Ky është një shkrim interesant që merr në shqyrtim dy çështje shumë themelore në lidhje me edukimin e fëmijëve. Mësuesi i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës, Evans Drishti sjell një retrospektivë për rëndësinë e trashëgimisë kulturore familjare larg teknologjisë dhe më pranë lojërave këto festa.
U gjenda para pak kohësh në një studio fotografike. Natyrshëm që në një vend të këtillë ajo që qëndron në fokus është fotografia. Po prisja radhën, në respektim të plotë edhe të rregullave të Covid-19, ndërkohë përpara meje qëndronte një grua e një moshe të mesme, e cila po bisedonte me plot zell dhe energji me mjeshtrin e fotografisë duke i rrëfyer këtij të fundit një eksperiencë të saj që e kishte bërë atë zonjë të vinte pikërisht në studion fotografike.
Ndër të tjera, zonja po i tregonte se gjatë periudhës së karantinës, në kushtet dhe rrethanat e kuptueshme tashmë, kishin hulumtuar në depon e shtëpisë, edhe nga meraku se ç’bëhej me ato sende të paprekura prej vitesh, ku kishin gjetur disa kuti në përmasa mesatare. Ndërkohë që i kishin hapur ato kuti, kishin vënë re një grumbull të pafundmë fotografish të vjetra të hedhura në mënyrë të shkujdesur, një pjesë e të cilave tashmë ishin mbështjellë me pluhurin e egër të një kohe të gjatë ku dora e njeriut kish munguar nga rrjedha e furishme e përditshmërisë.
Të ngelur të befasuar nga një situatë e tillë, kishin marrë mundimin, këtë herë shtruar fare, që ti merrnin një për një të gjitha ato foto si një rikthim i domosdoshëm drejt një të shkuare sa të largët po aq edhe të afërt. Më tepër se një kureshtje e brezit të vjetër, kish qenë një kureshtje e brezit të ri të njiheshin me një të kaluar pothuajse krejtësisht të panjohur për ta, për të cilën as prindërit dhe as gjyshërit s’kishin marrë mundimin t’ua rrëfenin.
Të shastisur dhe me një shpirt luftarak ishin ulur shtruar në mesin e kuzhinës, aty ku kishin boshatisur edhe kutitë e fotografive, e që aty kishte nisur një punë e volitshme, plot zell, por edhe stres në të njëjtën kohë, si në zbulim të një thesari, që një Zot e di se ku do i shpinte…
Ai hulumtim kishte zgjatur për ditë të tëra, deri në atë moment ku të rinjtë e shtëpisë kishin punuar gjatë për një strukturim dhe grupim të fotove enigmatike, e ndërkohë kishin marrë vendimin ti sistemonin në albume me vlerë, në emër të një rigjallërimi të një tradite të hershme jo vetëm të shtëpisë së tyre, por edhe të farefisnisë. Pasi në atë thesar gjendeshin foto të shtatë brezave me radhë dhe ku secila prej tyre fliste shumë për ngjarje dhe ndodhi të pathëna e të pashprehura…
Me ripërpilimin e atyre albumeve historia u rikthye dhe gjeti jetë në syrin dhe shpirtin e atyre fëmijëve të asaj familjeje.
…
Sërish një tjetër retrospektivë, këtë herë vite më parë… Një çift i huaj, që të dy akademikë, kishin mbërritur në vendin tonë për të zhvilluar një eksperiment me nxënës të ciklit të mesëm të ulët, ku në fokus ishin lojërat. Ata në fakt kishin sjellë me vete mjete lojërash të ndryshme, jo vetëm thjesht për argëtim, por edhe me synim kryerjen e këtij studimi, që në fokus kishte pyetjen “Sa i njohin fëmijët e sotëm lojërat?” apo “Si e kuptojnë fëmijët lojën e sotme?”
Pasi u zhvilluan një sërë lojërash me fëmijët, këta të fundit u pyetën se sa i njihnin të tilla lojëra dhe se sa i zhvillonin në përditshmëritë e tyre, por natyrshëm përgjigja ishte rrënqethëse, pasi 90% e fëmijëve nuk merreshin me të tilla argëtime.
