Në analizën dhe këshillat e radhës mësuesi ynë bashkëpunëtor Evans Drishti është ndalur te një temë e cila prek si mësuesit ashtu edhe nxënësit: respekti që duhet të gëzojnë për njëri-tjetrin në ambientet e shkollës. Nëse çdonjëri prej jush bën përpjekjet për përmirësim, ky problem fillon të marrë zgjidhje!
Sapo merr të çelësh derën për të hyrë në klasë…
Një përballje e pakëndshme… Dy nxënës që nisin të grinden mes tyre, mu aty përpara derës. Një zënkë fëmijësh mendon me vete për një çast. I sheh dhe reagimi i parë që të vjen në mendje pas një merakosje është që t’i ndash duke krijuar edhe një pajtim paqësor, por ja që s’ndodh kështu…
Fëmijët as që duan t’ia dinë në ka mbërritur mësuesi i tyre në klasë apo jo… Zënka vijon në përpjekje për të marrë një përmasë disi më të nxehur… Fytyrat e nxënësve shprehin mllef, inat, hakmarrje… Vetëm në emër të “trimërisë” dhe të “pangopësisë” për ta shpallur veten “hero” përpara klasës…
Pas një mundimi të dukshëm që zgjat ndoshta për pak minuta, t’i ia arrin qëllimit duke i ndarë… Më pas nis t’u flasësh me plot dashamirësi, natyrshëm në rolin e një edukatori që ushqen vetëm paqe dhe urtësi për brezat e rinj…
E ndërkohë që këshillat reflektojnë shpirtin tënd të dlirë dhe mendjen tënde të urtë për të kryer një detyrë njerëzore dhe profesionale njëkohësisht, kërkon t’i gjesh përgjigjen një pyetjeje që shtrohet prej dekadash: “Si mundet që këta nxënës të mos reflektojnë përpara mësuesit?…”
Pas një përgatitjeje dinjitoze dhe profesionale që ke bërë për të realizuar jo thjesht një orë mësimore të një niveli të lartë, por edhe për të krijuar një atmosferë sa më familjare dhe produktive, teksa bashkëbisedimet vijojnë suksesshëm, vë re se ka ca nxënës që nuk shfaqin aspak interes as ndaj lëndës as ndaj teje si mësimdhënës, pavarësisht përkushtimit dhe gjallërisë së krijuar, as ndaj informacioneve plot vlera që ofrohen…
Bisedat e tyre vijojnë lirisht, pa asnjë ndrojtje apo hezitim, të shtruar në botën e tyre me qëllimin e kalimit sa më të shpejtë të minutave mësimore që për ta duken “të bezdisshme”…
U tërheq vëmendjen duke i këshilluar dhe duke ua bërë të qartë se tema për të cilën po flitet ka një vlerë jetësore… Por për ta asgjë e tillë s’mbart asnjë kuptim… “Indiferentizmi” dhe “menefregizmi” kanë pushtuar prej kohësh mendjen dhe shpirtin e tyre…
Teksa i ke vënë në punë nxënësit e përkushtuar për të realizuar një punë praktike të njohurive të dhëna, u shkon nga afër “të painteresuarve” me një “zemërgjerësi” dhe “respekt” të dukshëm ndaj personalitetit të tyre, përpiqesh të kuptosh botëkuptimin që shfaqin në atë moment dhe t’i sqarosh se cila prej pozicioneve peshon më fort në realitetin që po ndërtojnë… Pas disa çastesh largohesh prej tyre për të vijuar seancat përgatitore për “të interesuarit”, ndërkohë vë re se situata e trishtë e “bisedave mospërfillëse” ka vijuar shtruar udhën e saj… Sa keqardhje ndjen!…(ndodhi nga shkolla)
Mos të qëndrojmë ulur gjatë procesit mësimor
Mund të jenë të shumtë mësimdhënësit që qëndrojnë ulur gjatë procesit mësimor, por qëndrimi në këmbë i mësimdhënësit shfaq:
- Respekt ndaj nxënësve
- Reflektim ndaj figurës dhe personalitetit të secilit
- Mbikëqyrje e plotë e atmosferës në ambient
- Ekuilibër në raportet dhe marrëdhëniet mësimdhënës – nxënës
- Koherencë në përcjelljen e procesit
- Dinjitetin profesional për të komunikuar me të gjithë të pranishmit
Të jemi “në lëvizje” gjatë procesit mësimor
Mund të jenë të shumtë edhe mësuesit që preferojnë të qëndrojnë vetëm në një vend, ashtu të palëvizur gjatë procesit mësimor, por kjo sjell jo vetëm një “monotoni” të bezdisshme, por edhe një mungesë harmonie në krijimin e një atmosfere familjare dhe shkencore.
