Këtë mbrëmje në stendën e “Albas” është promovuar romani “Teposhte” i nobelistes gjermane Herta Müller. Përkthyesja e kësaj vepre të ardhur tashmë edhe në shqip, Anna Kove, tha se lexuesi duhet ta lexojë patjetër këtë libër për të parë se si përshkruhet realiteti i zi me ngjyra poetike.
“Teposhte” është libri më i ri në shqip i nobelistes Herta Müller, me përkthimin e Anna Kove.
Këtë mbrëmje në stendën e “Albas” është promovuar pikërisht kjo vepër e njohur e ardhur më në fund edhe në gjuhën tonë.
Ky libër është stil i përkorë nga faqja e parë në të fundit. Kafshatë e madhe është letërsia e Müller-it për nofullat e lexuesit, por kafshata e duhur kësi kohësh për lexuesin shqiptar, që ende i vërtiten nëpër dhëmbë mbetjet e real-socit.
Sipas përkthyeses Kove, “Teposhte” është thurrimë fjalësh me gjemba që të ngulen në mish, që përpëliten brenda gjirizit të jetës, dhe na trandin fort, për të mos e paguar teposhten e shthurjes morale dhe zvetënimin e dinjitetit me çmimin e lirisë.
“E kush më mirë se Herta Müller i jep këto mesazhe nga letërsia në- dhe post-diktaturë?”, tha Anna Kove.
Gjatë promovimit Kove tha gjithashtu se “’Teposhte’ janë krijimet ku fshati si topos letrar vjen nën një dritë realiste, ai nuk është thjesht vendlindja po skena ku luhen ngjarjet e mëdha të jetës së njerzve të thjeshtë me të gjitha veset, instiktet, dhunën që vetë sistemi i favorizoi. Aty shohim se njeriu nuk është ai njeriu i ri që himnizonte komunizmi, se mungesa e lirisë favorizonte veset njerëzore. Lexuesi duhet ta lexojë patjetër këtë libër për të parë se si përshkruhet realiteti i zi me ngjyra poetike. Nën prespektiven e kujtimeve, pasurimi merr vlerë tjetër. Kujtimet nuk janë të ëndërrta, por të zhveshura nga romantizmat. Autorja përshkruan dhimbjen e tyre. Dhunën që shkallëzohej nga gjyshi te babai, nga bababi te nëna, nga nëna te fëmija, nga fëmija te qeni, nga qeni te macja e nga macja te miu. Metaforat dhe sintaksa e bën unike këtë vepër në stil”.
Në dukje vepra e Müller paraqitet me fjali të shkurta, në dukje të thjeshta por në të vërtetë të lexosh veprat e saj kërkon vëmendje.
Për më tepër romanin “Teposhte”, mund ta gjeni në stendën e Albas në Panairin e Librit, Tirana 2021 i cili ka hapur siparin këtë të mërkurë më 17 nëntor dhe do të qëndroj i hapur për qytetarët deri më 21 nëntor.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.