Rasti “Ëmbla” dhe empatia që transmetojnë fëmijët me nevoja të veçanta

Shumica e fëmijëve me nevoja të veçanta janë fëmijë shumë të dashur, ata mund të jenë një shembull se si mund të duket dashuria në sytë e fëmijëve tuaj. Nëse nuk i mësoni sot fëmijët me ndjeshmërinë dhe empatine, mos u habisni nëse fëmija juaj do t’ju kthej shpinën nesër!

Masa e ligjeve është në përpjesëtim të drejtë me pabarazitë në një shoqëri. E sot kemi shumë ligje, ligje që tentojnë të rregullojnë edhe ato marrëdhënie njerëzore të cilat, ne nuk arrijmë dot me njëri-tjetrin.

Ligjet rregullojnë edhe mënyrën se si funksionon një shkollë, nga detyrimet dhe të drejtat që duhen respektuar, nga stafi i mësimdhënësve, nga fëmijët dhe prindërit e tyre. E megjithatë ligjet nuk arrijnë dot të ndryshojnë së brendshmi një individ apo disa individ të cilët nuk kanë respektin e duhur ndaj tyre. E kjo formë e mos respektit përcillet dhe tek pasardhësit e tyre. 

Sidoqoftë jeta nuk mbetet deterministe në të gjithë formën e saj, secili prej nesh ka mundësinë për të bërë ndryshe nga ajo që ka parë dhe mësuar. 

Unë sot u hasa me një rast i cili më krijoi një ndjesi të keqe: një vajzë e vogël, nuk pranohet në klasë nga bashkëmoshatarët e saj- më tepër se bashkëmoshatarët e shoh si një mospranim nga ana e prindërve. 

Ëmbla, një vajzë me sindromin Down, e ka filluar jetën e saj me sfida, të cilat nuk i ka menduar as familja e saj e aq më pak ajo. Megjithatë familja e saj është tashmë nën këtë sindromë, dhe po përpiqen t’i sigurojnë një jetë sa më pranë normales vajzës së tyre. 

Nuk është e lehtë. Për shumë arsye nuk është e lehtë. Së pari prindërit përballen mbase me ëndrra të thyera (e them këtë nga eksperienca personale), e megjithatë përpiqen që përballë situatave të tilla, t’i nxjerrin fëmijët nga normaliteti i tyre, për t’i futur në normalitetin tonë, që e konsiderojmë veten normalë!

E nxjerrim këtë fëmijë nga bota e vet, për t’i thënë se nëse do të jesh pjesë e botës tonë, atëherë duhet të përshtatesh me çdo gjë tonën. Një dhunim i vërtetë i autenticitetit për këdo. Ne vendosim kushte, kushte si të sillesh që të jesh i pranuar, kushte se çfarë të bësh që të të duam, kushte se si duhet të dukesh që të të bëjmë pjesë të grupit e kështu me radhë. Patjetër, pa rregulla nuk mundemi të jetojmë. 

Ama ka një masë, një kufi në atë se çfarë ligjërisht është e pranueshme, shoqërisht e pranueshme dhe e moralshme. Jo gjithmonë këto dy të fundit reflektojnë siç duhet atë që është më e mira për të gjithë. 

Trajtimi i sëmundjes mendore, mendohet se ka ndryshuar shumë që nga periudha në të cilën të sëmurëve ju hapeshin bira në kokë për t’i dalë shpirtrat e këqij, apo nga lidhja me zinxhirë. Këto i kemi zëvendësuar në disa raste me forma të reja (Kështu i thënçin?!), që i shkojnë përshtat ruajtjes së fytyrës së një shoqërie pa fizionimi shpirtërore, e cila vendos kushte të mos pranojë atë që natyra ka lejuar. 

Këta individë, prindër, kanë guximin të refuzojnë fëmijët me nevoja të veçanta, a thua se mungesa e prezencës së tyre, do ta zhdukë fëmijën nga grupi i shoqërisë! Mund ta zhdukë në sipërfaqe nga sytë e tyre, por jo nga mendja e cila nën frikë pëshpërit: “Po sikur të ishe unë?!”; kur nuk ja lejojnë këtë mendim të tillë vetes, e heqin dhe bashkë me të përpiqen të dëbojnë edhe imazhin që ja konkretizon këtë mendim. 

