Rreth romanit “Lidhëse”

Romani “Lidhëse” është e para vepër e shkrimtarit italian Domenico Starnone që përkthehet në gjuhën shqipe, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore italiane, i nderuar me disa çmime, mes tyre dhe çmimi prestigjioz Strega. 

Në mediat italiane shpesh është aluduar se Domenico Starnone është autori që fshihet pas emrit të shkrimtares Elena Ferrante, anonimiteti i së cilës është kthyer në fenomen që prej vitesh i ka kaluar kufijtë e Italisë. 

“Lidhëse”, është i pari roman i këtij autori, – autor i bërë i njohur prej disa veprave të shkruara po aq mirë, po jo aq të shitura, – që, për disa muaj rresht, shiti mijëra kopje në javë në mbarë Italinë dhe u përkthye në mbi 15 gjuhë të botës. 

“Nëse ty të ka dalë nga mendja, zotëri i nderuar, po ta kujtoj unë: jam jot shoqe”, – kështu hapet letra që Vanda i shkruan të shoqit, Aldos, i cili është larguar nga shtëpia, duke e lënë në mjerim bashkë me dy fëmijë të vegjël. 

Te romani “Lidhëse” rrëfehet historia e një familjeje në pesëdhjetë e kusur vite, si dhe metamorfoza dhe udhëtimi në katër breza, i një egoizmi prindëror cinik, egoizëm që edhe kur nuk është i dukshëm është gjithmonë i pranishëm, që, në një farë mënyre, u vjedh jetën secilit brez trashëgimtarësh që pason.

Lidhëse është një roman mbi dashurinë dhe tradhtinë, që rrëfen në detaje të gjitha plasaritjet e jetës familjare, që dëshmon në mënyrë besnike gjithë zhurmën që sjell një divorc. 

Historia e një familjeje e rrëfyer në tri linja, e mbushur me detaje, ku, gjatë leximit kuptohet se, asnjëri prej tyre nuk mbetet rastësor. 

Mllefi i një gruaje të re, e braktisur nga bashkëshorti, i cili është larguar nga shtëpia, duke e lënë me një barrë pikëpyetjesh pa përgjigje dhe një lëmsh dufi që pret të shpërthejë; një intelektual në moshë të thyer që rrëfen me sinqeritet dhe autoironi elegante kujtimet e një jete, karrierën dhe raportin me dashurinë, si dhe përballjen e njeriut me pleqërinë; një hakmarrje në dukje banale dhe e pakuptimtë mbyll romanin, por që u zgjon personazheve kujtimet e një jete. Në fund të fundit, a nuk janë hakmarrjet pjellë e kujtimeve? Po kujtimet ç’janë? Shumëçka, por së pari lidhëse…

*Romani do të jetë në stendën e Botimeve Albas në Panairin e Librit në Tiranë. Për ata që janë jashtë Shqipërisë librin mund ta porosisin online duke klikuar www.librarialbas.al

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

“Hajdi”, vjen në shqip me përkthimin e papërsëritshëm të Afrim Koçit

Next Article

Rreth librit “Stinët e motmotit”

Related Posts