Rëndësia e artit pamor në arritjen e një edukimi cilësor e gjithëpërfshirës

Sigurimi i edukimit për të gjithë, është i rëndësishëm, por është në mënyrë të barabartë i vlefshëm me një edukim cilësor. Sipas EFA Global Monitoring Report, edukimi cilësor, është i përqendruar dhe mund të përkufizohet nga tre parime: edukim i cili është i përshtatshëm për nxënësit por gjithashtu promovon vlera universale, edukim i cili është i barabartë në terma të aksesimit dhe të rezultateve dhe garanton  përfshirje sociale në vend të përjashtimit dhe edukim i cili reflekton dhe ndihmon në plotësimin e të drejtave të individëve.

Sipas Kuadrit për Veprim të Dakar, shumë faktorë janë të nevojshëm si një kërkesë për edukim cilësor. Mësimi i artit dhe nëpërmjet artit mund të gjenerojë të paktën katër nga këta faktor: nxënie aktive; një kurrikul të përshtatshme, që përcakton interesat dhe entuziazmin e nxënësve; respekt dhe angazhim për komunitetet lokale dhe kulturën; dhe mësues të trajnuar dhe të motivuar. 

Natyrshëm lind pyetja: Si ndikon arti në zhvillimin e fëmijës, në proceset vendimmarrëse, në gjithëpërfshirjen e nxënësve, në pajisjen e tyre me kompetencat më të kërkuara të shekullit të XXI dhe në rritjen e cilësisë në edukim.

Prezantimi i nxënësve me procesin artistik duke angazhuar edhe element të kulturës së tyre në edukim, kultivon në çdo individ një ndjenjë kreativiteti dhe iniciative, një imagjinatë të pasur, inteligjencë emocionale dhe një moral të lartë, një kapacitet për reflektime kritike, një ndjenjë pavarësie dhe liri mendimi dhe veprimi.

Proceset emocionale janë një pjesë integruese në proceset vendimmarrëse dhe funksionojnë si një vektor për veprime dhe ide, duke themeluar reflektime dhe gjykime. Pa një përfshirje emocionale, çdo veprim, ide ose vendim do të bazohej varfërisht në terma racional. Sjellja morale e cila formon themelet bazë të qytetarisë kërkon përfshirjen emocionale. 

Në këtë mënyrë, edukimi nëpërmjet artit, inkurajon zhvillimin emocional dhe sjell një balancë  më të mirë ndërmjet tij dhe zhvillimit konjitiv, duke kontribuar në mbështetjen e një kulture paqësore. 

Edukimi nëpërmjet artit favorizon dhe mbështet teknika të ndryshme të mësimdhënies dhe strategji për të përshtatur çdo mënyrë unike të nxënësve për të përthithur kurrikulën dhe në këtë mënyrë është në linjë të plotë me të njëjtat principe të edukimit gjithëpërfshirës, që inkurajon sistemin edukues me karakter  individual, mbi bazat që çdo student mëson në një mënyrë që është shumë unike për të. 

Arti pamor, për vet natyrën e tij gjithëpërfshirëse, i jep mundësi mësuesit të jetë shumë fleksibël, në trajtimin dhe edukimin e nxënësit, si një individ me nevoja specifike. Si rrjedhojë, në aktivitetet e të nxënit gjatë orës së mësimit, përfshirë këtu edhe shtresat e margjinalizuara si: emigrantët, grupet minoritare, nxënësit me prirje apo nevoja të veçanta, gjejnë lehtësisht veten. Gjetja e pikave të interesit të nxënësve, rrit përfshirjen dhe performancën e tyre. 

Nxënësit përfshihen “duke bërë” në orën e mësimit, gjë e cila përbën edhe thelbin e të mësuarit me bazë kompetencash, sipas qasjes socio-konstruktiviste. Janë pikërisht këto kompetenca që ai do të ndërtojë sot në shkollë, të cilat do ta bëjnë të suksesshëm nesër në tregun e punës. Shekulli në të cilin po jetojmë është i karakterizuar nga ndryshimet teknologjike. Konkurrenca globale kërkon aftësi të konvertueshme, për t’i bërë ballë tregut të punës, i cili  ndryshon me shpejtesi dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Dhjetë vjet më parë Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO, lëshoi një apel për edukimin në arte, duke theksuar rëndësinë e shkollës së shek. XXI për të zënë një vend të veçantë për mësimin e vlerave artistike, që të inkurajohet kreativiteti, në mënyrë që të formohen kapacitete krijuese, që i cilësoi si e vetmja shpresë e shoqërisë.

(Msc. Klevi Pove, mësuese në shkollën “Flatrat e dijes”, Fier)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Dita e parë e shkollës në Kosovë

Next Article

Kolegji Willson në Tetovë thyen rekordin e regjistrimeve

Related Posts