Çdo mësimdhënës e ka për detyrë të jetë sa më pranë çdo nxënësi që ndodhet në ambientin e klasës duke shfaqur jo vetëm një interesim ndaj tij dhe figurës së tij, por edhe duke forcuar akoma më shumë raportin mësimdhënës – nxënës për një lehtësim të procesit.
Cili nga këto raste do dëshironit të ishit si mësimdhënës?
Para disa viteve një grupi mësimdhënësish iu mundësua një lloj trajnimi në lidhje me një proces të shëndetshëm të mësimdhënies. Në fund iu kërkua të kuptonin se cilës kategori do dëshironit t’i përkisnin:
– Në një auditor jo shumë të gjerë një mësimdhënës hyn për zhvillimin e procesit mësimor. Ai nuk jep asnjë reagim, përveç një përshëndetjeje të rastit, vijon të bëjë disa shpjegime, që për të ishin një rutinë e zakonshme pa menduar dhe pa vënë re se në ç’atmosferë ndodheshin nxënësit, pa dashur aspak të kuptojë nëse nxënësit e pranishëm janë të vetëdijshëm apo jo për atë çfarë po flitet, pa dashur të mendojë se ç’reflektim janë duke përçuar shpjegimet e tij… Ndërkohë për 45 minuta mësimdhënësi nuk bëri asgjë tjetër veçse një shpjegimi “rutinë” pa sjellë dhe përçuar asnjë efekt dhe emocion në auditor.
– Në po të njëjtin auditor këtë herë hyn një tjetër mësimdhënës, i cili nis të bëjë shpjegimet përkatëse, serish sikurse rasti i parë, pa u shqetësuar fare për nxënësit e pranishëm dhe në natyrshmërinë e tij. Pas disa minutave nisi të përdorë një tabelë që kishte pranë sa për të shkruar ca shifra me idenë se disi do tërhiqte vëmendje, por jo me ndonjë efekt ngulitës apo çudibërës. Aty – këtu u përpoq t’u tërhiqte disi vëmendjen nxënësve, por pa ndonjë rezultat, e megjithatë vijoi në qetësinë e tij të pamëshirshme procesin në fjalë, që zgjati rutinë deri në minutën e fundit.
– Kurse mësimdhënësi i tretë me të hyrë në klasë, nuk u ul fare, por lëvizi nëpër të gjitha auditorin duke treguar një interesim për secilin prej nxënësve, duke pyetur jo vetëm për shëndetin e tyre, si një gjë primare natyrshëm, por edhe për sentimentalitetin e tyre me synimin e mirë që të kuptonte se në ç’atmosferë do e zhvillonte procesin në fjalë. Pasi u kujdes për secilin të pranishëm doli përpara dhe nisi të shkruante në tabelë disa fjalë kyçe që kishin të bënin jo vetëm me procesin mësimor, por edhe me nivelin intelektual të nxënësve. Çdo gjë e solli në formë bashkëbisedimi krejt të natyrshëm dhe të gjithë nxënësit, të interesuarit dhe të painteresuarit u bënë pjesë e pandashme e asaj ore mësimore.
Shumë i dashur nxënës/e mos harro se:
- Koha që po jetojmë është ajo çfarë ne ndërtojmë…
- 24 orë janë për të gjithë njëlloj, por produktiviteti i përdorimit është i ndryshëm…
- Synimet tona të përditshme përbëjnë bërthamën e një autoriteti që po ndërtojmë, në varësi të së cilit merr jetë dhe gjallëri jeta …
- Në çdo kohë dhe moment ke nevojë për mbështetje dhe përkrahje, prandaj mos hezito ta kërkosh, pikësëpari tek vetja jote, më pas tek familja, te mësimdhënësit, tek shokët dhe shoqet dhe tek mbarë shoqëria..
- Gjëja më e paktë që të kërkohet është të respektosh veten dhe tjetrin, ku ky “tjetri” është çdokush me të cilin bashkëvepron në përditshmërinë tënde…
- Ka qenë, “është” dhe “do të jetë” përherë koha “t’i peshosh” gjërat para se ti hedhësh në veprim. Çfarëdo moshe që të jesh, fjala kërkon të peshohet para se të nxirret nga goja, pasi s’ka kthim pas dhe një fjalë e papeshuar “vret” dhe “dëmton” shumë më tepër se ç’mund ta mendosh.
- Mos e prano për “turp” të kërkosh ndjesë për një veprim apo fjalë të pakontrolluar, pasi kjo të sjell dinjitet.
Mos harroni!…
Mësimdhënësi juaj është një figurë, autoritet dhe profesionist që ka për detyrë t’ju ofrojë më të mirën dhe të dobishmen për formimin e personalitetit tuaj… Respektojeni deri në fund dhe përkraheni një nismë të tillë, pasi do ta shihni se ju ngroh më shumë se zjarri.
Evans Drishti
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.