Pyetja e adoleshentit: Është e njëjta gjë adoleshenca dhe puberteti? Sa zgjat secila periudhë?
Përgjigjja e specialistit:
Megjithëse bëhet fjalë për dy koncepte të lidhura ngushtë, nuk janë e njëjta gjë. Puberteti mund të përkufizohet si faza e parë ose pika e nisjes së adoleshencës, e cila përfshin një periudhë më të gjatë.
Kur flitet për pubertet, zokonisht mendja të shkon në shenjat fizike të pjekurisë seksuale (të gjitha ndryshimet që ndodhin në organizmin tënd), ndërkohë që koncepti i adoleshencës i referohet më shumë procesit të përshtatjes së këtyre ndryshimeve trupore nga këndvështrimi psikologjik dhe emocional.
Momenti i fillimit të pubertetit është shumë i ndryshëm, sepse janë të shumtë faktorët që ndikojnë: zona gjeografike ku jeton, trashëgimia gjenetike, ushqimi dhe mënyra e jetesës. Po aq i ndryshueshëm në kohë është edhe fundi i pubertetit. Mesatarisht merret mosha rreth të katërmbëdhjetave, ndërkohë që adoleshenca zgjat deri në 19 vjeç.
(Marrë nga libri “Seksi, 101 pyetje dhe përgjigje”, botuar nga ALBAS)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.