Një intervistë me Genci Muçollarin, përkthyesin e librit “Bijtë e gënjeshtrës” të Scott Peck botuar në gjuhën shqipe nga ALBAS, i cila na tregon më shumë për këtë libër dhe se sa aktual është ky libër në Shqipëri.
M. Scott Peck (1936-2005): psikiatër amerikan dhe autor best-selling, i njohur veçanërisht me librin “Rruga në të cilën rrallë shkohet” botuar në gjuhën shqipe nga ALBAS. Emri i tij u bë shumë shpejt në botë strehëz për turmat në kërkim të ndihmës për vetveten. Në librin “Bijtë e gënjeshtrës”, Peck hulumton thelbin e së keqes njerëzore. Përkthyesi i këtij libri në gjuhën shqipe Genci Muçollari tregon se sa kohë iu desh për të përkthyer këtë vepër dhe se si e gjejnë veten shqiptarët në këtë libër.
Sa kohë ju desh të punoni për të sjellë në shqip librin “Bijtë e gënjeshtrës” të Scott Peck?
Libri “Bijtë e gënjeshtrës” të Scott Peck ishte një libër që të tërhiqte që në faqen e parë, sepse është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për cilindo, natyrisht dhe për publikun shqiptar. Pavarësisht titullit, që është shumë intrigues, shtrirja e autorit zgjerohet shumë deri në zona pranë religjionit dhe praktikave fetare të cilat konsiderohen si jashtë fokusit të shkencës. U deshën rreth dy muaj punë intensive përkthimi dhe redaktimi që të arrihej në nivelin e dëshiruar. Kjo sepse në libër ndërthuren disa disiplina shkencore si psikologjia, psikiatria, mjeksia, religjioni dhe gjuha e përditshme e personazheve jetësorë.
Albas përzgjodhi këtë libër për ta sjellë në gjuhën shqipe. Si u gjendët ju në këtë bashkëpunim?
Përzgjedhja nga Albas ishte e gjetur, ashtu si dhe në librin e mëparshëm të Scott Peck “Rruga në të cilën rrallë shkohet” një libër që u mirëprit nga lexuesi shqiptar. Bashkëpunimi mes nesh është më i hershëm, dhe zë fill nga botimet shkollore, “Gjuha shqipe dhe letërsia 12”, si dhe përkthime të librave me tematikë Joga dhe Meditimi, duke sjellë një risi dhe këndvështrim ndryshe për botën, fenomenet dhe përtej tyre, në transhendencë.
Çfarë të veçante sjell ky libër? Çfarë trajtohet në të?
E veçanta e librit qëndron në atë se e keqja njerëzore nuk është diçka abstrakte jashtë nesh, por një realitet, shpesh therës dhe i dhimbshëm që mund të shkatërrojë jetët e disa njerëzve dhe të atyre përreth. E keqja, madje shtrihet në shumë sfera ku vepron qenia njerëzorë; individuale, familjare, komunitare, shoqërore, si dhe politiko-ushtarake. Ligësia shpesh maskohet me vellon e dashurisë dhe afeksionit në marrëdhëniet familjare dhe sociale. Autori me shumë elegancë dhe mjeshtëri, duke sjellë shembuj dhe nga përvoja e tij personale, na shpalos efektin që ka e keqja njerëzore, si dhe mundësitë për ta adresuar, dhe sugjeron disa rrugëdalje për të shpëtuar. Në fund autori futet dhe në zona të ndjeshme të religjionit, si psh përballja e ligësisë djallëzore në formën më ekstreme, duke përdorur dhe ekzorcizmin. Madje ai ngul këmbë që ekzorcizmi duhet studiuar dhe zbatuar dhe nga shkenca e psiko-analizës, si një mjet efikas qe arrin rezultate të prekshme. Shpesh më duket, siç pohon dhe vetë autori, se ai ndërfutet dhe në zona budiste apo Joga, ku e keqja është e aftë të transformohet apo konfondohet me forma të tjera të realitetit njerëzor, të cilat kanë lidhje me botën e brendshme që mbetet ende një zonë pak e njohur. Koncepti i vuajtjes dhe dhimbjes njerëzore (tipike Buda) si dhe mundësitë e daljes nga ky rreth vicioz, me vetëdije apo pavetëdije, përshkojnë gjithë librin. Çmenduritë individuale dhe shoqërore, që arrijnë deri ne majat më të larta të pushtetit, janë një realitet i prekshëm për të gjithë ata që kanë një fije ndërgjegjësimi social.
Ju si përkthyes, si e gjykoni, a e gjejnë veten shqiptarët në këtë libër?
Libri është shumë aktual dhe në Shqipëri ku e keqja është trashur kaq shumë sa po na zë frymën, dhe ç’është më e keqja, shkalla e reagimit është në nivele të ulëta. Ligësia dhe frika e ka aftësinë të paralizojë kaq shumë atë pak intelekt njerëzor që ka pjesa më e madhe e njerëzve, duke kaluar më tej në një pasivitet të ngurtë në zonën e veprimit dhe aksionit në terren. E gjithë kjo në një dritë të një letargjie kolektive nga e cila duhet forcë dhe energji për të dalë. Mesazhi i librit mbetet optimist, ne aspektin se të gjitha këto barriera që na pengojnë të ecim përpara janë shpesh mendore, apo sajime të mendjes të cilat mund të kapërcehen, shpesh dhe me ndihmën e një personi të specializuar, apo metodologjie të mirë përcaktuar, që të orienton në errësirën e pavetëdijes si një dritë në një territor të errët.
Shkenca, jo gjithmonë është e vetmja përqasje që kënaq nevojat tona, bota dhe njohuritë janë kaq të pamata sa që njeriu duhet të jetë i hapur të pranojë dhe përqafojë ato rrugë që cojnë në rritjen tonë shpirtërore.
(Albina Hoxhaj)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.