Rezultatet e “Maturës Shtetërore 2019”, cilësia e arsimit në zonat rurale mbetet ende sfidë

Arritjet e maturantëve nga zunat rurale kanë rezultuar të jenë më të ulëta se ato të zonave urbane, në këtë mënyrë cilësia e arsimit mbetet ende sfidë. Në këtë përfundim është arritur nga analiza që ka bërë MASR për “Maturën Shtetërore 2019”.

Sikurse ndodh çdo fillim viti, pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) u zhvillua analiza e rezultateve të maturës shtetërore të vitit të kaluar. Vlerësimet e “Maturës Shtetërore 2019” ishin planifikuar për në fund të vitit 2019, por u anuluan për shkak të tërmetit të nëntorit. 

Arritjet mesatare sipas gjinisë në nivel kombëtar tregojnë se vajzat kanë rezultate më të larta krahasuar me djemtë. Ndërkohë, arritjet e nxënësve që kanë ndjekur shkollën në qytet janë më të larta, kundrejt atyre që e kanë ndjekur shkollën në fshat, gjë që tregon që unifikimi i cilësisë së arsimit për zonat rurale mbetet sfidë.

Një ndër gjetjet kryesore të kësaj analize është diferencimi më i mirë i nxënësve bazuar në arritjet e tyre si rezultat i rritjes së pikëve totale të testeve të “Maturës Shtetërore” nga 50 pikë në 60 pikë. Ndërkohë, raporti vëren se arritjet mesatare të nxënësve gjatë procesit mësimor janë më të larta krahasuar me arritjet në provimet e “Maturës Shtetërore 2019”.

Aplikimi i korrigjimit në mjedis elektronik ka rezultuar i suksesshëm në eliminimin e gabimeve njerëzore të korrigjuesve dhe rritjen e cilësisë së korrigjimit. 

Qëllimi kryesor i kësaj analize është njohja e nivelit të arritjeve të nxënësve maturantë të sistemit arsimor kombëtar në tërësi, bazuar në rezultatet e një vlerësimi të jashtëm të standardizuar, si dhe krahasimi i tyre me arritjet vjetore të nxënësve gjatë vitit shkollor 2018-2019. 

Kaltra Tafani

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Gjithçka duhet të dini rreth procedurave për lëvizjet paralele

Next Article

Provimi i kualifikimit, ja se çfarë duhet të përmbajë dosja e mësuesit

Related Posts