Ca syresh e mendojnë veten më lartë, më të mirë, më të pashëm, më të shëndetshëm, më të denjë, e kjo i jep guximin ta mendojnë veten si Zot, që ka fuqinë të përjashtojë njerëz, FËMIJË nga grupet ku qëndrojnë fëmijët e tyre të cilat me siguri ata i mendojnë se gëzojnë të njëjtat karakteristika.  

POR me siguri ata prindër nuk e dinë se të paturit e një fëmije me nevoja të veçanta në klasë, me fëmijët e tyre, më shumë i ndihmon ata se vetë këta fëmijë! 

Pse? Sepse fëmijët mësojnë të kujdesen për dikë tjetër duke rritur shprehitë e ndihmës, ata mund të jenë aty për ta udhëzuar fizikisht apo verbalisht fëmijën me nevoja të veçanta, e kjo i shkathtëson dhe i zhdërvjelltëson në përmirësimin e artit të komunikimit. 

Fëmijët  mësojnë të respektojnë ndjesitë e tjetrit kur nuk ndjehet mirë- pra nuk qeshin e as e shohin me habi, por thjesht pranojnë atë që po ndodh, përpiqen t’i qëndrojnë afër në situata të tilla dhe zhvillojnë më tej EMPATI-në, që neve na mungon kaq shumë sot. Ne jemi qenie njerëzore, kemi nevojë të kuptohemi dhe të kuptojmë emocionet e të tjerëve dhe tonat, dhe dëshirojmë që këto emocione të na pranohen që të ndihemi mirë në lëkurën tonë dhe të arrijmë t’i bëjmë dhe të tjerët të ndihen mirë.

Një pjesë e fëmijëve me nevoja të veçanta janë fëmijë shumë të dashur, ata mund të jenë një shembull se si mund të duket dashuria për sytë e fëmijëve tuaj. 

Një klasë e cila ka në përbërje të saj fëmijë me nevoja të veçanta duhet të zhvilloj programe që janë të kuptueshme për të gjithë masën e fëmijëve, dhe kjo nuk është ulje niveli, por ulje në nivelin e të kuptuarit të fëmijës i cili bëhet më konkret e praktik, gjë për të cilën të vegjlit kanë shumë nevojë.

Shpesh një fëmijë mund të shfaqi agresivitet në qoftë se nuk ndihet komod në ambientin ku është ose mundet që të pasqyrojë sjelljet e të tjerëve. Pra fëmija në këtë rast, Ëmbla, mund të ketë parë edhe sjellje të fëmijëve të tjerë të cilët mund të kenë reaguar me agresivitet dhe ajo thjesht ka përsëritur atë që ka parë, përpos faktit që kjo mund të jetë edhe një justifikim nga ana e prindërve duke pasur parasysh problematikën zhvillimore të vajzës. 

Një ditë ju prindër mund të jeni vetë në pozicion ku do t’ju duhet ndihma dhe kujdesi i të tjerëve; të mos habiteni nëse fëmijët e tuaj do t’ju kthejnë shpinën, nuk do t’ju trajtojnë me respekt, fundja ju nuk ja kenë mësuar as ndjeshmërinë, as empatinë. 

Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm të shihen, por të dëgjohen. E në proceset jetësore, ne, të rriturit jemi shembulli të cilit ata i drejtohen për të formuar vetveten, në sjelljen e fëmijëve do mund të shohim veten tonë. Disa gjëra në jetë nëse nuk zbatohen siç duhet dhe kur duhet, s’kanë vlerë.

Gjithashtu, si Terapiste e fëmijëve me nevoja të veçanta prej më shumë se 10 vitesh, di të them se lodhjet që kalojnë këta fëmijë për t’u përshtatur me ne, “normalët”, janë të jashtëzakonshme. Mjafton një situatë si ato që ju krijoni për të na hedhur poshtë në fraksion sekondash të gjithë atë që kemi ndërtuar me shumë mund në orët e terapisë, në seancat me fëmijët, me prindërit, me mësuesit ndihmës, dhe mësuesit kujdestar, dhe JO, ju nuk e keni këtë të drejtë!

Dr. Manolita Hida, Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Myrto Hysaj: Sa të rrosh, do të mësosh!

Next Article

QTPA ka zhvilluar më 22 janar trajnimin falas në Kosovë për modulin “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427