Ndodhia e parë me në qendër fotografinë na sjell në vëmendje një çështje tepër të rëndësishme, atë të trashëgimisë kulturore dhe familjare, për të cilën fëmijët e sotëm e kanë për detyrë ta njohin nga afër. Të zhytur në burgun e teknologjisë me orë të tëra, për fat të keq ata po humbasin sensin e të qenurit “qenie shoqërore”, të mbyllur në vetminë e tyre, e për më tepër, edhe në kushtet dhe rrethanat ku ndodhemi këto kohë, ata po distancohen së tepërmi nga të afërmit e tyre, pra jo vetëm nga bërthama e shoqërisë që është familja, por edhe nga rrethi familjar. Ndërkohë më përpara, sikurse edhe dihet familja jetonte në një rreth më të gjerë dhe më të familjarizuar, nga ku fëmijët shiheshin shumë më shpesh me anëtarë të ndryshëm të rrethit familjar dhe farefisnor, vijmë në ditët e sotme, ku për fat të keq distancimi ka sjellë edhe një lloj ftohjeje të fëmijëve me rrethin familjar.
Të nderuar prindër!
Le ta vëmë teknologjinë në shërbimin tonë më funksional duke forcuar edhe më tepër raportet dhe lidhjet tona me rrethin familjar dhe farefisnor.
Le të bëhemi një urë lidhëse e fuqishme mes fëmijës dhe njerëzve tanë të dashur, të afërt apo të largët.
T’u krijojmë mundësinë fëmijëve ti shohin njerëzit në sy, ti njohin më nga afër, të komunikojnë sa më shumë në mënyrë që të kuptojnë se kanë shumë njerëz që i duan dhe i respektojnë.
Mos harrojmë se ne po ndërtojmë historinë e jetës së fëmijës tonë. Sa më e larmishme dhe e gjallë të jetë kjo histori aq më kuptim do marrë edhe jeta e fëmijës sonë.
Përjetësoni momentet kyçe të përditshmërisë së fëmijës tuaj, ashtu siç mësojnë fëmijët edhe fjalët kyçe në tregimet apo fabula të ndryshme, në mënyrë që çdo fjalë kyçe të sjellë edhe momentin kyç të jetës së tij. Kështu sa më të shumta të jenë të tilla momente kyçe po kaq vlerë do marrë edhe karakteri i fëmijës.
Ndodhia e dytë merr në shqyrtim një tematikë akoma më të rëndësishme dhe domethënëse, atë të lojës që duhet të kryejë një fëmijë në ditët e sotme. Jemi mësuar që gjatë periudhës së shkollës fëmijëve t’u kërkojmë llogari për mësimet, e për më tepër, “t’i torturojmë” me detyrat, si një proces për të cilin jemi teorizuar si i pashmangshëm për formimin edukativ të fëmijës sonë.
Tashmë fëmija e ndjen veten “të çliruar” dhe po kaq edhe “të gëzuar” që nuk do të merret me librat e shkollës këto ditë pushimesh. Pavarësisht se një situatë e tillë për prindërit nuk sjell të njëjtën situatë “të çliruar” dhe “të gëzuar”, përkundrazi, fatkeqësisht ju sjell një lloj trishtimi duke e konceptuar si një “barrë” të paevitueshme që sjell natyrshëm edhe pyetjen: “Çfarë të bëjmë me këta fëmijë?!”.
Mos të harrojmë të dashur prindër, se fëmija dëshiron të luajë, jo thjesht vetëm, por bashkë me ju. Prandaj bëhuni të gatshëm që të rezervoni pak minuta nga koha juaj e vyer për vlerën më të madhe që keni në shtëpi, për dhuratën më të bukur që ua bëri Zoti, për fëmijën tuaj.
S’është e thënë që loja e fëmijës duhet të jetë patjetër e kushtueshme, pasi çmimi i lojës s’mund të balancohet me vlerën që ka fëmija si qenie njerëzore. E kushtueshme është buzëqeshja dhe kënaqësia që do i dhurojmë krijesës sonë, pasi loja nuk ngelet thjesht një argëtim i çastit, por edhe një burim frymëzimi i botës sonë shpirtërore ku dy zemra, ajo fëmijërore dhe ajo prindërore bashkohen për t’u unifikuar deri në përjetësi.
Nga Evans Drishti, mësues i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.