, që është dhe sistemi më i përdorshëm në jetën e përditshme;

– me shifra romake: I, II, III….VIII, IX, X…., kryesisht në tekste historike dhe letrare;

– me fjalë; një, dy, tre… tetë, nëntë, dhjetë… kryesisht në letërsi artistike. 

Mirëpo duhet të kemi parasysh dy rregulla të rëndësishme (Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, pika 68 gj, f. 137), kur numërorët rreshtorë shkruhen me shifra arabe apo romake:

1) Kur numërori rreshtor shkruhet me shifër romake, ai përdoret pa prapashtesë dhe pa nyjë të përparme. Pra, kemi: klasa I, kongresi V, kreu XVI, shek. XX, Gjergj Balsha I, Luigji XIV, Mehmeti II etj. Është gabim të shkruhet: klasa e I, shek. i XXI, Mehmeti i II etj.

2) Kur numërorët rreshtorë shënohen me shifra arabe, shkruhet nyja dhe pas numërorit vihen mbaresat rasore. P.sh., shek. i 21-të, klasa e 2-të, kreu i 5-të, kongresi i 6-të etj.

KUJDES! Numërorët rreshtorë që shënojnë shkallët e përgjegjësisë në organizatat shoqërore, në ushtri etj., shkruhen gjithnjë me shkronja e jo me shifra romake: kapiten i parë, piloti i dytë, sekretari i dytë i ambasadës etj. 

Sevi Lami Agolli 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

A duhen mbajtur kamerat ndezur gjatë mësimit në distancë? Nxënësit japin mendimet e tyre

Next Article

Për ty nënë dhe grua!

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427