Ishte vërtet mbresëlënës promovimi që iu bë librit fitues të Fondit për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë për vitin 2022, “Hajdutja e buzëqeshjeve”. Autorja e tij, Sevi Lami Agolli, mes nxënësve të shkollës “Protagonistët”, foli shumëçka rreth këtij libri.
Njohja e mirë që ajo ka për botën e fëmijëve, përshtatja bukur me gjuhën e tyre, por edhe imagjinata që përdor në librat e saj dhe këshillat që jep, kanë fituar, mbi të gjitha, zemrën e lexuesve të vegjël.
Autorja Sevi Lami Agolli ka prezantuar dje librin e saj të tretë “Hajdutja e buzëqeshjeve”, i cili u shpall nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si fitues i Fondit për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë për vitin 2022, para dhjetëra nxënësve të shkollës “Protagonistët”.
Aktiviteti promovues i librit, i organizuar nga QKLL dhe Ministria e Kulturës, u prit mjaft mirë nga nxënësit e klasave të pesta të shkollës “Protagonistët”, të cilët qenë të parët që panë nga afër këtë botim të ri të shtëpisë botuese “Albas”.
Në shtatë tregimet e librit, autorja sjell shtatë ngjarje që mund të ndodhin ose ndodhin në jetën e përditshme të fëmijëve dhe jo vetëm. Bota e tyre fëmijërore disa herë përbëhet nga pasiguri dhe frikëra të ndryshme, por nëpërmjet këtyre tregimeve, me një gjuhë artistike dhe mjaft të këndshme, autorja jep udhëzime se si ta mbrojnë veten dhe ta luftojnë frikën kur përballen me dukuri e ngjarje që sjellin frikë e pasiguri.
Një ditë mes faqeve të librit “Hajdutja e buzëqeshjeve”
“Sot patëm kënaqësinë e veçantë të mirëprisnim në shkollën tonë autoren e librit ‘Hajdutja e buzëqeshjeve’, Sevi Lami Agolli. Nxënësit ishin plot kërshëri për të mësuar historitë e vërteta dhe plot surpriza të moshatares së tyre, Amel, personazhit kryesor të këtij libri. Nxënësit dëgjuan me vëmendje tregimin e lexuar, nga autorja. Ata u përqendruan dhe përpinin çdo rresht që lexonte Sevi me zërin e saj të qetë. Asnjë lëvizje, të gjithë sytë dhe mendjet e vogla shikonin dhe dëgjonin vetëm autoren, ndoshta edhe sepse secili kishte përjetuar më parë situata të ngjashme dhe shikonte veten te personazhi dhe personazhet e tregimit. Ata u prekën veçanërisht nga tregimi i lexuar, që titullohej ‘Mos më prek’, që trajtonte një temë shumë delikate, aktuale, të ndjeshme dhe që përcillte një mesazh të madh për aktualitetin e sotëm”, rrëfeu për Portalin Shkollor mësuesja Iriana Papamihali.
Pas leximit të këtij tregimi nga libri “Hajdutja e buzëqeshjeve”, autorja ftoi nxënësit të bënin pyetje. Duart e tyre u ngritën lart, për të bërë pyetjet e tyre të panumërta.
“Sevi iu përgjigj me shumë kujdes dhe profesionalizëm pyetjeve të shumta të nxënësve, madje edhe duke i udhëzuar ata se si të vepronin në situata të tilla. Për zgjidhjen e këtyre situatave delikate, ajo kishte bashkëpunuar me psikologen, që të jepeshin zgjidhjet e duhura. Nxënësit, nga ana tjetër, gjatë këtij aktiviteti, ndanë edhe përvojat personale, rreth situatave të pakëndshme. Madje të gjithë donin të bënin pyetje dhe të flisnin duke ndarë përvoja dhe mendime. Nxënësit nuk donin të ndaheshin nga Sevi, e cila i bëri për vete me tregimet e librit dhe me përvojën e saj si nënë e dy fëmijëve. Mund të them se ky takim la mbresa te të gjithë nxënësit e klasave të 5-ta, të cilët e ftuan autoren përsëri për një takim tjetër. Autorja pranoi me kënaqësi”, u shpreh Iriana Papamihali.
“Sa mirë që ka autorë që kthejnë vëmendjen nga fëmijët, të cilët hasin në përditshmërinë e tyre situata të këndshme dhe të pakëndshme. Sa mirë që autore si Sevi u japin edhe mënyrën se si duhet të dalin nga situatat e pakëndshme duke kërkuar ndihmën e mësuesve dhe të prindërve. Sa mirë që në letërsinë për fëmijë vjen një libër i tillë, ku jo vetëm fëmijët, por edhe ne të rriturit e gjejmë veten kaq mirë! Ishte më se i nevojshëm ky libër për ne! Faleminderit autores për takimin e veçantë!”, përfundoi kështu rrëfimin për mbresat pas këtij promovimi mësuesja Iriana Papamihali.
“Hajdutja e buzëqeshjeve”
Ky është libri i tretë i Sevi Lamit si autore. Duke u marrë prej vitesh me librat për fëmijë pranë shtëpisë botuese “Albas” dhe pas një pune rreth dyvjeçare me të, “Hajdutja e buzëqeshjeve” u vlerësua me çmimin e parë nga juria e QKLL-së për Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2022. Në qendër të këtij libri është jeta e përditshme e fëmijëve, me bëmat e tyre fëmijërore, me kokëfortësitë e tyre, si dhe me ngjarje apo dukuri që sjellin frikë dhe pasiguri te ta. Temat e shtatë tregimeve janë kaq aktuale dhe të ndjeshme, si rënia e një zjarri, aksidentet rrugore që mund të ndodhin nga pakujdesi të ndryshme, dukuri natyrore si tërmetet, pandemi botërore si “Koronavirusi” apo edhe ngacmimet e ndryshme kudo ku mund të ndodhen, në rrugë, shkollë, lagje etj. Të gjitha këto ngjarje vihen në gojën e një vogëlusheje 10-vjeçare, që është dhe personazhi kryesor, duke e bërë kështu më të afërt komunikimin dhe përcjelljen e mesazheve të shumta edukative te bashkëmoshatarët e saj. Një aspekt i rëndësishëm edukativ dhe didaktik i këtij libri është se, edhe pse çdo tregim përcjell një mesazh të rëndësishëm, brenda vetë atij tregimi gjen plot mesazhe të tjera edukative. Tregimet kanë një stil të këndshëm dhe të veçantë rrëfimi. Në to shpaloset bota fëmijërore me të gjitha dimensionet e saj. Ky libër nuk vjen si një manual rregullash për fëmijët, por këto rregulla që ata duhet të ndjekin në jetën e përditshme, jepen me një gjuhë të bukur dhe artistike për fëmijët, duke i marrë ato në mënyrë argëtuese dhe jo si manuale të lodhshme për fëmijët. Çdo tregim mbyllet me rregullat më kryesore ndaj ngjarjes që rrëfen, të dhëna qartë, shkurt dhe me gjuhën e fëmijëve. Ky libër nuk është i domosdoshëm vetëm për fëmijët, por edhe për çdo prind, mësues apo i rritur që jeton, rrethohet apo punon me fëmijët.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.