Qëndrimet e mësuesve ndaj arsimit gjithëpërfshirës: faktor favorizues apo pengues?

Qëndrimet e mësuesve ndaj gjithëpërfshirjes lidhen me kulturën e gjithëpërfshirjes. Qëndrimet pozitive mund të krijojnë një kulturë pozitive ndërsa qëndrimet negative mund të pengojnë zbatimin e gjithëpërfshirjes edhe në kushtet dhe mjediset më të mira të mundshme. Një shkrim nga studiuesja Rovena Dokollari. Më poshtë jam ndalur në disa çështje, të cilat duhen gjeneruar sidomos tek mësuesit praktikantë, si:

Edukimi i mësuesve praktikantë para emërimit si mësues

Në përgjigje të rritjes së vëmendjes që po merr gjithëpërfshirja në mbarë botën, institucionet e arsimimit të mësuesve janë zhvendosur në pedagogjinë e trajnimit të mësuesve në përputhje me arsimin gjithëpërfshirës. Garantimi që mësuesit të përfitojnë kompetencat e duhura para emërimit në detyrë për të plotësuar nevojat në rritje të nxënësve të ndryshëm, ka qenë një përgjegjësi e madhe e shkollave të edukimit të mësuesve. Mësuesit kanë nevojë të kenë besim tek aftësitë e tyre, dhe të kenë njohuri dhe aftësi në arsimin gjithëpërfshirës për të përmbushur sfidat me të cilat ata hasen në klimën aktuale në shkollë. Edukimi i mësuesve para emërimit në detyrë duhet të shihet si fillim i rrugëtimit të gjatë drejt arsimit gjithëpërfshirës. Përgatitja e mësuesve për arsimin gjithëpërfshirës duhet të përfshijë strategji që synojnë transformimin e praktikave të mësuesve, të cilat ndikohen gjerësisht nga qëndrimet, besimet dhe vlerat e tyre.

Arsimi i mësuesit praktikant

Rritja e ndërgjegjësimit dhe ngritja e kapaciteteve të mësuesve në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës, duhet të motivohet nëpërmjet planifikimit të kualifikimeve dhe trajnimeve të mëtejshme për të gjithë mësuesit. Zhvillimi i një rrjeti aktiv formal për mësuesit, ku ata mund të shkëmbejnë përvoja dhe të ndajnë informacionin që konsiderohet i nevojshëm. Kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve të zakonshëm dhe ndihmës mësuesve që të punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe të ofrojnë mbështetje për zhvillimin e tyre. Në gjykimin tim duhet marrë parasysh shumë seriozisht krijimi i një diplome Masteri për këtë profil, edhe pse ky kurs nuk e zëvendëson nevojën që të gjithë mësuesit duhet të kenë një profil mësuesi gjithëpërfshirës, pavarësisht të qenit ndihmës apo kryesor. Kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve të zakonshëm dhe ndihmës mësuesve që të punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara do të ofronte mbështetje për zhvillimin e tyre.

Përvoja e mësimdhënies në detyrë

Mësuesit kanë ende mungesë informacioni në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës, ata përpiqen të marrin informacione nëpërmjet internetit, ndarjes informale të përvojave dhe mjeteve të tjera informale; për shumë prej tyre arsimi gjithëpërfshirës nuk ka qenë madje as kurs në studimet e tyre universitare. Mësuesit e zonave rurale përballen me më shumë sfida në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës: ekspertët psiko-socialë nuk shkojnë në këto shkolla, fëmijët me aftësi të kufizuara nuk kanë mundësi që të vendosen në një klasë të përshtatshme, prindërit janë më shumë skeptikë përsa i përket pranimit të vështirësive të fëmijëve të tyre dhe infrastruktura e shkollave nuk është e kënaqshme.

Në përgjithësi, mësuesit mbajnë qëndrime pozitive ndaj arsimit gjithëpërfshirës për çdo nxënës. Ata përqafojnë vlerat e tij dhe preferojnë diversitetin në vend të homogjenitetit. Kurrikula e Re Arsimore ka një qasje më shumë gjithëpërfshirëse, është me në qendër nxënësin dhe promovon mundësi të barabarta; megjithatë, nevojat për përfshirje duhet të integrohen në të gjitha disiplinat dhe të zbatohen në një mënyrë ekzakte.

Arsimimi i mësuesve para marrjes së detyrës dhe në detyrë

Mësuesit studentë vetëm sa duken sikur kanë kontakt me vendet e tyre të punës në të ardhmen gjatë praktikave të tyre të mësimdhënies. Perceptimet dhe njohuritë e mësuesve mbi arsimin gjithëpërfshirës dhe natyra e kualifikimeve e mësuesve ndryshon shumë pasi pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë njohuri mbi arsimin gjithëpërfshirës.

Rovena Dokollari

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Heronjtë e vërtetë

Next Article

Si te realizoni qëllimet tuaja në pesë hapa

Related Posts